Treg

Kriza e paralajmëruar e OSHEE në errësirën e shifrave

Audituesi i pavarur që ka kontrolluar shoqërinë e Operatorit të Shpërndarjes, për vitin 2017, auditimi më i fundit i bërë publik, ka hedhur dyshime për vijimësinë e aktivitetit të shoqërisë duke marrë parasysh humbjet prej 69 mln lekësh për atë vit.

Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në ekstraktin e shoqërisë OSHEE me NIPT: K72410014H raporti më i fundit i auditit të pavaruar është ngarkuar si dokument më 31/01/2019 dhe mban datën 21.12.2018 për vitin financiar 2017-të.

Audituesi i pavarur në Opinionin e tij të cilin e cilëson si” Opinion me Rezervë”, shkruan se “shoqëria nuk ka kryer verifikimin dhe inventarizimin fizik të Aktiveve Afatgjata Materiale (AAM) më 31 dhjetor 2017, nuk ka arritur të marrë titujt e pronësisë për pronat e paluajtshme që ka në përdorim. Për shkak të volumit të lartë grupi i Audituesve Ligjorë nuk është në gjendje që nëpërmjet procedurave alternative të auditimit të sigurohet për ekzistencën dhe plotësinë e Aktiveve Afatgjata Materiale neto më 31 dhjetor 2017 dhe shpenzimet për amortizimin për vitin që mbyllet me 31 dhjetor 2017.”

Raporti bën me dije se shoqëria më 31 dhjetor 2017 ka një humbje të akumuluar në masën 69 . 292 milion Lekë dhe kapital negativ në masën 33. 212 milion lekë, ngjarje të cilat tregojnë që vlera e rikuperushme e aktiveve të saj mund të jetë më e vogël se vlera e tyre kontabël.

Më 31 dhjetor 2017, vijon raporti, shoqëria nuk ka llogaritur vlerën e rikuperueshme të këtyre aktiveve dhe humbjen e mundshme që mund të lindë, praktikë e cila nuk është në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar. Shoqëria nuk ka njohur tatimet e shtyra që lindin si pasojë e diferencës midis vlerës kontabël dhe bazës së tatueshme të aktiveve afatgjata materiale, praktikë e cila nuk është në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar.

Shoqëria regjistron të dhënat analitike në sistemin e “faturimit dhe arkëtimit mbi bazë të faturimeve dhe pagesave në nivel kontrate, ndërsa në sistemin e kontabilitetit (“SAP”) të dhënat regjistrohen në mënyrë të përmbledhur manualisht. Shuma e kërkesave për arkëtim nga klientët sipas sistemit të kontabilitetit në datën 31 Dhjetor 2017 është 1.169 milion lekë më shumë se të dhënat sipas sistemit të “faturimit dhe arkëtimit billing”.

“Për shkak të natyrës së sistemeve të kompanisë, ne nuk ishim në gjendje të siguronim evidencë të mjaftueshme dhe të përshtatshme auditimi për të verifikuar plotësinë, ekzistencën dhe vlerësimin e kërkesave për arkëtim nga klientët as edhe me metoda alternative, llogarive përkatëse të pasqyrës së fitimit ose humbjes, dhe pasqyrën e flukseve monetare dhe për vitin që mbyllet me 31dhjetor 2017”, citon raporti.

Po ashtu sipas auditit të pavarur, shoqëria nuk ka mundur të rakordojë me furnitorët e saj për shumat e pagueshme ndaj tyre më 31 Dhjetor 2017. Gjithashtu procedurat e konfirmimit dhe procedurat alternative të kryera nga audituesit nuk kanë qenë të mjaftueshme për t’u siguruar mbi plotësinë e gjendjes së furnitorëve me 31 dhjetor 2017

Bazuar në informacionin e vënë në dispozicion, citon raporti i auditit të pavarur, ne nuk ishim në gjendje të përcaktonim nëse korrigjimet do të ishin të nevojshme në vlerën e llogarive të pagueshme, llogaritë përkatëse të pasqyrës së fitimit ose humbjes, dhe pasqyrën e flukseve monetare më dhe për vitin që mbyllet me 31 dhjetor 2017.

Ne, thotë raporti, kemi kryer auditimin tonë në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit (SNA-të). Ne besojmë se evidenca e auditimit që kemi marrë është e mjaftueshme dhe e përshtatshme për të siguruar një bazë për opinion.

Edhe pasqyrat Financiare janë përgatitur mbi supozime për të ardhmen.” Ne tërheqim vëmendjen se shoqëria ka humbje të mbartura 69. 292 milion Lek m dhe një kapital negativ prej 33. 212 mijë leke. Duke patur parasysh këtë gjendje audituesit e pavarur japin konstatimin e trishto se “ Aftësia e shoqërisë për të vazhduar aktivitetin e saj varet nga mbështetja financiare e aksionerit kryesor (qeveria)”.

Deri tani ky është raporti i fundit i publikuar nga në Qendrën Kombëtare të Biznesit, megjithëse ligji e detyron OSHEE që tashmë të kishte të hedhur në sistem dhe transparent për publikun edhe raportin e viti 2018 që në korrik të vitit të kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë