Futboll

Kroacia në finale, koha për hakmarrje

Devijimi i topit në zonë nga Perisiç, Manzukiç del i vetëm përballë portierit, gjuan dhe shënon. Kroacia është në finalen e Kupës së Botës “Rusi 2018”, duke dërguar në shtëpi duarbosh përsëri Anglinë, që nuk bëri asgjë për ta merituar kualifikimin në ndeshjen e madhe të 15 korrikut në “Luzhniki Stadium”. Kombëtarja e vogël nga Ballkani bën historinë duke shkuar për herë të parë në finalen e një Kupe Bote.

Në përballjen e madhe të Moskës, kroatët e strategut Zlatko Daliç do të kenë mundësinë të sjellin në Ballkan për herë të parë Kupën e Botës. Por një tjetër aspket shumë i rëndësishëm është edhe munësia e hakmarrjes për ballkanasit. Në ndeshjen finale të këtij evenimenti, kroatët do të ndeshen me Francën, një kombëtare me të cilën nuk i kanë shumë të mira kujtimet.

Moment nga ndeshja Francë-Kroaci në vitin 1998

 Do të ishte botërori “Francë 1998”, kur kroatët e legjendës, Davor Shuker në paraqitjen e tyre të parë në një Kupë Botë do të shkonin deri në gjysmë-finale. Aty ëndrra e tyre do të ndërpritej në mes nga Franca që do të fitonte në shifrat 2-1 me dy gola të Liliam Turam.  Pas kalimit në finale, Franca e atij viti do arrite edhe ta fitonte Kupën e Botës, duke mundur Brazilin. Për Davor Shuker kjo do të jetë gjithashtu një mundësi për revansh personal, pasi nëse si futbollist nuk arriti të fitonte me francezët, do të kërkojë t’i mposht si president i Federatës Kroate të Futbollit.

President i Federatës Kroate të Futbollit, Davor Shuker me trajnerin e Kroacisë, Zlatko Dalic

Këtë herë Kroacia është më e pjekur, pasi ka dëshmuar tashmë se mund ta fitojë këtë Kupë Bote. Modriç me shok kanë marrë pikë të plota në grupe, eleminuan të zotët e shtëpisë, Rusinë dhe një ekip plot me yje si Anglia me përmbysje duke treguar forcë dhe karakter njëkohësisht. Kroatët janë për t’u pasur frikë, pasi edhe në ndeshjen e tyre më të keqe arrijnë të fitojnë, për këtë gjë mund të flasin shumë mirë danezët, por edhe rusët.

Nga ana tjetër 20 vite më parë, kombëtarja kroate ishte me stofin e debutuesit dhe shumë pak ishin lojtarët e njohur në nivelet e larta botërore të futbollit. Por kjo nuk mund të thuhet edhe për këtë kombëtare të 2018-ës që drejtohet nga Zlatko Daliç. Luka Modriç, Manzukiç, Perisiç, Rakitiç etj. janë lojtarë të afirmuar në 10 vitet e fundit në futbollin Evropian, duke fituar çdo gjë në nivel klubesh. Ndoshta ka ardhur koha që ky brez i artë të fitojë diçka edhe me skuadrën e vendit të tyre. Mundësia është vetëm 90 minuta larg dhe nëse ia dalin të  triumfojnë, emrat e tyre do të skaliten përgjithmonë në palmaresin e artë të futbollit kroat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë