Drejtësia

Akuzohet për falsifikim dokumentesh, SPAK merr të pandehur kryebashkiakun e Mallakastrës

Kreu i Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj, është marrë i pandehur nga SPAK, i dyshuar për ”falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve”.

Pas përfundimit të hetimeve, dosja ndaj Qerimajt është dërguar për gjykim në GJKKO.

“Në kuadër të këtij procedimi penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe në përfundim është konkluduar se shtetasi Qerim Ismailaj, ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 190, paragrafi i parë i Kodit Penal, e për rrjedhojë, i është komunikuar akuza, është marrë me cilësinë e të pandehurit dhe janë përfunduar hetimet”, - thuhet në njoftimin e SPAK për mediat.

Ishte Partia Demokratike ajo që denoncoi Ismailajn për fshehje të një dënimi 3 vjeçar në Greqi. KQZ nuk pranoi t’i hiqte mandatin, por PD nuk u dorëzua dhe e paditi në SPAK.

Prokuroria nisi hetimet vitin e kaluar me pretendimin se kreu i Bashkisë Mallakastër ka qenë i dënuar për plagosje me dashje në një ngjarje të ndodhur në shkurt të vitit 2000.

Ismailaj, i dalë kryebashkiak nga zgjedhjet e 30 qershorit 2019 nën siglën e Partisë Socialist, u akuzua nga PD përmes Sekretarit të saj të Përgjithshëm, Gazment Bardhi se ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit, pasi ka qenë i dënuar në shtetin fqinj.

Vetë Ismailaj ka deklaruar se nuk kishte dijeni lidhur me këtë dënim, pasi në të kundërt do e kishte deklaruar, sepse nuk do ta pengonte të kandidonte për kryebashkiak.

PD argumentoi në kërkesën e saj se kryebshkiaku nuk mund të qëndrojë në detyrë për shkak se nuk ka integritetin e duhur për të ushtruar funksione publike.

Megjithatë, për KQZ-në, kjo nuk përbënte një vepër penale të rëndë, ku në legjislacionin shqiptar dënohet maksimumi me gjobë, ndaj kryebashkiaku nuk ndodhet në kushtet e ndalimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë