Analize

Qytetarët “çlirojnë Kosovën nga çlirimtarët!”

Të lodhur nga korrupsioni, izolimi, abuzimi me pushtetin dhe mungesa e një perspektive ekonomike e politike, qytetarët e Kosovës vendosën të shembnin të dielën qeverinë e partive të krahut të luftës, mes tyre PDK-në, që ishte me jetëgjata në qeverisjen e vendit.

Zgjedhje e jashtëzakonshme të shpallura pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj nuk sollën vetëm fitoren e rebelit të skenës politike të Kosovës, Albin Kurtit, por edhe rrëzimin nga pushteti të partive që dolën nga UÇK-ja, të cilat ishin kohët e fundit sa bashkë në kabinet, aq edhe të ndara për çështjet kryesore si taksa apo edhe pakti final me Serbinë.

Pas përfundimit të luftës, dy dekada më parë, figurat politike mbizotëruese në Kosovë kanë qenë thuajse të gjithë burra që u ngritën si luftëtarë dhe e mbajtën pushtetin për shkak të historisë së UÇK-së, pavarësisht se nuk arritën të siguronin një paqe të qëndrueshme dhe zhvillimin e ekonomisë.

Partitë e krahut të luftës e ndjenë në fakt “rrezikun” që po afrohej që pas shpalljes së zgjedhjeve të 6 tetorit. Të vetëdijshme se po luftonin për mbijetesë politike, ato sollën edhe njëherë në vëmendje lidhjet e tyre me fuqitë ndërkombëtare me shpresën se mund të joshnin edhe njëherë votuesit. Por të lodhur nga izolimi dhe korrupsioni endemik, qytetarët e Kosovës dukeshin të vendosur për kërkuar një të ardhme të re.

Presidenti Hashim Thaci, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj, Gazeta Si, 8 tetor

Në zgjedhjet e së dielës, ata vendosën të mbështesnin gjeneratën e re të politikanëve që po sfidonin gardën e vjetër, Vjosa Osmanin e LDK-së, avokaten që ka përfaqësuar Kosovën në gjyqin e Pavarësisë, dhe Kurtin, rebelin e politikës kosovare, i cili prej gati dy dekadash e priste këtë ditë. Për shumë ekspertë, “shkelmi” ndaj krahut të luftës është mundësia që Kosovës i duhet për t’u shkëputur nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi i viteve të fundit.

Lulzim Peci, drejtori i Institutit Kosovar për Kërkimin dhe Zhvillimin e Politikave në Prishtinë, thotë se fitorja e Kurtit “është një mundësi që gjenerata e re e politikanëve të thyejë ciklin e përdorimit të Serbisë si një justifikim për gabimet e qeverive të Kosovës”.

Sipas sondazheve të realizuara së fundmi, pakënaqësia publike me arritjet e qeverisë Haradinajt ka rritur mbështetjen për partitë opozitare. Votuesit i dhanë një goditje të rëndë edhe qeverisë në largim. Partia e Haradinajt në koalicion me PSD-në e Shpend AHmetit dolën në vend të katërt me vetëm 11 % të votave. Ata duket se nuk votuan as për taksën ndaj mallrave serbe, dhe as për dialogun me Serbinë, pasi shqetësimet e tyre ishin të tjera dhe ishin injoruar prej vitesh nga partitë e krahut të luftës. Këto të fundit kishin injoruar edhe zhgënjimin e qytetarëve të Kosovës ndaj kësaj klase politike.

"Ne kemi pritur një kohë të gjatë për këtë fitore," tha Arditi, një student në Prishtinë që iu bashkua turmave që festonin me flamuj dhe fishekzjarre në kryeqytet. Partia e Kurtit do të sjellë një ndryshim të madh dhe na jep në të rinjve shpresojmë të shohin një të ardhme këtu", tha ai.

Dy politikanët kryesorë të Kosovë, Presidenti Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj vijnë të dy nga UCK-ja dhe lufta për pavarësi. Dy dekada më vonë, ata nuk kanë arritur të sigurojnë pranimin e plotë global të shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Madje kohët e fundit ka tërheqje nga njohja e pavarësisë disa vite më parë. Krahu i luftës dështoi sidomos në politikën e brendshme, pasi në Kosovë rreth një e treta e popullsisë është e papunë dhe të rinjtë synojnë vetëm që të largohen nga vendi, pasi aty nuk shikojnë të ardhme. Po ashtu rritja fiktive e listës së veteranëve të luftës ndër vite, lidhja e gjithçkaje me luftën dhe të shkuarën dhe mos ecja përpara i kanë lodhur kosovarët.

Albin Kurti

Fitorja e Vetëvendosjes vjen si pasojë e zemërimi me status quo-në. Skenari kryesor në tavolinë duket të jetë koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili do t’u garantonte dy forcave kryesore opozitare mazhorancën qeverisëse. Të dyja partitë kanë përplasur deri më tani disa herë “brirët” për postin e kryeministrit, por duket se ditë pas ditë përpara zgjedhjeve arritën një pakt të heshtur që qeverinë ta udhëhiqte ai që merrte më shumë vota.

Këto dy parti nuk kanë shumë gjëra të përbashkëta, njëra është parti e qendrës së djathtë ndërsa tjetra e majtë dhe nacionaliste. Por LDK-ja dhe VV-ja ndajnë dëshirën e përbashkët për të dërguar në “pension” politikanët e krahut të luftës.

Me anë të një lëvizjeje strategjike, Lidhja e Demokratike të Kosovës zgjodhi si kandidate Vjosa Osmani, një avokate 37-vjeçare që nuk ishte përfshirë në pazaret e brendshme politike me shpresën se ajo të bëhej gruaja e parë që drejtonte Kosovën. Me rezultatin e së dielës, ajo është tanimë gruaja më e fuqishme dhe më e votuar në Kosovë, edhe pa formuar një koalicion me Albin Kurtin. Osmani e ringriti edhe LDK-në e dërmuar që pas vdekjes së Ibrahim rrugovës, e cila u tkurr ndër vite dhe disa herë u nda, për shkak të mungesës së një lideri që drejtonte dhe frymëzonte.

Opozita i dha një goditje të rëndë veçanërisht Partisë Demokratike të Kosovës, që ka qenë në pushtet për më shumë se një dekadë. Menjëherë pas mbylljes së sondazheve, Kadri Veseli, drejtuesi i PDK-së, pranoi humbjen në zgjedhjet e parakohshme, duke deklaruar se do të dalë pas 12 vitesh në opozitë. “Ne nuk fituam. PDK do të hyjë në opozitë dhe ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë kombit dhe shtetit, “tha Veseli në një konferencë për shtyp.

Presidenti Hashim Thaci dhe Ramush Haradinaj, Gazeta Si, 8 tetor

Analisti politik Shpetim Gashi, thotë se qeveria e re e Kosovës do të përballet tanimë me rritjen e kërkesave dhe llogaridhënies dhe se sfidat që e presin janë të shumta.

"Kërkesat e votuesve janë rritur. Nuk mjafton më vetëm të kemi ujë dhe energji elektrike. Tani ne duam arsim, kujdes shëndetësor punë dhe rroga të mira”, argumenton Gashi. “Kosova ka infrastrukturë të vjetëruar, një shumë probleme mjedisore dhe nivele të mëdha emigracioni, veçanërisht drejt Gjermanisë dhe Zvicrës”, shton ai.

Qytetarët e Kosovës janë gjithashtu qytetarët e vetëm në Ballkan që kanë ende kanë nevojë për viza për të hyrë në Bashkimin Evropian. Heqja e regjimit të vizave është padyshim jo vetëm dështim, por edhe një nga burimet më të mëdha të zemërimit të qytetarëve me klasën e vjetër politike. Kjo ishte fushata e parë që askush nuk e përmendi dhe premtoi liberalizimin e vizave.

"Unë mendoj se rezultati zgjedhor tregojë se njerëzit duan ndryshimin e qeverisë," thotë 26 vjeçari Vedat Gashi, i papunë për mediat në Prishtinë. "Presidenti i një vendi të korruptuar të drejtuar nga mafia nuk mund të falet për krizat politike dhe ekonomike në të cilat po kalon vendi," shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë