Zgjedhjet Lokale 2019

Sa ligjore është kërkesa e opozitës për hapje kutish? Flasin ekspertët

Partia Demokratike dhe shtatë partitë e aleate i janë drejtuar zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të pasur në dorëzim disa prej materialeve zgjedhore, të cilat përfshijnë edhe kamerat në KZAZ dhe në Grupet e Numërimit të Votave. Partitë e opozitës, që nuk morën pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, e kanë bazuar këtë të drejtë në dy ligje dhe për këtë i kërkojnë KQZ-së që brenda një afati dhjetëditor t’i kthejë përgjigje me shkrim.

“Në mbrojtje të interesit publik që qëndron në themel të partive tona politike; Në mbështetje të neneve 4, 5, 6 e vijuese të Kodit të Procedurave Administrative, neneve 3 dhe 11 të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, si dhe Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, që nuk i trajton dokumentet e procesit zgjedhor si “sekret shtetëror” dhe transparencën e ka element kyç për një proces të rregullt zgjedhor kërkojmë të na vendosen në dispozicion, në kohë sa më të shpejtë të mundshme, por jo më vonë se afati ligjor 10 ditor, dokumentacioni dhe materialet zgjedhore”, thuhet në shkresën që opozita i ka dërguar zyrtarisht KQZ-së.
Deri më tani KQZ-ja nuk ka ndërmarrë asnjë hap në lidhje me këtë kërkesë zyrtare që i është paraqitur, pavarësisht se ka detyrimin ligjor që t’i përgjigjet deri më 18 korrik.
Në lidhje me këtë kërkesë, Gazeta “Si” kontaktoi me ish-kryetarin e KQZ-së, Kristaq Kume për t’i marrë një qëndrim nëse këto kërkesa mund të jepen dhe nëse përbëjnë një shkelje të ligjeve. Për profesor Kumen këto kërkesa të paraqitura nga PD-ja janë të bazuar në ligjin “Për të drejtën e Informimit” dhe për sa kohë ato që nuk përbëjnë sekret hetimor nuk ka pse KQZ-ja të mos i vërë në dispozicion.

Ish-kreu i KQZ, Kristaq Kume


“Nëse PD-ja do të kërkonte listën e nënshkrimeve të zgjedhësve që kanë votuar më 30 qershor, kjo nuk mund të pranohej, pasi përbën një shkelje të sekretit. Nëse kërkojnë kopje të listave zgjedhore të printuara për çdo QV ato nuk përbëjnë sekret hetimor”, thekson Kume për Gazetën “Si”.
Sipas ish-kreut të KQZ-së, gjashtë kërkesat e paraqitur nga opozita janë të pranueshme si vënia në dispozicion të “Kopjes së printuara të listave zgjedhore për çdo qendër votimi; Kopje e vërtetuar e Tabelës Përmbledhëse të rezultatit për zonën zgjedhore nga KQZ-ja;Kopje të vërtetuara të Tabelave Përmbledhëse të rezultateve zgjedhore për çdo njësi të qeverisjes vendore nga KZAZ-ja; Kopje të vërtetuara të tabelave të rezultateve për çdo qendër votimi nga grupet e numërimit. Kopje të vërtetuara të procesverbaleve tip për mbylljen e votimit për qendër votimi; Kopje të vërtetuara të listës së anëtarëve të administratës zgjedhore, të emëruar kryesisht nga KQZ dhe KZAZ përkatëse, duke specifikuar për secilin administratën zgjedhore në të cilën ai bën pjesë, sipas regjistrit të administrimit zgjedhor që mban KQZ-ja, për çdo qendër votimi, KZAZ dhe Grup Numërimi”.

Ish-anëtari i KQZ-së, Artan Lazaj në lidhje me kërkesën e opozitës, shprehet për Gazetën “Si” se kjo duhet parë nëse ajo është regjistruar ose jo pranë institucionit që merret me administrimin e procesit zgjedhor.
“Gjithsesi, për t’u ankuar dhe për të kërkuar gjithë ato çfarë kërkon, duhet të jesh subjekt zgjedhor. Po të jesh regjistruar si i tillë, unë do të jepja votën pro kërkesave të tilla se jam me sloganin: Dua të shoh votën time”, shprehet Lazaj.

Ish-anëtari i KQZ-së, Artan Lazaj


Ish-kryekomisioneri Kume shprehet se “KQZ mund të gjejë çfarëdolloj argumenti kundër opozitës, por për sa kohë kërkesa bazohet te ligji “Për të drejtën e informimit”, nuk mund të pengohet”. “Të drejtën për të marrë informacionin e ka kushdo. Për sa kohë të gjitha ato që kërkon opozita botohen në Buletinin Zyrtar të KQZ-së, mjaft të zgjeruar, nuk ka pse të mos jepen”, thekson Kume për Gazetë “Si”.
Sa i përket marrjes së CD-ve filmike të kërkuara për KZAZ dhe në momentin e Grupeve të Numërimit të Votave, Kume thekson se “duke pasur parasysh kushtet dhe rrethanat që kanë shoqëruar procesin e 30 qershorit, është e vështirë që të kesh në këtë kohë përgjigjen që kërkohet”.

Tetë kërkesat e opozitës në adresë të KQZ-së
Kopje të printuara të listave zgjedhore për çdo qendër votimi.
Kopje e vërtetuar e Tabelës Përmbledhëse të rezultatit për zonën zgjedhore nga KQZ-ja.
Kopje të vërtetuara të Tabelave Përmbledhëse të rezultateve zgjedhore për çdo njësi të qeverisjes vendore nga KZAZ-ja.
Kopje të vërtetuara të tabelave të rezultateve për çdo qendër votimi nga grupet e numërimit.
Kopje të vërtetuara të procesverbaleve tip për mbylljen e votimit për qendër votimi.
Kopje të vërtetuara të listës së anëtarëve të administratës zgjedhore, të emëruar kryesisht nga KQZ dhe KZAZ përkatëse, duke specifikuar për secilin administratën zgjedhore në të cilën ai bën pjesë, sipas regjistrit të administrimit zgjedhor që mban KQZ-ja, për çdo qendër votimi, KZAZ dhe Grup Numërimi.
Kopje të regjistrimit të kamerave të të gjitha tavolinave të numërimit në çdo Grup të Numërimit të Votave.
Kopje të regjistrimit të kamerave të ambienteve të brendshme të KZAZ-ve.

Më Shumë