Treg

Kreu i AMF-së sugjeron që kompanitë shtetërore të futen të parat në bursën e kapitalit

Drejtori i AMF-së, Ervin Mete sugjeroi që kompanitë shtetërore të jenë të parat që të listohen në bursën kapitale. “Emetimi prej tyre i obligacioneve me ofertë publike do të ishte një shembull i mirë për emetuesit e tjerë korporatave”, tha Mete duke shtuar se ka hapësirë përtej titujve.

Kreu i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare theksoi se, zhvillimet gjeopolitike kanë rritur nevojën për likuditet dhe akses në kapital, duke e bërë edhe më të rëndësishëm ekzistencën e një tregu të zhvilluar kapitalesh, mirë-funksionues, eficient dhe të mirë-rregulluar.

Konferenca për diversifikimin e sistemit financiar, Drejtori i AMF: Të shfrytëzojmë potencialin e tregjeve të kapitalit, në funksion të zhvillimit ekonomik

“Një treg i zhvilluar ofron më shumë mundësi investimi si dhe alternativa të reja financimi. Përmes kanalizimit të kursimeve drejt sektorëve produktivë dhe novativë këto tregje nxisin zhvillimin e biznesit dhe rrjedhimisht shoqërohen me përfitime që shtrihen në të gjithë ekonominë”, tha Mete.

Ndër të tjera ai tha se me lëvizjen e lirë të kapitalit dhe ndërveprimin me tregjet e huaja, tregu shqiptar i kapitaleve mund dhe duhet të bëhet tërheqës edhe për investime në tituj nga investitorë jashtë vendit, përfshirë këtu edhe thithjen e investimeve nga diaspora shqiptare.

Gjithashtu, në anën e kërkesës, zhvillimi i mëtejshëm i investitorëve institucionalë, si fondet e investimit, fondet e pensioneve apo kompanitë e sigurimit do t’i jepnin më shumë hov zhvillimit të tregut. Në përfundim, Mete tha se në vijim do të diskutohet se si arrihet më shpejt dhe më mirë zhvillimin e dëshiruar të tregjeve të kapitalit në Shqipëri.

Në konferencën e quajtuar “Diversifikimi i sistemit financiar përmes reformave të tregut të kapitaleve”, ishte, Michael Edwards, Këshilltar i lartë për sektorin financiar pranë Bankës Botërore. Delina Ibrahimaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko.

Fjalën e pati dhe Guvernatori Sejko, i cili vlerësoi se veprimtaria e sektorit bankar në vend paraqitet e qëndrueshme dhe me tregues mjaft të mirë të performancës dhe të rezistencës financiare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë