Analize

Kryeministri rebel…

Ai ka lindur me kostumin e protestuesit. Albin Kurti ka udhëhequr trazirat në rrugë, ka lëshuar bombola me gaz lotësjellës në parlament, u ka dalë kundër ndërkombëtarëve dhe politikanëve të vendit të tij. Ai ka qenë madje edhe i burgosur politik, por nuk e ka dyshuar ne asnjë moment se dita kur do të hiqte kostumin e protestuesit dhe të veshte atë të kryeministrit, do të vinte.

Sot Kurti veshi kostumin plot shkëlqim që i ka qepur vetes si një social-demokrat i mbushur me shpresë për të ardhmen e Kosovës, ndërkohë që realizon ëndrrën e tij të hershme për t’u bërë Kryeministër.

Ish-aktivisti studentor e nisi dhe e vazhdoi pjesën më të madhe të karrierës së tij në rrugë. Ai u bë në emër i njohur për publikun me organizimin protestave studentore në fund të viteve 1990 kundër ish-diktatorit serb Slobodan Miloseviç, përpara se trupat serbe të ndërmerrnin fushatën e përgjakshme kundër shumicës shqiptarëve të Kosovës.

Gjatë protestave të 1997. Gazeta Si, 7 tetor 2019

"Vetëvendosje!" ishte slogani kryesor gjatë protestave që u zhvilluan në vitin 1968 në të gjithë Kosovën, me qëllim të përparimit të të drejtave kombëtare të shqiptarëve dhe forcimit të statusit politik si një entitet brenda Jugosllavisë. Zanafilla e Vetëvendosjes ndodhet në aktivitetet dhe aksionet e Rrjetit të Aksionit për Kosovën (KAN), i cili u themelua në vitin 1997, nga një grup aktivistësh ndërkombëtarë e kombëtarë që u vu në përkrahje të nismave qytetare kundër okupimit dhe diktaturës serbe në Kosovë. Mes tyre ishte edhe Albin Kurti, në atë kohë një i ri mbushur plot me endrra dhe guxim të pashoq.

Arrestimi në 1999. Gazeta Si, 7 tetor 2019

Ai lindi më 24 mars 1975 në Prishtinë dhe e nisi rezistencën e tij kundër Serbisë që në moshën 16-vjeçare me shpërndarjen e parrullave anti-serbe. Në moshën 22-vjeçare ai u integrua në Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës duke kërkuar pavarësi.
Me fillimin e luftës në Kosovë, në gusht të vitit 1998, Albini nisi punën në zyrën e përfaqësuesit të përgjithshëm politik të UÇK-së, Adem Demaçit, ku shërbeu si sekretar i kësaj zyre. Ndërkohë që Serbia nisi fushatën e saj për spastrim etnik, Albini do të qëndronte në Prishtinë deri më 27 prill 1999, kur edhe u arrestua nga policia serbe.

Pas tërheqjes së forcave serbe, sëbashku me të burgosur të tjerë shqiptarë, u transferua në burgjet serbe, ku u dënua me 15 vjet burg të rëndë. Kurti kaloi dy vjet në burgjet serbe por nuk u pendua për aktivizimin, duke deklaruar se po të kthehej prapa në kohë, do të vepronte po njësoj.

Kurti u lirua nga burgu me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar, por rikthimi në Prishtinë do të ishte vetëm fillimi i karrierës së tij të zhurmshme politike. Pas diplomimit në 23 prill të vitit 2003 në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, Albini nisi sërish një sërë protestash me studentë dhe aktivistë të shoqërisë civile, duke kërkuar respektimin e të drejtave të njeriut dhe atyre civile. U deshën dy vite protestash që Kurti të mblidhte mjaftueshëm njerëz rreth vetes sa për të krijuar lëvizjen e tij, me të cilën do të ngjitej 19 vite më vonë në pushtet.

Në qershor 2005, Kurti themeloi zyrtarisht Vetëvendosjen, të cilën e ktheu nga një shoqatë aktivistësh në një prej forcave më të mëdha në politike në Kosovë. Në muret që rrethonin ndërtesën e UNMIK-ut, aktivistët e VV-së shkruan parullën “Jo negociata, Vetëvendosje”, fjalë e cila pikërisht solli krijimin e lëvizjes. Shkrimi i parrullave vazhdoi gati në të gjitha fshatrat dhe qytetet e Kosovës. Kurti filloi me përdorimin e metodave të tjera "kreative" e të padhunshme sikurse janë aksionet simbolike, bllokadat dhe së fundi edhe demonstratat masive.

Gjatë protestave kundër UNMIK në Prishtinë. Gazeta Si, 7 tetor 2019

Më 10 shkurt 2007, Kuti organizoi në rrugët e Prishtinës një demonstrim ku morën pjesë më shumë se 60,000 persona. Kjo do të shënonte edhe protestën e parë të dhunshme të VV-së pasi situata doli jashtë kontrollit dhe policia filloi të gjuajë me plumba gome mbi protestuesit. Fundi i protestës rezultoi me dy vdekje dhe 73 të plagosur, duke çuar edhe në arrestimin e Kurtit. Ai ka organizuar gjithashtu protesta përpara selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dhe në Kosovë gjatë vizitave të krerëve të shteteve të Serbisë ose ndërmjetësve të negociatave. Lëvizja gjithashtu kundërshton procesin e decentralizimit i cili krijon një ndarje de facto të Kosovës përgjatë vijave etnike, duke e ndarë Kosovën në pjesët etnike shqiptare dhe serbe dhe si të tilla duke rezultuar në diskriminim etnik të bashkësive shqiptare dhe serbe duke krijuar geto të bazuara në përkatësinë etnike.

Albin Kurti Gazeta Si, 7 tetor 2019

Kurti u bë i njohur për idenë e tij të bashkimit kombëtar, duke shtuar kështu edhe më shumë problemet e tij me ndërkombëtarët, për shkak të retorikës nacionaliste. Por edhe pse nuk është i preferuari i “ndërkombëtarëve” në zgjedhjet e vitit 2017, Vetëvendosje do të dyfishonte votat duke detyruar edhe komunitetin ndërkombëtar ta shikonte Kurtin si përfaqësues të një force politike që kishte jo pak peshë në Kosovë.

Me kalimin e kohës, Lëvizja Vetëvendosje u kthyer në parti, e cila ishte gjithmonë e gatshme të zgjidhte rrugën sesa një marrëveshje për pushtet.

Për gati njëzet vjet, 43-vjeçari ka qenë politikani kryesor i opozitës në Kosovë duke organizuar mitingje të mëdha kudo ku ka mbështetës të partisë së tij. Një protestë antiqeveritare më 29 shtator të vitit të kaluar ishte një nga më të mëdhatë gjatë dekadës së fundit në Kosovë. Sidoqoftë, disa protesta të Vetëvendosjes janë kthyer shpesh në shembuj dhune, duke kulmuar me hedhjen e koktejleve molotov në Parlament.

Albin Kurti, Gazeta Si, 7 tetor 2019

Në vitin 2017 ai u arrestua bashkë me dy deputetë të tjerë pas përfundimit të një proteste të partive opozitare kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe kundër asaj për kufirin me Malin e Zi. Përveç kësaj, partia e tij u përça në dy pjesë, pasi disa nga drejtuesit kryesorë si Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Shpend Ahmeti u larguan nga Vetëvendosje e krijuan parti të re, për shkak të përplasjeve me Kurtin dhe “diktaturën” e tij në këtë parti. Me rikthimin e tij në krye të VV, Kurti vijoi të kundërshtonte po aq shumë një marrëveshje të mundshme me Serbinë, në dëm të interesave të Kosovës, duke mos i kursyer sulmet në drejtim të qeverisë Haradinaj.

Çfarë kryeministri do të jetë Albin Kurti?

Por çfarë do të ndodhë me Albin Kurtin, rebelin e protestave dhe të demonstratave? A do transformohet edhe ai si Alexis Tsipras, duke u bërë pjesë e rrymës? A do e bëjë presioni ndërkombëtar që të jetë një politikan tradicional, si ata që shohim rëndom në rajonin tonë? Çfarë do të ndodh me idetë ultra të majta për rishpërndarjen e pasurisë dhe për shërbimet falas, që propagandon Vetëvendosje. A do zbatohen në terren dhe a do sjellin rezultate katastrofike siç ka ndodhur në vende të tjera?

Duke folur për vizionin e tij si kryeministër, Kurti do të shprehej dy javë më parë se: "Unë do të jem i drejtë. As i fortë dhe as i dobët".

“Aftësia e Kurtit si kryeministër do të varet nga aftësia e tij për të gjetur konsensus me pjesën tjetër të opozitës”, thotë analisti politik Ramush Tahiri. "Nuk mjafton të veshësh kravatë, të ndryshosh imazhin e tij dhe të mos u përfshirë në afera korruptive, Kurti duhet të bëhet një politikan modern pa linjat nacionaliste”, thotë analisti.

Vetëvendosje ka patur deri më tani një paltformtë nacionaliste, duke premtuar bashkimin kombëtar dhe luftën pa mëshirë ndaj elitave të korruptuara të Kosovës.

Disa sinjale për udhëheqjen e Kurtit duket se vijnë nga mitingu i tij më i fundit, ku krahas flamujve kosovarë dhe amerikanë shiheshin edhe flamuj të Shqipërisë së Madhe.

Kurti është kundër bërjes së lëshimeve ndaj Serbisë dhe është një ithtar i flaktë i bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo platforma ka fituar zemrat e shumë shqiptarëve të Kosovës që vuajtën shtypjen serbe por edhe shqiptarëve të Shqipërisë.

"Ne duam të kemi të drejtën të bashkohemi me Shqipërinë," përsëriti Kurti nga selia e partisë së tij në Prishtinë më 30 shtator. "Por ne nuk do të fillonim luftën e tretë në Ballkan për këtë qëllim."

Kurti hedh poshtë etiketat "radikale" dhe "nacionaliste" që i janë vendosur partisë së tij, duke thënë se Vetëvendosja ka ndjekur një platformtë Social Demokrate që nga 2013.

"Dikush mund të thotë se unë jam një person romantik, por nuk jam shovinist”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes e sheh bashkimin si një zgjidhje jo vetëm për problemet e sigurisë, por edhe për ato ekonomike e politike për shqiptarët në të dy shtetet e ndara.

Albin Kurti Gazeta Si, 7 tetor 2019

“Nuk e bëjmë ne bashkimin kombëtar, por bashkimi kombëtar na bën ne. Vokacioni ynë është për bashkim dhe besoj që edhe këtu janë të shumtë që e duan këtë. Të bëhet referendum dhe le të vendosin qytetarët. Ne na kënë vënë pengesë nenin që na ndalon bashkimin, si Austria që nuk i lejohet të bashkohet me Gjermaninë. Por, nuk e kishte Shqipëria Hitlerin, e kishte Serbia Millosheviçin”, ka deklaruar Kurti në tetor të 2018-ës, gjatë një vizite në Shqipëri.

“Shqipëria dhe Kosova duhet të koordinohen që në dekadën e ardhshme të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE. Nëse Serbia hyn një ditë para Shqipërisë dhe Kosovës do të na bllokojë integrimin”, thoshte ai. “Nuk jam fare kundër BE-së, përkundrazi. Jam një avokat i madh i BE-së dhe mendoj se BE duhet mbrojtur. Mendoj se paqja e qëndrueshme mban emrin e Bashkimit Evropian. Dhe në paqe të qëndrueshme kemi antifashizmin brenda. Por jam edhe avokat i shtetit të mirëqënies, i cili e kombinon rritjen ekonomike me drejtësinë sociale”- tha Kurti.

Ai ka folur përtmodelin gjerman të bashkimit duke rikujtuar kauzën e bashkimit të shqiptarëve, dukë bërë që shumë mbështetës ta krahasonin me Helmut Kol.

“Rasti i Shqipërisë dhe i Kosovës ka disa dallime të mëdha me rastin e Gjermanive por ne kemi të bëjmë me kombe që dëshirojnë të bashkohen. Shqipëria e Kosova kanë përparësi të mëdha, për shkak se në historinë e tyre nuk e kanë ndonjë moment që i bën fajtor, siç e pati Gjermania momentin e Luftës së Dytë Botërore. Ne si shqiptarë nuk kemi pse kemi komplekse. Bashkimi jonë nuk rrezikon asnjë fqinj, dhe ne nuk kemi në historinë tonë njolla. Bashkimi jonë duhet të jetë dhe do të jetë demokratik, progresist, i fokusuar te zhvillimi ekonomik dhe institucional i shqiptarëve, në marrëdhënie korrekte me fqinjët, dhe evropianist”, shprehet 43 vjeçari.

Albin Kurti Gazeta Si, 7 tetor 2019

Megjithatë, disa ditë para zgjedhjeve të së dielës, Kurti do të bënte një pas duke deklaruar se bashkimi varet nga qeveria shqiptare.

“Sot jemi të paaftë për t’u bashkuar. Kjo s’varet vetëm prej nesh, varet prej Shqipërisë. Unë e konsideroj tanimë primare mbijetesën e shtetit të Kosovës”, ka thënë Kurti.
Megjithatë Vetëvendosja është akuzuar në Kosovë për flirtim me ekstremizmin islamik, akuza që Kurti i mohon me forcë.

“Nuk ka flirtim. Jemi subjekt politik që duam një shtet sekular. Por ne kundërshtojmë islamofobinë, që është e shprehur nga kundërshtarët që kërkojn të zëvendësojnë armikun kryesor që kemi Serbinë me islamin”, përgjigjet Albin Kurti.

Ai besonte gjithmonë se Vetëvendosja do të kthehej në një shpresë për vendin dhe ia doli. Tanimë Kurti ka shansin më të mirë për të veshur kostumin e pushtetit dhe për të realizuar atë që e cilëson si ëndrrën më të madhe të jetës së tij: të jetë kryeminister.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë