Ekonomi

“Kriza politike po shkatërron ekonominë. Bojkoti masiv i zgjedhjeve shpresëdhënës”

Sabina Veizaj- Eksperti i Moody’s Ilir Hysa i cili i ndjek në mënyrë intensive zhvillimet në Shqipëri thotë për Gazeta “Si” se kriza politike-institucionale po bën që ekonomia e vendit të shkatërrohet, pasi siç e shpjegon ai, rinia shqiptare nuk ka më besim dhe shpresë për një të ardhme në vend, por të gjitha përpjekjet e tyre shkojnë për të gjetur të ardhmen jashtë kufijëve. Sipas tij , kriza e besimit mbetet dëmi më i madh afatshkurtër dhe afatgjatë ndaj qytetërve të vendit.

Por Hysa sheh me optimizëm sjelljen e qytetarëve ndaj votimit të datës 30 qershor për zgjedhjet e pushtetit vendor. Eksperti vëren se bojkotimi masiv i zgjedhjeve të fundit në mungesë të konkurencës së ndershme është edhe risia e zgjedhjeve të fundit. “Në fakt, kjo risi ngjall shpresë”- mendon ai.

Ilir Hysa
Associate Director - Senior Economist  pranê Moody's Corporation

Z. Hysa, sipas jush si po ndikon kriza e tejzgjatur politike në ekonominë e vendit në përgjithësi dhe tek bizneset e xhepat e qytetarëve në veçanti?

Situata e tensionuar politike në Shqipëri ka vazhduar të thellojë krizën shumëdimensionale që përjetojnë qytetarët dhe është lajm jo i mirë për ekonominë e vendit.

Pa dyshim, kriza e kohëve të fundit është krizë institucionale. Polemikat e ashpra mes palëve politike dhe institucioneve të vendit, polemika që i paraprinë 30 qershorit, nuk zgjidhën asnjë problem. Përkundrazi, debati shterpë iu kujtoi qytetarëve se klima konfliktuale e gati tre dekadave tranzicion është njëra nga arsyet kryesore të tranzicionit të tejzgjatur. Për më tepër, zgjedhjet e shumëdebatuara të 30 qershorit nuk i dhanë fund krizës politike dhe aftësia e klasës së sotme politike për të prodhuar kriza të reja mbetet e frikshme.

Në njëfarë mënyre, bojkotimi masiv i zgjedhjeve të fundit në mungesë të konkurencës së ndershme është edhe risia e zgjedhjeve të fundit. Në fakt, kjo risi ngjall shpresë. Më në fund, jo të gjithë votuesit janë gati të shiten, blihen apo të mashtrohen. Ata kërkojnë konstituimin faktik të votës së lirë. Ata kërkojnë institucione që karakterizohen nga parimi perëndimor i “checks and balances”.

E bëra këtë parantezë sepse çfarë ndodh politikisht ka shumë rëndësi në përcaktimin e rrjedhës së ekonomisë. Për shembull, ekziston një lidhje organike ndërmjet cilësisë së institucioneve dhe zhvillimit ekonomik gjithëpërfshirës. Shifrat e viteve të fundit flasin për rritje të mirë ekonomike, por ajo është përjashtuese pasi fokusohet në tërheqjen e përfitimeve nga rreth 5% e qytetarëve shqiptarë. Një polarizim i tillë është përfundim tipik i politikave ekonomike që promovojnë status-quo-në, në rastin shqiptar mbështetje ndaj një grushti oligarkësh të lidhur me pushtetin. Këta individë diktojnë edhe politikat ekonomike që zbatohen.

Cilat janë dëmet më të mëdha që mund ti bëhen ekonomisë reale?

Por nëse do ta karakterizonim ngërçin e shoqërisë shqiptare në aspektin ekonomik në mënyrën më të prekshme të mundshme, dy mbeten dëmet më të mëdha që orientimi aktual institucional “njëri gozhdës, tjetri patkoit” po i bën vendit.

Së pari, sikurse e kemi thënë unë dhe studiues të tjerë, kriza e besimit mbetet dëmi më i madh afatshkurtër dhe afatgjatë pasi shumë të rinj ende nuk e shohin të ardhmen në Shqipëri. Po të merren parasysh rënia e ndjeshme e lindjeve dhe plakja e shpejtë e popullsisë, largimet masive të të edukuarve përbëjnë lajm të keq për cilësinë e fuqisë punëtore në vitet që vijnë pasi vendi po humb një pjesë të madhe të kapitalit njerëzor.
Së dyti, ndonëse investitorët vendas kanë fituar imunitet—pjesërisht edhe si pasojë e trajtimit special të lartpërmendur—ndaj konfliktualitetit dhe çdo ditë rrezikojnë fondet e tyre për të siguruar fitime të reja, ata të huaj gati e kanë hequr Shqipërinë nga harta e tyre e investimeve. Pra, stabiliteti politik është kusht bazë në tërhqeqjen e investitorëve të huaj dhe një gjë e tillë i mungon Shqipërisë.

Çfarë pasojash makroekmonomike dhe financiare mund të ketë rënia e kapitalit të huaj?

Rënia e kapitalit të huaj mund të ketë pasoja të mëdha makroekonomike dhe financiare. Kjo rënie mund të çojë në rënien e vlerës së Lekut dhe në thellimin e hendekut social. Kjo sepse ndonëse situata politike është vetëm njëri prej faktorëve që përcakton kursin e shkëmbimit të monedhës, një zhverësim i Lekut është i mundshëm dhe do të dëmtonte përdoruesit e tij në përgjithësi por më shumë do të peshonte mbi pjesën më të varfër të shoqërisë e cila e përdor Lekun në mënyrë ekskluzive, duke thelluar kështu hendekun shoqëror dhe pakënaqësinë me sistemin aktual politik e institucional.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë