Ekonomi

Krijohet Bursa e Parë e Energjisë në vend

Shqipëria do të ketë një Bursë të Energjisë Elektrike. Këtë e ka vendosur qeveria me anë të një vendimi ditën e djeshme.

Bursa, ka sqaruar sot Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë do të funskionojë si instrumenti më i rëndësishëm i këtij tregu, do të operojë dhe do të organizohet në bazë të një platforme elektronike të tregut të ditës në avancë (day-ahead) dhe të tregut të së njëjtës ditë (intraday).

“Krijimi i Bursës Shqiptare të Energjisë shënon një standard të ri të operimit dhe transparencës së këtij sektori dhe do të jetë një nxitje për hapjen dhe derregullimin e tregut të energjisë elektrike. Që në vetvete do të inkurajojë instalimin e burimeve të reja elektroenergjitike në vend, rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike, integrimin rajonal dhe më gjerë të këtij tregu. Gjithashtu do të ndikojë në rritjen e investimeve në sektor, më shumë transparencë financiare, si dhe standarde të reja përgjegjësie juridike dhe tregtare.” –tha gjatë daljes publike Balluku.

Operatori i Tregut (Bursa Shqiptare e Energjisë), do të operojë në fushën e shkëmbimit të energjisë elektrike në Shqipëri në formën e një shoqërie aksionare, të ndarë financiarisht dhe ligjërisht nga shoqëria "Operatori i Sistemit të Transmetimit" Sh.a.

Ky operator ka për synim mbulimin rajonal të tregtisë së energjisë elektrike dhe mirëpret pjesëmarrje në kapital të atyre operatorëve të sistemit të transmetimit të vendeve me të cilat Shqipëria ka Memorandume Mirëkuptimi dhe aktivitet tregtar të qëndrueshëm në këtë sektor. Kjo qasje reflektohet edhe në kriteret e vendosura për përzgjedhjen e aksionerëve të mundshëm.

Sipas këtij vendimi, shoqëria e cila do të operojë bursën e energjisë do të themelohet nga OST. Menjëherë me krijimin e saj, bazuar në kritere e procedura të cilat do të garantojnë që në fillim seriozitetin dhe shëndetin e Bursës Shqiptare të Energjisë, do të fillojë edhe procesi i pjesëmarrjes në bursë në cilësinë e aksionerëve, edhe institucioneve financiare ndërkombëtare e më gjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë