Ekonomi

Kostot e banesave: Si u përshkallëzua kriza e strehimit në Perëndim

Në vitin 2026, kriza në rritje e strehimit në vendet perëndimore më në fund ka hyrë në agjendën e disa prej qeverive më të pasura në botë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, një ligj historik për të drejtat e qiramarrësve hyri në fuqi në Angli dhe Uells më 1 maj, duke i dhënë fund dëbimeve “pa faj”, në një nga reformat më të mëdha të tregut privat të qirave në dekada.

Në anën tjetër të Kanalit, Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë nisur një shtysë të re për përballueshmërinë e banesave, ndërsa në Uashington Senati i Shteteve të Bashkuara ka avancuar një projektligj të rrallë dypartiak që synon të lehtësojë pengesat për ndërtimin e banesave dhe të rrisë ofertën e banesave të përballueshme.

Ekspertët thonë se mungesa e banesave të përballueshme po bëhet një problem i gjerë në botën perëndimore. Nga Londra në Toronto, nga Berlini në Sidnei, rritja e qirave dhe çmimeve të shtëpive ka tejkaluar rritjen e pagave, duke i lënë blerësit e rinj jashtë tregut të pronësisë dhe duke rritur presionin mbi qeveritë për të vendosur nëse strehimi duhet trajtuar si nevojë bazë apo si aset financiar.

“Në Kanada dhe në disa vende të tjera të Evropës Perëndimore, që nga fillimi i neoliberalizmit në fund të viteve ’70 dhe fillim të viteve ’80, është bërë një shkurtime graduale e shpenzimeve publike për strehimin,” tha Leilana Farha, drejtoreshë globale e organizatës THE SHIFT, një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e fokusuar te strehimi.

“Nëse kishte një krizë përballueshmërie para krizës financiare globale të vitit 2008, ajo prekte kryesisht njerëzit me të ardhura të ulëta. Kjo ndodhi sepse shkurtimeve të neoliberalizmit iu drejtuan veçanërisht strehimit social, duke privatizuar dhe eliminuar një pjesë të tij.”

Në shkurt, kryeministri holandez Rob Jetten premtoi ndërtimin e 100,000 banesave në vit, me 30 zona të mëdha ndërtimi në të gjithë vendin. Gjatë fushatës së tij zgjedhore në vitin 2025, ai deklaroi: “Çdo derr në këtë vend ka një çati mbi kokë, por një student apo një i ri nuk gjen dot as një dhomë të përballueshme.”

Por çfarë do të thotë realisht “banesë e papërballueshme”?

Çfarë është “banesa e përballueshme”?

Mungesa e banesave të përballueshme lidhet me faktin se, prej kohësh, kostoja e strehimit bazë po rritet më shpejt se të ardhurat e njerëzve, duke i detyruar familjet të shpenzojnë aq shumë për qira, kredi, energji dhe shpenzime të lidhura me banesën, sa u mbetet gjithnjë e më pak për ushqim, shëndetësi, kujdes për fëmijët, transport apo kursime.

Në nivel ndërkombëtar, një banesë konsiderohet e papërballueshme kur kostot e saj kalojnë 30% të të ardhurave të familjes, sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Vendbanimet Njerëzore (UN-Habitat), i cili merret me urbanizimin e qëndrueshëm. OECD përdor një kriter edhe më të rreptë, ku “mbingarkesa e kostos së banesës” përfshin familjet që shpenzojnë më shumë se 40% të të ardhurave të tyre të disponueshme për strehim.

Por në shumë qytete, ky prag nuk e pasqyron më realitetin e plotë të kostove të strehimit – si për qiramarrësit ashtu edhe për pronarët. Familjet shpesh paguajnë shumë më tepër se 30%, jetojnë në banesa të mbipopulluara, zhvendosen më larg nga puna dhe shkollat, shtyjnë blerjen e shtëpisë ose marrin borxhe vetëm për të mbetur të strehuar. Ekspertët paralajmërojnë se strehimi i papërballueshëm nuk është vetëm një problem financiar, por edhe një faktor që rrit pabarazinë.

Sipas raportit “State of the Nation’s Housing” të Qendrës së Përbashkët për Studime të Strehimit në Universitetin e Harvardit (qershor 2025), nuk po ndërtohen mjaftueshëm banesa të përshtatshme për familjet. Raporti thekson se ngadalësimi i ndërtimit të ri, së bashku me kërkesën e lartë për qira, do të bëjë që tregjet e qirave të shtrëngohen edhe më shumë në të ardhmen.

A ka qenë ndonjëherë strehimi i përballueshëm?

Për pjesën më të madhe të shekullit të 20-të, përballueshmëria e strehimit në vendet e pasura perëndimore u mbështet nga një kombinim i banesave sociale, ndërtimit të banesave me qira dhe mundësive më të lira për blerje shtëpie. Sipas ekspertëve, kjo ndodhte sepse strehimi shihej më shumë si nevojë njerëzore sesa si instrument investimi.

Në Kanada në vitet ’60 dhe ’70, sipas Farhës, ekzistonte një kuptim i qartë se shtëpia ishte thelbësore për jetën dhe duhej të kishte një gamë të gjerë opsionesh: banesa sociale, banesa me qira dhe mundësi për pronësi, si dhe produkte të reja hipotekare.

Gjatë gjysmës së parë të shekullit të 20-të, qeveritë e vendeve të pasura zgjeruan aksesin në strehim të përballueshëm. Mbretëria e Bashkuar përdori Aktin Addison të vitit 1919 dhe më pas subvencione për ndërtimin e banesave sociale. SHBA krijoi kuadrin federal të banesave publike me Aktin e Strehimit të vitit 1934 dhe Aktin Wagner-Steagall të vitit 1937. Kanadaja institucionalizoi ndërhyrjen shtetërore me Aktin Kombëtar të Strehimit dhe krijimin e CMHC. Singapori e bëri strehimin publik një projekt qendror shtetëror përmes HDB në vitin 1960.

Si rezultat, në shekullin e 20-të banesat ishin shumë më të përballueshme në vendet e pasura. Sipas të dhënave të bankës Schroders, në vitin 1957 një shtëpi mesatarisht kushtonte katër herë të ardhurat vjetore në Mbretërinë e Bashkuar.

Por kriza u përkeqësua kur qeveritë filluan të ulin investimet në banesa sociale në fund të shekullit të 20-të, duke lënë tregun privat të përcaktonte gjithnjë e më shumë çmimet dhe aksesin në strehim. Në vitin 2022, një shtëpi mesatarisht kushtonte nëntë herë të ardhurat vjetore.

Në SHBA, gjatë 50 viteve të fundit, çmimet e banesave janë rritur shumë më shpejt se pagat. Raporti i Harvardit tregon se raporti çmim-të ardhura arriti në 5.0 në vitin 2024, nga 4.1 në 2019 dhe 3.2 në vitet ’90.

Sipas Farhës, politikat neoliberale në SHBA dhe MB kanë “zbrazur” strehimin publik. Në Britani, programi Right-to-Buy i Margaret Thatcher i dha mundësi qiramarrësve të blinin banesat e tyre, por uli stokun e banesave sociale. Në SHBA, administrata Reagan uli ndjeshëm mbështetjen federale për strehimin.

Si ndryshoi politika e strehimit nga publike në private

Privatizimi gradual i strehimit në fund të shekullit të 20-të vazhdoi edhe në shekullin e 21-të. Sipas OECD-së, investimet publike në banesa dhe infrastrukturë u ulën me rreth 90% midis viteve 2009 dhe 2016.

Shtetet u zhvendosën nga ndërtimi i banesave publike drejt kuponave, lehtësive tatimore dhe nxitjes së ndërtuesve privatë, gjë që hapi rrugën për investitorët institucionalë në tregun e banesave.

Sipas OECD-së, investimet publike në banesa ranë ndjeshëm dhe kjo kontribuoi në rritjen e presionit mbi çmimet. Instituti Leibniz për Studime Sociale raportoi në vitin 2023 se investitorët institucionalë shpesh përfitojnë nga mungesa e banesave dhe rrisin kostot e qirave, duke përkeqësuar përballueshmërinë.

Që nga kriza financiare e vitit 2008, kapitali i madh është orientuar gjithnjë e më shumë drejt tregut të pasurive të paluajtshme, duke e kthyer strehimin me qira në një aset investimi.

Kur investitorët kërkojnë fitim, shpesh prioritet bëhet rritja e qirave dhe lirimi i banesave për të rritur çmimin e tyre në treg.

A mund të zgjidhet kriza?

Sipas UN-Habitat, mbi 2.8 miliardë njerëz në botë jetojnë në kushte të papërshtatshme strehimi, përfshirë 1.1 miliardë në vendbanime informale dhe zona të varfra.

Në vendet e varfra, kriza lidhet me mungesën e strehimit bazë dhe infrastrukturës. Në vendet e pasura, problemi lidhet më shumë me përballueshmërinë, rritjen e qirave, mungesën e banesave sociale dhe rritjen e të pastrehëve.

Raportet tregojnë se ndërtimi i banesave të reja nuk është i mjaftueshëm vetë për të zgjidhur krizën. UN-Habitat thekson se pa strategji afatgjata, ndërtimi i shpejtë mund të rrisë pabarazitë dhe të krijojë planifikim të dobët urban.

Sipas Farhës, zgjidhja fillon kur strehimi trajtohet si e drejtë njerëzore, jo si mundësi investimi.

“Planet qeveritare do të dështojnë nëse nuk e njohin strehimin si të drejtë të njeriut,” tha ajo.

Edhe presidenti amerikan Donald Trump ka mbështetur kufizime ndaj blerjes së shtëpive nga korporatat e mëdha. Ai tha se “shtëpitë janë për njerëzit, jo për korporatat”, dhe nënshkroi një urdhër ekzekutiv që synon të kufizojë blerjen e banesave nga investitorët institucionalë./AlJazeera


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë