Treg

OSHEE e varfër, edhe 6 vite të tjera për të ulur ndërprerjet e energjisë

Sabina Veizaj - OSHEE shoqëri e varfër, auditi i pavarur nuk certifikon pasqyrat financiare, shiptarët do të vuajnë mungesën e cilësisë së energjisë elektrike të paktën deri në 2025-ën.

Pra, për energji elektrike me cilësi do të duhet të presim të paktën deri në vitin 2025.
Projekti i arritjes së cilësisë, ose ndryshe shkurtimi i kohëzgjatjes se ndërprerjes për një abonent në vit, do të bëhet në mënyrë të përshkallëzuar, pasi sipas Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, shoqëria është e paaftë për të përmbushur detyrimet sipas rregullave të shprehura në rregulloren e ERE miratuar me vendimin përkatës.

Gazeta “Si” në një bisedë me drejtorin e Divizionit të Shpërndarjes (drejtorin teknik) Petraq Lika, i kërkoi shpjegime atij pse nuk janë arritur të bëhen investimet e planifikuara sipas rregullores se Entit Rregullator të Energjisë për tiu përafruar standarteve europiane sipas marrëveshjeve.

Petraq Lika, Drejtori i Divizionit të Shpërndarjes në OSHEE

Argumenti i këmbëngulës i Z. Lika është rrjeti i amortizuar dhe manuali i cili kërkon buxhete të majme dhe kohë.

“Janë 45 mijë km linja elektrike, 178 nënstacione, 25 mijë kabina elektrike. Jetëgjatësia mesatare e rrjetit është 40 vjeçare dhe kjo bart problematikat e veta që shfaqen më të theksuara në zonat rurale dhe ato rurale të thella. 82% janë linja ajrore dhe të ekspozuara e të varura ndaj kushteve atmosferike, të cilat për më tepër kanë ndryshuar. Gjendja e sistemit nuk të favorizon. Çdo operim, çdo kontroll, monitorim bëhet manualisht, bota ka kaluar online, që do të thotë do ta planifikosh këtë rrjet e ta parapërgatisësh që ta kalosh online. Çfarë do fus unë?”- thotë drejtori Lika për gazetën “Si”.

Lika shpjegon se në performancën e prezantuar tek ERE për të mbështetur kërkesën për shtyrje të arritjes së cilësisë tregohet mjaft qartë puna e ERE-s në lidhje me investimet e deritanishme.

OSHEE, tregon Lika, ka bërë investime, studime, vlerësime, rikonstruksione dhe ka arritur që nga 7300 minuta mungesë energjie elektrike në vit për një abonent, për 2019 rezulton që kjo shifër të jetë ulur në 3000 minuta ndërprerje të energjisë elektrike në vit për një abonent.

Ai e konsideron këtë ndryshim arritje galoponte që përkthehet në para dhe riorganizim.
Po ashtu, sqaron ai, vetë ligji i energjisë dikton që brenda 10 vitesh (2015-2025) që rrjeti duhet të jetë automatizuar që të transmetojnë në kohë reale parametrat e rjetit në gjendjen që është dhe shoqëria reagon në kohë reale ndaj avarive të mundshme.

Pra projekti bazë i OSHEE për të bërë investimet e planifikuara me qëllim rritjen e cilësisë së furnizimit me energji elektrike do të bëhet në 6 vite deri në 2025-ën dhe kushton 70 mln euro. 32 mln eurot e para i ka kredituar KFW.

“Ne kemi një strategji: ndërtuam sistemin SCADA që do të thotë: supervizim, kontroll, automatizim dhe të dhëna. Paratë e para u hodhën në rajonin e Tiranës sepse ishte në emergjencë dhe sëbashku me Durrësin ka 50% të konsumatorëve të energjisë elektrike në të gjithë vendin. Si rezultat kemi 40 minuta në operim të përmirësuara. 10 mln euro do të shkojnë për nënstacionin e Valiasit që do të bëhet me rrjetet e tensionit të mesëm. 2 mln euro do të shërbejnë për konsulencë për politikat strategjike dhe 20 mln euro SCADA.”- shpjegon drejtori Lika.

Po ashtu në radhën e investimeve sipas OSHEE është parashikuar fuqizimi i stacionit të Kasharit, ish uzinës së Traktorëve, Selitës dhe më herët është punuar në rikonfigurimin e skemave, rikonstruksion i 400 kabinave në Tiranë dhe u bënë 8 linja të reja.

“Tirana ka një rrjet shpërndarës 20 kilo volt që ka nisur në 1993. 25 vite, nis e plaket. Jemi futur me linjat e reja. Në momentin që kam marrë një rrjet të lodhur nis e rehabilitoj, investoj që të furnizoj normalisht me energji.”- sqaron Lika.

Sipas tij, projekti i përshkallëzuar ka prioritet si fillim zonat urbane, mandej ato rurale dhe rurale të thella për arsye të përqindjes më të madhe të abonentëve dhe kthimin më të shpejtë ekonomik të investimit.

OSHEE ishte zotuar tek Enti Rregullator i Energjisë, që kushtet detyruese të vendosura do t’i plotësonte në shtator të 2019-ës. Por Enti ka vendosur që të shtyjë afatin për ta ndihmuar shoqërinë.

ERE do ta justifikonte shtyrjen e afatit me argumentimin se “Përfaqësuesit e OSHEE sh.a., në mbledhjen e bordit dhanë shpjegime të zgjeruara në lidhje me masat e marra, por dhe rezultatet e ardhura si rrjedhojë e këtyre masave sa i përket rritjes së cilësisë së shërbimit, uljes së numrit të ndërprerjeve, uljen e kohës mesatare të ndërprerjeve për klientë, në masën 50 % krahasuar me 5-vjeçarin e kaluar” .

Referuar planit të OSHEE në mesitin e 2019-ës, ishin të paktën 69 projekte që pezullohen krahasuar me planin fillestar të OSHEE. Në vlerë, këto projekte të ngrira janë 2.8 miliardë lekë, duke nisur nga ndërhyrjet në nënstacione me 572 milionë lekë tek investimet prioritare në rrjetin e tensionit të ulët tek linjat ABC me vlerë 603 milionë lekë.

RAPORT I AUDITUESIT TË PAVARUR

Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në ekstraktin e shoqërisë OSHEE me NIPT: K72410014H raporti më i fundit i auditit të pavaruar është ngaruar si dokument më 31/01/2019 dhe mban datën 21.12.2018 për vitin financiar 2017-të.

Audituesi i pavarur në Opinionin e tij të cilin e cilëson si Opinion me Rezervë, shkruan se “shoqëria nuk ka kryer verifikimin dhe inventarizimin fizik të Aktiveve Afatgjata Materiale (AAM) më 31 dhjetor 2017, nuk ka arritur të marrë titujt e pronësisë për pronat e paluajtshme që ka në përdorim. Për shkak të volumit të lartë të AAM grupi i Auditituesve Ligjorë nuk është në gjendje që nëpërmjet procedurave alternative të auditimit të sigurohet për ekzistencën dhe plotësinë e Aktiveve Afatgjata Materiale neto më 31 dhjetor 2017 dhe shpenzimet për amortizimin për vitin që mbyllet me 31 dhjetor 2017.”

Raporti bën me dije se shoqëria më 31 dhjetor 2017 ka një humbje të akumuluar në masën 69 milion e 292 mijë Lekë dhe kapital negativ në masën 33 milion e 212 mijë leke, ngjarje të cilat tregojnë që vlera e rikuperushme e aktiveve të saj mund të jetë më e vogël se vlera e tyre kontabël.

Më 31 dhjetor 2017, vijon raporti, shoqëria nuk ka llogaritur vlerën e rikuperueshme të këtyre aktiveve dhe humbjen e mundshme që mund të lindë, praktikë e cila nuk është në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar. Shoqëria nuk ka njohur tatimet e shtyra që lindin si pasojë e diferencës midis vlerës kontabël dhe bazës së tatueshme të aktiveve afatgjata materiale, praktikë e cila nuk është në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar.

Shoqëria regjistron të dhënat analitike në sistemin e "faturimit dhe arketimit mbi bazë të faturimeve dhe pagesave në nivel kontrate, ndërsa në sistemin e kontabilitetit ("SAP") të dhënat regjistrohen në mënyrë të përmbledhur manualisht. Shuma e kërkesave për arkëtim nga klientët sipas sistemit të kontabilitetit në datën 31 Dhjetor 2017 është 1 mln e169 mijë lekë (2016: 2 mln e 571 mijë lekë) më shumë se të dhënat sipas sistemit të "faturimit dhe arkëtimit billing". Krahasur me vitin 2016 shoqëria ka një përmirësim të dukshëm të identifikimit të diferencave.

Për vitin 2017 nuk ka diferenca ndërmjet billing dhe kontabilitetit.

“Për shkak të natyrës së sistemeve të kompanisë, ne nuk ishim në gjëndje të siguronim evidencë të mjaftueshme dhe të përshtatshme auditimi për të verifikuar plotësinë, ekzistencën dhe vlerësimin e kërkesave për arkëtim nga klientët as edhe me metoda alternative, llogarive përkatëse të pasqyrës së fitimit ose humbjes, dhe pasqyrën e flukseve monetare dhe për vitin që mbyllet me 31dhjetor 2017.”- citon raporti.

Po ashtu sipas auditit të pavarur, shoqëria nuk ka mundur të rakordojë me furnitorët e saj për shumat e pagueshme ndaj tyre më 31 Dhjetor 2017. Gjithashtu procedurat e konfirmimit dhe procedurat alternative të kryera nga audituesit nuk kanë qënë të mjaftueshme për t'u siguruar mbi plotësinë e gjendjes së furnitorëve me 31 dhjetor 2017, më poshtë paraqiten diferencat për dy furnitorë:

• Gen I Tirana Sh.P.K. është paraqitur më pak në llogaritë e pagueshme për një vlerë 43,517 mijë lekë;

• EFT Energy Financing Team është paraqitur më pak në llogarite e pagueshme per një vlerë 852,593 mijë lekë. Çështja për furnitorin EFT Energy Financing Team është në arbitrazhin ndërkomëtar sipas shkreses Nr. 19064 date 3 gusht 2017;

Bazuar në informacionin e vënë në dispozicion, citon raporti i auditit të pavarur, ne nuk ishim në gjëndje të percaktonim nëse korrigjimet do të ishin të nevojshme në vlerën e llogarive të pagueshme, llogaritë përkatëse të pasqyrës së fitimit ose humbjes, dhe pasqyrën e flukseve monetare më dhe për vitin që mbyllet me 31 dhjetor 2017.

Ne, thotë raporti, kemi kryer auditimin tonë në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit (SNA-të). Ne besojmë se evidenca e auditimit që kemi marrë është e mjaftueshme dhe e përshtatshme për të siguruar një bazë për opinion.

Pasiguri materiale që lidhen me vijimesinë e shoqërisë

Pasqyrat Financiare janë përgatitur duke supozuar se shoqëria do të vazhdojë në vijimësi. Ne tërheqim vemendjen se shoqëria ka humbje të mbartura 69 mln e 292 mijë Lek më 31 Dhjetor 2017 (2016: 88 mln e 770 mijë Lek) dhe një kapital negativ prej 33 mln 212 mijë leke (2016:35 mln e 537mije Lek). Zbatimi i parimit të vijimësise së aktivitetit në të ardhmen është në varësi nga mbështetja e vazhdueshme nga palët e lidhura. Aftësia e shoqërisë për të vazhduar aktivitetin e saj varet nga mbështetja financiare e aksionerit kryesor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë