Një nga historitë më të çuditshme të Botërorit “Rusi 2018” vjen nga Irani, që duket se ka humbur yllin e ekipit, sulmuesin Serdar Azmoun. Nuk është dëmtuar edhe as skualifikuar, por ka vendosur të tërhiqet nga kombëtarja, sepse nëna e tij është bërë keq, për shkak të kritikave të shumta ndaj djalit të saj, pas eliminimit nga Botërori.
Ishte një eliminim me kokën lart ai i Iranit, që zuri vendin e tretë në Grupin B, pas Spanjës dhe Portugalisë. Mundi Marokun, barazoi me Portugalinë dhe u mund minimalisht nga Spanja, megjithatë, kritikat nuk kanë munguar, madje shumë prej tyre kanë qenë të ashpra dhe veçanërisht ndaj yllit të skuadrës, Sardar Azmoun, i cili luan me Rubin Kazan në Rusi.
Për këtë arsye, në moshën 23-vjeçare, ai që e kanë pagëzuar “Mesi i Iranit”, ka vendosur të tërhiqet nga kombëtarja, duke vënë familjen në vend të parë, më saktësisht nënën e tij. “Duhet të bëj një zgjedhje dhe ajo është familja. Isha i lumtur në këtë periudhë, sepse nëna ime po mposhtte një sëmundje të rëndë, por kritikat që unë dhe shokët e mi morëm pas eliminimit nga Botërori, ia shkatërruan sërish shëndetin. Ky është një vendim shumë i vështirë për mua, sepse kam bërë shumë sakrifica për të luajtur me Iranin”, – shkruante Azmoun në Instagram.
Azmoun ka shkëlqyer në kampionatin rus, por në tri ndeshjet me Iranin në fazën me grupe, nuk arriti ta gjente rrugën e rrjetës, ndaj dhe është kritikuar më shumë se të tjerët. Është shumë i ri në moshë dhe ndoshta do ta rishohë vendimin për të lënë kombëtaren që tani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.