Para

Kosto e koncesioneve rritet me 11%, Qeveria do të japë edhe 7 të tjera vitin e ardhshëm

Pagesat për koncesionet aktuale të dhëna nga Qeveria do të rritet me mbi 11 për qind për vitin e ardhshëm, duke shkuar në rreth 14 miliardë lek, ose 111 milionë euro. Vlera del në relacionin shoqërues të projektbuxhetit 2022, që Ministria e Financave prezantoi këtë të martë në Kuvend.

Pjesën më të madhe të pagesave e merr koncesioni i Rrugës së Arbrit (rreth 25 milionë euro), më pas ai i skanimit në dogana dhe me radhë sterilizimi, incineratorët dhe shërbimi laboratorik. Koncesionet në infrastrukturë do të kushtojnë rreth 4 miliardë euro.

Ministria e Financave thotë se është brenda kuadrit ligjor me parashikimin prej rreth 14 miliardë lekësh për pagesat e koncesioneve. Kufiri i lejuar është jo më shumë se rreth 23 miliardë lek.

Por, megjithë rritjen me mbi 11 për qind të pagesave për koncesionet aktuale, Qeveria parashikon që vitin e ardhshëm të japë edhe shtatë koncesione të tjera, mes të cilave edhe ai për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Milot-Balldre.

Fatura totale e këtyre koncesioneve përllogaritet në mbi 1.5 miliardë euro. Koncesionet e projektuara janë Milot-Balldre, pjesë e projektit Milot-Fier. Koncesioni i dytë është ai i mbikëqyrjes së qendrave të kontrollit teknik të mjeteve, njohur edhe si kolaudimi. Prej janarit të këtij viti, ky shërbim ofrohet nga shteti, por kontrollin do ta bëjë privati.

Koncesione të tjera lidhen me infrastrukturën, sigurinë rrugore, investime në qytetin e Elbasanit e të tjera.

Projektbuxheti i Qeverisë duket se shkon ndesh edhe njëherë tjetër me ërimet e Fondit Monetar Ndërkombwtar, që ëm pak ditë më parë deklaronte se koncesionet me PPP mbeten me rrezik të lartë për qëndrueshmërinë financiare të vendit.

Sipas parashikimit të FMN-së, në fund të këtij viti vlera e PPP-ve të dhëna nga Qeveria do të arrijë 50 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose rreth 8 miliardë dollarë. Rritja është me 17 për qind në krahasim me vitin 2018, kur vlera e PPP-ve vlerësohej në 33 për qind.

“Rritja e fortë dhe e shpejtë e partneriteteve publike-private, që parashikohet të arrijë në 50 për qind të PBB-së në 2021, nga 33 për qind që ishte në 2018-n kërkon dyfishim të përpjekeve për të forcuar menaxhimin e investimeve publike”, tha FMN.

FMN vëren se mungojnë të dhëna të qarta se sa të përhapura janë PPP-të dhe cila është kostoja e tyre e përgjithshme.

“Shqipëria do të përfitojë shumë nga përpjekjet për të vëzhguar dhe menaxhuar më mirë rreziqet fiskale. Mungesa e të dhënave të qarta nga ekspozimi i Qeverisë ndaj PPP-ve mbetet një sfidë. Skemat e garancisë sovrane, që po rriten janë gjithashtu një rrezik i shtuar fiskal. Në këtë kontekst, është me rëndësi forcimi i sektorit energjitik dhe ndërmarrja e reformave të ujit, që janë shtyrë në vitet e fundit”, thotë FMN.

FMN deklaron se ka mungesë transparencë në kostot e investimet publike me financim të brendshëm, kontrata të paqarta dhe shkelje të afateve të tyre.

“Investime publike me financim të brendshëm u rritën fort prej 2020. Sfidat kryesore janë mungesa e transparencës për kostot, shkeljet e afateve dhe moszbatim i kritereve të përzgjedhjes, përfshirë kur PPP-të përmbyllen në parashikimin buxhetor afatmesëm. Është me rëndësi që kapaciteti i Ministrisë së Financave të forcohet për të mbikëqyrur përzgjedhjen, vlerësimin dhe vëzhgimin e zbatimit të PPP-ve. Procesi i dhënies së PPP-ve duhet të përputhet me gjendjen e buxhetit”, thotë FMN.

Në lidhje me rritjen ekonomike, FMN parashikon që ajo për këtë vit të jetë 5.3 për qind. Raporti thotë se deficiti buxhetor do të mbetet i lartë edhe për këtë vit dhe borxhi publik do të arrijë 80 për qind. Sa i takon ekonomisë, FMN rithekson se problem mbetet konkurrueshmëria strukturore në krahasim me vendet e rajonit.

“Forcimi i institucioneve, reduktimi i hapësirave korruptive, infrastruktura dhe adresimi i mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar janë faktorët që do të përmirësojnë klimën e biznesin”, thotë FMN.

Për rritjen e pagave minimale, që qeveria premton se do të shkojë në 32 mijë lek duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm dhe 38-40 mijë lek në fund të këtij mandati, FMN këshillon që çdo nismë e tillë duhet të shoqërohet me masa për të reduktuar informalitetin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë