Politike

Leksioni nga Kosova – Politika në Shqipëri bën ‘mea culpa’: Të ndryshojë sistemi

Zgjedhjet në Kosovë, mënyra se si u dolën rezultatet brenda ditës së zgjedhjeve, ka rikthyer në Shqipëri përplasjet mes partive politike për ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri. Votimet në Kosovë cilësohen si një leksion për klasën politike në Shqipëri, e cila vuan prej kohësh në menaxhimin e zgjedhjeve, ku rezultati mbahet peng nga komisionerët partiakë dhe i kalkulimeve të minutës së fundit.
Partia Demokratike reagoi nëpërmjet ish-deputetit deputetit Oerd Bylykbashi duke u shprehur se Kosova i dha një mësim të madh se si zhvillohen zgjedhjet demokratike, pasi u tregua se ato kërkojnë një vullnet politik dhe kur qeveria ka vullnet për të zbatuar ligjin,‎ që garanton të drejtën e zgjedhësve dhe të kandidatëve që konkurrojnë të lirë e pa presion.
“Zgjedhjet demokratike në Shqipëri i vrasin: Qeveritarët e korruptuar që blejnë vota për të vazhduar të mbajnë pushtetin; Kriminelët që qeveritarët i angazhojnë për të blerë vota dhe frikësuar zgjedhësit në këmbim të tenderave dhe pasurive publike; Kandidatët me rekorde kriminale apo ushtarë të krimit; Oligarkët që financojnë partinë në pushtet që të vijojnë vjedhjen e shqiptarëve me PPP dhe koncesione; Komisionerët militantë që shkelin ligjin me dy këmbë duke mbushur kutitë apo manipuluar numërimin; Mediat e kapura nga pushteti me interesa biznesi apo licenca të paligjshme. E vetmja pengesë në rrugën e shqiptarëve për zbatimin e rekomandimeve, si dhe garantimin e zgjedhje si gjithë Europa, është Edi Rama dhe qeveria e tij‎. Pa u larguar Edi Rama, zgjedhjet e Kosovës apo çdo reformë zgjedhore e jona, do të mbeten një leksion në letër”, deklaroi Bylykbashi.

Ish-deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, duke folur sot për median. Gazeta Si, 7 tetor 2019


Më tej ai shprehet se reforma zgjedhore është e vetmja rrugë; e si zgjidhje është platforma me pesë pika i opozitës, si dhe realizimi i rekomandimeve të OSBE-së dhe ODIHR-it.
Për zgjedhjet në Kosovë pati edhe një reagim nga kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e cila vlerësoi mënyrën e procesit të shpejtë të zgjedhjeve në shtetin më të ri të Ballkanit kërkon edhe zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.

“Mazhoranca duhet t’i japë fund estradës dhe lojërave politike dhe duhet të reflektojë sepse qytetarët shqiptarë partnerët tanë ndërkombëtarë, SHBA, BE, Gjermania dhe të gjithë partnerët europianë, nuk mund të gënjehen më me këto lojëra por presin që të vendosim në vendin e duhur themelet e demokracisë nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Opozita e Bashkuar tashmë e ka bërë të qartë qëndrimin e saj për reformën zgjedhore dhe realizimin e zgjedhjeve të reja. Të cilat konsistojnë direkt në zgjedhje të lira dhe të ndershme me një qeveri tranzitore që u garanton shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jo më, vazhdimin e lidhjes së politikës me krimin e organizuar dhe bandat kriminale. Tashmë kjo është rruga e vetme për të nxjerrë vendin nga kriza dhe për të realizuar gjithsecili përgjegjësitë para Shqiptarëve”, deklaroi Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në konferencën për shtyp. Gazeta Si, 7 tetor 2019

Ndërsa opozita e re i sheh zgjedhjet në Kosovë si një argument tjetër të fortë për ndryshimin e sistemit zgjedhor në Shqipëri, e pse jo i ngjashëm, pra me listat e hapura. “Ky sistem zgjedhor duhet të jetë frymëzim për vendin tonë për të çrrënjosur ata që kanë mbytur shpresën në Shqipëri. Politikanët tanë i druhen një sistemi të tillë pikërisht sepse rrezikohet elita e vjetër politike e këtij vendi, të cilët duan të mbajnë pushtetin e tyre me çdo kusht, duke mos u interesuar interesi publik. Është ironik fakti që janë pikërisht këta që urojnë Kosovën sot, që me “mbipushtetin” që kanë, mbajnë vendin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë mbrapa. Ndërkohë nga ana tjetër refuzojnë të konsiderojnë një sistem të ri më demokratik dhe më përfaqësues, vetëm e vetëm për të mbajtur karriget e tyre, duke e lënë vendin në një krizë politike dhe institucionale”, shprehet Hajdari.

Ish-ministri Bushati pro ndryshimit të sistemit
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati është i vetmi nga mazhoranca e majtë që pranon në mënyrë indirekte nevojën për ndryshimin e sistemit duke kërkuar zgjedhjen e individit. Nëpërmjet një statusi në Facebook, socialisti Bushati i uron fitoren Albin Kurtit të Vetëvendosjes, por edhe Vjosa Osmanit të LDK-së. “Përtej fitores së Albinit dhe Vjosës, në Kosovë, mbi të gjitha, fitoi standardi dhe kultura demokratike. Procesi zgjedhor, bazuar në një sistem që kombinon disiplinën partiake me mundësinë që ka çdo qytetar për të renditur kandidatët për deputetë sipas preferencës së tij, sikundër mënyra, korrektesa dhe shpejtësia me të cilën u numërua vota e qytetarëve, ishte një leksion më vete për ne.Kosova, një dekadë shtet, na dha mësime të vlefshme, edhe pse ne e kemi lënë pas një shekull shtet. Në demokraci zgjedhjet janë garë vlerash dhe jo të fortësh. Partitë politike i nënshtrohen konfirmimit të vendimeve nga populli, ku qytetarët kanë mundësi të rendisin të preferuarit e tyre në listat e kandidatëve për deputetë, çka forcon kontrollin demokratik ndaj vendimmarrjes”, shkruan ish-kryediplomati.

https://www.facebook.com/ditmirbushati.al/posts/2389372347843200


Kryekomisioneri Zguri: Ne dështuam me menaxhimin
Procesi zgjedhor në Kosovë u komentua edhe nga kryekomisioneri Klement Zguri, i cili ka theksuar se Shqipëria ka dështuar në kryerjen e zgjedhjeve, sidomos sa i përket menaxhimit. Ai thekson se Shqipëria më përpara i ka numëruar votat në qendrat e votimit, por Kuvendi e ndryshoi sistemin. Në gjykimin e tij, mënyra e menaxhimit dhe administrimit të zgjedhjeve në Shqipëri ka dështuar dhe i takon komisionit të reformës zgjedhore të adresojë dhe korrigjojë një orë e më parë defektet. “Është i vërtetë konstatimi juaj që në Kosovë votat numërohen në qendrat e votimit. Nuk është diçka e panjohur për ne. Edhe më parë Shqipëria e ka aplikuar këtë sistem, ku votat numëroheshin në qendrat e votimit. Ndërkohë ligjvënësi ka gjykuar dhe arsyetuar se një sistem tjetër mund të ishte më i pranueshëm për kontekstin e vendit tonë. Por dua të them se duket qartësisht që menaxhimi dhe administrimi, mënyra sesi bëhet te ne duket se ka dështuar, qoftë edhe për këtë fakt. Ajo që mendoj dhe sugjeroj është që i takon Komisionit të Reformës Zgjedhore që sa më shpejt të nisë punën për të bërë korrigjimet e duhura në mënyrë që të gjitha defektet që janë vënë re në proceset zgjedhore të mund të korrigjohen dhe të kemi një nivel administrimi më të pranueshëm për vendin tonë”, tha Zguri në një reagim për mediat.

Kryetari i KQZ-së, Klemenet Zguri. Gazeta Si, 7 tetor 2019

Në Shqipëri problemi i zgjedhjeve janë vetë partitë, e mosbesimi që kanë ato për procesin e numërimit të votave. Krijimi i komisioneve jopartiake të numërimit të votave, apo duke filluar që nga formimi i KQZ-së duket diçka e largët, edhe pse aktualisht mazhoranca e majtë po paralajmëron një gjë të tillë. Ndërsa sistemi aktual i ndryshuar në vitin 2008 kërkohet të ndryshohet nga një pjesë e partive politike, porse dy partitë e mëdha si PS-ja dhe PD-ja janë kundër. Ideja e votimit të listave të hapura është një kërkesë e opozitës së re, e cila po vendos si kusht të sajin edhe dhënien e votave për realizimin e ndryshimit të Kodit Zgjedhor. Sistemi aktual zgjedhor, sipas vetë ekspertëve, nuk i lejon qytetarët të zgjedhin, vota e tyre administrohet nga palët konkurruese, në konflikt të hapur të interesit, krizat politike kanë kaluar limitet e arsyeshme dhe mbështetja publike për parlamentin, partitë dhe elitat politike është në minimumin historik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë