Politike

KQZ nuk gjen më shumë vota se votues. Spiropali: Ra alibia e opozitës. PD: Farsë

Akuzat se në zgjedhjet e 30 qershorit kutitë u mbushën fiktivisht nga ana e komisionerëve të Partisë Socialiste u rrëzuan, të paktën pjesërisht. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u panë këtë të premte skenat e tetë viteve më parë, kur hapeshin kutitë dhe prej andej nxirreshin fletët e votimit.

Këtë herë me përbërje tjetër dhe për të tjera arsye, KQZ vendosi që të hapë 11 kuti nga votimi i 30 qershorit për Bashkinë e Lezhës. Kërkesa ishte e Partisë Konservatore Albania, nën siglën e të cilës kandidonte në këtë qytet ish-deputeti Eduard Ndocaj.

Nga hapja e kutive nuk rezultoi asnjë mospërputhje mes asaj se çfarë ishte deklaruar në procesverbal nga ana e komisionerëve të qendrave të votimit dhe numrit të fletëve të votimit të nxjerra prej këtyre kutive. Dy gabime të vogla u gjetën, që përfaqësuesit e KQZ-së i cilësuan si “njerëzore” dhe në të dyja ato vota ishte shënuar gabimisht për Eduard Ndocajn.

Ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali e vlerësoi këtë gjetje të KQZ-së si rrëzim të alibisë së opozitës dhe vërtetim se 30 qershori ishte një proces perfekt.

“Për fat të mirë, sot, alibia e ngritur për parregullsitë e regjistruara në 30 qershor ka marrë një goditje përfundimtare. Prova më e mirë që nxjerr në dritë mashtrimin e Bashës është rinumërimi i 11 kutive në Lezhë. Janë 11 kuti që u rihapën për shkak të ankesave të subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhje dhe rezultatet tregojnë qartësisht se nuk ka pasur asnjë parregullsi. Në 10 prej kutive, janë ekzaktësisht të njëjtat vota që janë regjistruar edhe në tabelën përfundimtare të KQZ. Në vetëm njërën prej kutive, figuruan tre vota të ngatërruara, por asnjë prej atyre votave nuk ka shkuar në favor të kandidatit të Partisë Socialiste. Janë tre vota, që janë ngatërruar midis kandidatëve Ndocaj dhe Kacaj, pa asnjë ndikim në rezultatin përfundimtar”, tha Spiropali.

Ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali

Por kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri e cilësoi të gjithë procesin e hapjes së kutive një farsë për të bindur qytetarët se më 30 qershor nuk pati më shumë vota se votues. Ai shprehu habinë sesi partia që kishte dorëzuar ankesën në kërkesën e saj nuk ishte e interesuar që të vihej në dijeni të listës së zgjedhësve.

“Në përfundim të këtij procesi vë re, në fakt me dhimbje që subjektet zgjedhore, të drejtën e tyre ligjore për të ankimuar e kanë kthyer në një fares. Nëse ka pretendim se ka vota më shumë se zgjedhës minimumi është lista e zgjedhësve. O Zot! Si një ankimues nuk thotë do të shikohen listat e votuesve Pretendimi është tjetër dhe listat s’i përmend njeri. Unë kthehem shumë vite më parë te Migjeni, listat e zgjedhësve qënkan “mollë e ndalueme”. Këtë e them me shumë dhimbje”, deklaroi ai.

Vënia në dispozicion e listave të zgjedhësve, në këtë rast për 11 qendrat e votimit, do t’i mundësonte palës ankuese që të krahasonte numrin e fletëve të gjetura në kuti me numrin e zgjedhësve në total. Por, nga partia Konservatore lista e zgjedhësve nuk është kërkuar.

Anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi tha se listat arkivohen në Arkivin e Shtetit dhe secili subjekt mund të kërkojë që t’u vihen në dispozicion sapo të arkivohen.

Pas 30 qershorit, përplasja politike mes mazhorancës dhe opozitës devijoi tek niveli i pjesëmarrjes në to. Kryeministri Edi Rama e vlerësoi si një test të kaluar me sukses nga socialistët, si pjesëmarrjen, ashtu edhe rezultatin, ndërsa nga opozita akuzuan për mbushje fiktive të fletëve të votimit.

Një ankesë të ngjashme si Partia Konservatore Albania dorëzoi edhe Bindja Demokratike, por për Bashkinë e Kurbinit. Kërkesa e BD-së u rrëzua nga KQZ. Kjo parti iu drejtua Kolegjit Zgjedhor për të rrëzuar vendimin e KQZ-së.

PD: S’kundërshtojmë numërimin, por mbushjen e kutive

Hapja e 11 kutive në Bashkinë e Lezhës për llogari të Partisë Konservatore ishte edhe një përgjigje e tërthortë me anë të së cilës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nënkupton rrëzimin e kërkesës së Partisë Demokratike për hapje kutish dhe vënie në dispozicion të materialeve të tjera nga procesi zgjedhor, përfshirë listën e zgjedhësve.

Por, për PD hapja e kutive të votimit pa hapur kutinë e materialeve ku gjendet lista e zgjedhësve është një akt qesharak dhe farsë e organizuar dhe urdhëruar nga Edi Rama.

“Sipas farsës së urdhëruar nga Edi Rama dhe të paralajmëruar nga Partia Demokratike, KQZ-ja hapi disa kuti, për numërimin e të cilave nuk ka patur asnjëherë kontestim nga opozita. Shfaqja është një sajesë e trashë për të mbuluar manipulimin me shifrat e pjesëmarrjes në votimet moniste të 30 Qershorit. Për të fshehur këtë manipulim, KQZ-ja refuzon të hapë kutinë e materialeve zgjedhore, kur gjendet lista e votuesve”, deklaroi Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso.

Opozita thotë se nuk ka kontestuar procesin e numërimit, por mbushjen e kutive për rritjen e pjesëmarrjes, që verifikohet nga hapja e kutisë së materialeve zgjedhore.

“Duke mos hapur kutinë e materialeve zgjedhore, Komisioni Qendror i Vjedhjeve eliminon mundësinë e vetme për të krahasuar votat e gjetura në kutitë e hapura me listën e votuesve në kutinë e materialeve, e cila mbahet qëllimisht mbyllur. 4 kamikazët e Ramës në KQZ e refuzuan transaprencën, e refuzuan kërkesën e Kryetarit të KQZ-së për të verifikuar listat. Atyre u duhet shoë dhe jo transparencë. U duhet bindje ndaj urdhrit politik dhe jo ndaj ligjit”, shtoi Kaso.

Pavarësisht se nuk mori pjesë në këto zgjedhje, PD thotë se KQZ ka detyrim ligjor që t’i vendosë opozitës në dispozicion materialet zgjedhore. “Publikimi i tyre do të hedhë dritë mbi çdo aspekt të farsës zgjedhore të 30 Qershorit, që deri tani është mbajtur sekret”, vijoi Sekretari demokrat për Çështjet Zgjedhore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë