Analize

Kostot e padukshme të ‘Fortesës Europë’

Nga Hafed El-Ghuell* - Qasja e Evropës ndaj menaxhimit të migracionit, ka qenë prej kohësh e bazuar në një akt balancues shumë delikat, që synon të mbështesë vlerat aq shumë të dashura në kontinentit të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, por duke siguruar njëkohësisht edhe kufijtë e saj kundër emigrantëve të paligjshëm.

E megjithatë, strategjitë e përdorura për t’i arritur këto synime, kanë nxjerrë gjithnjë e më shumë në pah një paradoks që gjendet në zemër të politikës evropiane. Në marrëdhëniet me Magrebin në veçanti, një rajon vendimtar për Evropën për shkak të afërsisë gjeografike, dhe rolit të tij si një zonë tranziti për emigrantët që shkojnë drejt kontinentit, Bashkimi Evropian e gjen veten në një situatë problematike.

Problemi lind kryesisht nga mbështetja e Evropës, tek marrëveshjet me udhëheqësit autoritarë në vendet që shërbejnë si trampolinë për të frenuar flukset e emigrantëve. Kjo taktikë, po rrezikon të forcojë sundimin autoritar dhe të komprometojë idealet demokratike që blloku pretendon se mishëron.

Thelbi i kësaj narrative, varet nga pranimi i ndërveprimit kompleks midis dëshirës së evropianëve për siguri dhe angazhimit të supozuar të tyre për promovimin e demokracisë. Angazhimet e Evropës në Magreb dhe potencialisht edhe më gjerë, e ilustrojnë më së miri këtë dilemë.

Edhe analiza më e përciptë e strategjive të Brukselit, mbi harmonizimin e politikave të shumëllojshme evropiane ndaj Afrikës së Veriut, zbulon se blloku ka bërë shpesh lëshime të rëndësishme financiare dhe politike ndaj regjimeve autoritare, në përpjekje për të forcuar kapacitetet e atyre regjimeve me synim menaxhimin e flukseve të migracionit, duke vepruar kësisoj si një roje e “Fortesës Europë”.

Ndërsa efektet e menjëhershme të politikave të tilla, mund të duken si të dobishme për BE-në sa i përket shqetësimeve të saj mbi migracionin, pasojat afatmesme deri në ato afatgjata zbulojnë një mori “kostosh të padukshme”.

Këto të fundit, jo vetëm që dëmtojnë vlerat themelore të BE-së, por e çimentojnë destabilitetin dhe vuajtjet njerëzore në ato rajone që ajo synon të stabilizojë. Kjo gjendje e vështirë, nënvizon një realitet të zymtë:në përpjekjen e saj për të kontrolluar emigracionin, Evropa mund të bëhet pa dashje një shuguruese e despotëve të ardhshëm.

Duke derdhur miliarda euro në arkat e udhëheqësve autoritarë, gjoja për menaxhimin e kufijve dhe kontrollin e migracionit, BE-ja po i fuqizon këto regjime, duke u dhënë atyre mjetet dhe legjitimitetin e duhur për të forcuar pozitat e tyre në pushtet.

Sigurimi i mbështetjes së jashtme diplomatike, që shpeshherë është i natyrshëm në këto marrëveshje, i forcon më tej regjimet autoritare, pasi ai perceptohet si një miratim i heshtur i llojit të qeverisjes së tyre. Një nga kostot më të mëdha e të padukshme të një strategjie të tillë, ka qenë shtimi i abuzimeve të të drejtave të njeriut në vendet e origjinës dhe ato të tranzitit.

Autoritetet në këto vende, shpeshherë të fuqizuara nga fondet evropiane, thuhet se po përfshihen në praktika që variojnë nga ndalimet arbitrare, deri tek torturat dhe abuzimet e tjera jashtëgjyqësore të emigrantëve të dëshpëruar.

Shumë ashpër është kritikuar veçanërisht mbështetja e BE-së me Rojet Bregdetare Libiane për lehtësimin e gjurmimit dhe kapjes së emigrantëve në det dhe riatdhesimin e tyre në Libi, ku ata përballen me kushte të tmerrshme në objektet të improvizuara të paraburgimit, në të cilat organizatave humanitare u mohohet shpeshherë qasja.

Ndonëse synon që të kufizojë migrimin e paligjshëm, fakt është se kjo mbështetje ndihmon pa dashje në ruajtjen e një mjedisi abuziv dhe të shkeljeve të mirë-dokumentuara të të drejtave themelore të njeriut, të cilat Europa refuzon vazhdimisht që t’i pengojë.

Një kosto tjetër shumë shqetësuese, është forcimi i regjimeve autoritare, të cilat të mbështetura nga financimi dhe mbështetja politike e Europës, mund të forcojnë më tej fuqinë e tyre. Ndihma financiare dhe teknike që u jepet këtyre qeverive, me synim menaxhimin e flukseve migratore, përfundon shpesh në mbështetje të aparatit të sigurisë që shtyp opozitën dhe zërat kundër regjimit në fuqi, që i dobëson lëvizjet demokratike dhe mbështet rrjetet e patronazhit përjashtuese ndaj çdo lloj alternative.

Një qasje e tillë, mund ta bëjë BE-në bashkëpunëtore në forcimin e praktikave autoritare, si dhe të dëmtojë perspektivat për një qeverisje demokratike në një pjesë të trazuar të botës. Për më tepër, dhënia e fondeve tek regjimet që kanë deficite të dukshme të qeverisjes dhe një mungesë të sundimit të ligjit, bën shumë pak për të trajtuar shkaqet rrënjësore të migrimit, si paqëndrueshmëria ekonomike, nivelet e larta të papunësisë dhe pabarazia sociale.

Në vend të kësaj, fokusi tek sigurimi i kufijve dhe kontrolli i migracionit i redukton investimet që mund të nxisin zhvillimin dhe stabilitetin ekonomik, zvogëlojnë stimujt për migrimin e parregullt dhe që në fund të japin përfitime si për vendet tranzit ashtu edhe ato të destinacionit.

Për më tepër, duke kanalizuar fonde të konsiderueshme drejt regjimeve represive, BE-ja rrezikon të kontribuojë në rënien e mëtejshme ekonomike dhe në fragmentimin social të vendeve tashmë të goditura nga varfëria, pasi qeverisja bëhet më e fokusuar në ruajtjen e pushtetit sesa në promovimin e zhvillimit dhe mirëqenies.

Një aspekt më pak i diskutuar, është miopia e BE-së në raport me skemat e saj të “parave të gatshme për kontrollin e emigrantëve”. Duke njohur dëshpërimin e Brukselit për të frenuar flukset e migracionit, qeveritë e vendeve të origjinës së emigrantëve mund të përdorin kërcënimin e lehtësimit të kontrolleve kufitare, apo edhe t’i nxisin në mënyrë aktive emigrantët drejt Evropës, si një mekanizëm për të arritur marrëveshje, marrjen e ndihmave apo lëshime më të favorshme.

Këto marrëveshje bazohen shpeshherë në premtime të paqarta për të adresuar faktorët shtytës të migrimit, të cilat këto qeveri ose nuk dëshirojnë, ose nuk janë në gjendje t’i trajtojnë në mënyrë kuptimplote për shkak të deficiteve të rrënjosura në qeverisjen e tyre.

Së fundi, është shumë problem mungesa e mekanizmave efektivë për të siguruar që financimi dhe ndihma e BE-së të përdoren sipas synimeve të përcaktuara. Pa masa të rrepta monitorimi, transparence dhe llogaridhënieje, ekziston një rrezik i madh që kjo ndihmë të mos mbërrijë tek objektivat e synuara, qofshin këto programe për zhvillimin ekonomik, ngritjen e kapaciteteve apo mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Përkundrazi, ndihma mund të përfundojë tek financimi i praktikave korruptive, duke pasuruar elitat dhe duke forcuar strukturat e sigurisë të regjimeve shtypëse. Pasojat e strategjisë aktuale të Evropës janë të qarta dhe negative. Së pari, kjo qasje bie ndesh me vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar BE-ja, duke e dobësuar kështu pozitën e saj morale dhe etike, si brenda unionit edhe në skenën ndërkombëtare.

Së dyti, është një taktikë tejet dritëshkurtër. Ndërsa mund të sjellë reduktimin e menjëhershëm të ardhjes së emigrantëve të rinj, ai neglizhon shkaqet rrënjësore të migrimit si konflikti, persekutimi, efektet në rritje të ndryshimeve klimatike dhe pabarazia ekonomike, të cilat thellohen më tej nga një qeverisja autoritariste.

Së fundi, qasja evropiane rrezikon nxitjen e destabilitetit në rajon. Duke mbështetur regjimet autoritare, BE-ja mund t’i destabilizojë pa dashje pikërisht ato qeveri, ose duke forcuar forcat e opozitës ose duke përforcuar ankesat që nxisin zërat kundër qeverisë në fuqi.

Kjo situatë i përballë politikë-bërësit evropianë me një sfidë të madhe morale dhe strategjike. Ndjekja e strategjisë së Evropës Fortesë përmes marrëveshjeve me regjimet autoritare, komprometon jo vetëm vlerat themelore të bllokut, por rrezikon gjithashtu paqëndrueshmërinë afatgjatë në vendet e origjinës dhe tranzitit në Magreb, pikërisht në pragun e Evropës.

Adresimi i kësaj sfide, kërkon një rivlerësim të politikave evropiane të migracionit, me theksin tek opsionet që nuk i sakrifikojnë parimet demokratike për hir të komoditetit. Për më tepër, Evropa duhet të investojë në zgjidhje afatgjata që të adresojnë shkaqet rrënjësore të migrimit, duke nxitur bashkëpunimin dhe zhvillimin dhe jo varësinë dhe autokracinë.

Nga zhvillimi i qasjeve më të qëndrueshme, etike dhe efektive ndaj migracionit do të përfitojë jo vetëm BE-ja, por kjo do të ndihmojë edhe stabilitetin dhe zhvillimin global.

Burimi: Arab News/ Përshtati: Gazeta Si

*Hafed Al-Ghwell është drejtor ekzekutiv i Nismës së Afrikës së Veriut në Institutin e Politikës së Jashtme në Universitetin Xhons Hopkins në Uashington.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë