Politike

Kreu i Bashkisë së Mallakastrës i dënuar për sherr në Greqi, por nuk e ka deklaruar te dekriminalizimi

Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj rezulton person i dënuar me tre vite burg nga drejtësia greke, fakt që nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Dënimi është pohuar përmes një shkrese që Prokuroria e Përgjithshme i ka kthyer KQZ-së pas kërkesës së këtij të fundit për informacion shtesë.

Sipas përgjigjes së prokurorisë, Ismailaj rezulton i dënuar në vitin 2000 me vendim të formës së prerë nga gjykata e Kiosit me tre vite burg për konflikt dhe përleshje, e barazvlefshme me veprën penale “dëmtime të tjera me dashje” të parashikuar në Kodin Penal të Shqipërisë, që parashikon dënimin vetëm me gjobë.

Prokuroria e Përgjithshme u vu në lëvizje me kërkesë të KQZ-së dhe Partisë Demokratike, që në janar 2020 hodhi akuza se Qerimaj është dënuar në Greqi dhe e ka fshehur këtë dënim nga formulari i dekriminalizimit para se të zgjidhej kryetar Bashkie i Mallakastrës në zgjedhjet vendore të bojkotuara nga opozita në 2019-ën.

Kryebashkiaku i Mallakastrës ka mohuar që të ketë qenë i dënuar, por ka deklaruar se ka lëvizur disa në herë në drejtim të shtetit grek. Ai ka pohuar se ka jetuar në Mitilini të Greqisë gjatë periudhës 1998-1999.

Më pas ai është kthyer në Shqipëri, ku ka nisur punë si mësues në shkollën 8-vjeçare në Çorrush të Mallakastrës dhe më vonë ka punuar si Sekretar i Këshillit të Qarkut në Fier. Ai ka qenë edhe kryetari i ish-Komunës Kutë në Mallakastër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë