Treg

Kriza e strehimit, qeveria gjermane lehtëson ligjet për ndërtuesit

Qeveria gjermane miratoi një plan me 14 pika për të menaxhuar krizën e strehimit në vend. Vendimi erdhi një ditë pasi kancelari Olaf Scholz u takua me drejtuesit e sektorit të ndërtimit.

Cili është plani i qeverisë për të luftuar krizën e strehimit?

Berlini do të pezullojë për një kohë të pacaktuar planet për të vendosur standarde më të rrepta për izolimin e ndërtesave. Kjo do të nënkuptonte një largim nga standardi i kursimit të energjisë sipas formatit EH40.

Koalicioni qeveritar i socialdemokratëve të qendrës së majtë (SPD), të Gjelbërve ambjentalistë dhe Demokratëve të Lirë neoliberalë (FDP) kishin rënë dakord që EH40 të bëhej normë deri në vitin 2025. EH40 do të thotë një kërkesë prej 40% të energjisë së një ndërtese të krahasueshme. Standardi aktual është EH55.

“Duke pasur parasysh kushtet e vështira që mbizotërojnë aktualisht në sektorin e ndërtimit dhe strehimit për shkak të normave të larta të interesit dhe kostove të ndërtimit, futja e EH40 si standard ligjor i detyrueshëm për ndërtesat e reja “nuk është më e nevojshme gjatë kësaj legjislature dhe do të pezullohet”, thuhet në informacione të ndryshme.

“Normat e larta të interesit dhe inflacioni janë një barrë e rëndë për industrinë e ndërtimit”, tha ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck të hënën, cituar nga agjencia e lajmeve Reuters. Ministri vuri në dukje se masat izoluese, për të cilat industria e ndërtimit tha se do të zbehin një treg tashmë të dëshpëruar, “mund të presin”. “Unë nuk shoh se si mund të futet gjatë kësaj legjislature ky standard i ri,” tha ai.

Të tjera masa përfshijnë rritjen e aksesit për kredi të lirë dhe subvencione për ata që duan të zëvendësojnë sistemet ngrohëse nga lëndët djegëse në lëndë më pak të dëmshme.

Scholz tha se një ndërtues mjafton të marrë lejen e ndërtimit dhe të vazhdojë ndërtimin kudo të jetë, duke shmangur të gjitha proceset burokratike për çdo fazë. Kjo gjë sipas tij, do ta bënte më të lehtë dhe më pak të kushtueshëm ndërtimin.

Gjatë periudhës kur normat e interesit ishin të ulëta, standardet gjithnjë e më të rrepta të strehimit u zhvilluan në nivel federal, shtetëror dhe lokal, tha Klara Geywitz (SPD), Ministre e Drejtësisë e Ndërtimit, në kanalin televiziv publik ARD. “Sot, të tre nivelet e qeverisjes duhet të kuptojnë: ne duhet të ulim standardet dhe të ulim kostot.”

Çmimet e pronave rezidenciale gjermane po përballen me një rënie serioze, me rënien më të madhe të çmimeve të regjistruar këtë vit që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 2000, sipas të dhënave nga Zyra Federale e Statistikave.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se lejet e ndërtimit për apartamentet në ekonomisë më të madhe të Europës ranë 31.5% në korrik krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, ndërsa çmimet e ndërtimit u rritën me gati 9% gjatë vitit. Në marrëveshjen e saj të koalicionit, qeveria vendosi një objektiv prej 400.000 ndërtesash të reja çdo vit./DW


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë