Politike

Kreu i KLSH, mazhoranca shqyrton dekretin e presidentit

Dekreti i presidentit Ilir Meta për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit pritet të diskutohet sot në Komisionin parlamentar të Ekonomisë. Në ora 15:00, komisioni shqyrtoi dekretin e Presidentin nr. 10929, i lëshuar më datë 05.11.2018 për propozimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Për këtë post të rëndësishëm është propozuar anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushaj. Me këtë dekret presidenti argumentonte se presidenti e propozoi Tushajn nisur nga fakti se anëtarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese e kishte kaluar me sukses procesin e Vettingu-t.
“Presidenti i Republikës, vlerëson se znj. Vitore Tusha, aktualisht anëtare në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, së cilës i ka mbaruar mandati në këtë funksion që prej datës 10 mars 2017, gëzon një integritet të lartë moral dhe profesional, e konfirmuar edhe në rrugë institucionale, pasi si subjekt i ligjit nr.84/2016, ajo është konfirmuar në detyrë dhe ka kaluar me sukses dhe me vendim të formës së prerë, procesin e rivlerësimit kalimtar (Vettingun), për të gjithë komponentët e këtij procesi, duke krijuar bindjen se kandidatura e saj është e denjë për t’u zgjedhur si Kryetar i Kontrollit ë Lartë të Shtetit. Duke zgjedhur një kandidaturë si znj. Tusha larg çdo angazhimi partiak në të kaluarën, Presidenti beson se kontribuon për garantimin e pavarësisë së këtij institucioni shumë të rëndësishëm kushtetues”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Gjatë fjalës së saj kandidatja Vitore Tusha tha se “bashkëpunimi me Prokurorinë dhe institucionet e tjera të drejtësisë do të jetë prioritet. KLSH do të përmirësojë metodat audituese. Ndërsa komunikimi me Kuvendin është i një rëndësie të veçantë”, – tha ajo.
Kryetari i Komisionit, socialisti Erion Braçe, tha pas fjalës së kandidates Tusha, se ky Komision do të hartojë një raport të cilin më pas do ta depozitojë në Kuvend.

Mazhoranca tani do t’i duhet të vendosë nëse do ta pranojë këtë propozim që doli si dekret në kulmin e përplasjes mes Kryeministrit dhe Presidentit sa i përket propozimit për emërimin e Sandër Lleshaj në postin e ministrit të Brendshëm. Tërheqja e Metës, i cili pranoi vetëm herën e dytë që ta dekretonte Lleshajn në postin e ministrit të Brendshëm, u komentua si një mundësi për një kompromis ku mazhoranca në këmbim mund të pranonte të votonte Tushajn në krye të KLSH-së.


Kjo u pasua si bindje dhe me faktin se para firmosje së dekretit të Lleshajt, presidentin Meta pati një takim rreth 60 minutash me kryeparlamentarin Ruçi në lokalin e hotel Tiranës.
Por kryeministri Edi Rama duke vlerësuar kandidaturën e propozuar, la të nëkuptojë se nuk mund ta sakrifikonte Reformën në Drejtësi për Tushajn.

Por i pyetur nëse mazhoranca do t'i japë votën në Kuvend, Rama tha se nëse emërimi i anëtares e Gjykatës Kushtetuese vë në diskutim Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, nuk do sakrifikojnë Reformën në Drejtësi. Tushaj është anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
“Vitore Tusha gëzon të gjithë respektin tim. Ajo është një zonjë që ka qenë për vite të tëra në këtë detyrë. Ajo gëzon respekt sepse ka kaluar Vetitngun. Unë nuk di historitë e të kaluarës me Nanon, por di që ne do të diskutojmë një fakt tjetër. Emërimi zonjës si kryetare e Kontrollit të Lartë të Shtetit mund të vërë në pikëpyetje Reformën në Drejtësi. Kjo ka dalë e pastër nga Vettingu dhe mund të jetë potencial për KED. Ky është një diskutim për tu bërë. Si kandidaturë nuk mund të thuash se është e dyshimtë. Edhe pse në KLSH ka pasur në detyrë një ekonomist dhe kjo nuk e ka këtë eksperiencë. Ne sot e kemi kreun e KLSH dhe largimi saj nga Gjykata Kushtetuese mund ta rrezikojë reformën në drejtësi. Nëse nuk sakrifikohet reforma në drejtësi e ka mbështetjen time. Nuk besoj se presidenti e ka propozuar për të dëmtuar reformën në drejtësi”, do të shprehej kryeministri Rama në një intervistë televizive.
Ndërsa akuzave të dala në mënyrë jo direkte nga mazhoranca se Meta po synon që me Tushajn të dëmtojë reformën, presidenti i cilësoi si të pavërteta, pasi theksoi se Tushaj po qëndron në detyrë pasi edhe pse i ka mbaruar mandati. Më tej ai do të theksonte se askush nuk e ka penguar ngritjen e Këshillin të Emërimeve në Drejtësi.

Nëse rrëzohet kandidatura e Tushajt, Presidenti ka gati një listë me 37 të përzgjedhur si të kualifikuar për kreun e KLSH-së. Në mes tyre janë edhe emrat deputetit të PS-së, Anastas Angjeli dhe të ish-ministrit të Financave socialistit Shkëlqim Cani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë