Biznes

Koronavirusi, biznesi në kaos

Sabina Veizaj-Në Pogradec kontrolli i Inspektoriatit të Punës i dërgoi në shtëpi 80 punëtorë  të një fasonerie që janë gjetur pa maska, por në farmacitë e vendit nuk gjenden më maska.

Në Tiranë, punonjës të një fasonerie tjetër nuk pranojnë të hyjnë pa mjete mbrojtëse. Biznesi po gjendet tërësisht i papërgatitur dhe konfuz me çfarë po ndodh pas marrjes së masave drastike sipas tyre të qeverisë, të pashoqëruara nga një paketë e mundshme mbështetëse.

Florian Zekja nga Unioni i Fasonëve thotë se vështirësitë po thellohen dita-ditës.

“Ne i kemi dërguar në shtëpi punonjësit mbi 60 vjeç. Kemi përpiluar një formular si të policisë. Kemi krijuar distancë nga punonjësi në punonjës 2 metër, maska nuk ka, kemi rritur higjenën duke vendosur dezifektant në çdo tavolinë dhe ashensori pastrohet herë pas herë. Këto janë masat tona, nga qeveria nuk ka asnjë lajm’- shprehet Zekja për gazetën “Si”.

Ai tregon i shqetësuar se me ndalimin e transportit “që sot kemi mungesa punonjësish, që sigurisht nuk do të mund t’i paguajmë sepse nuk kemi mundësi. I tutemi minutës tjetër sepse situata po ndryshon me minuta”- thotë Zekja.   

Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë thotë se punonjësit të frikësuar po braktisin supermarketet dhe pronarët e tyre janë në panik sepse nuk do të mund të furnizojnë dot popullatën dhe njëkohësisht do t’u bllokohet puna.

Mbyllja e lokaleve, restoranteve është masë e parakohshme për Jakën në një kohë kur nuk është shoqëruar me masa mbështetëse për të ndihmuar biznesin.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ka gati kërkesat për qeverinë dhe e cilëson situatën që po krijohet me vendimarrjen e qeverisë në lidhje me emergjencën drastike për momentin, të cilat po fundosin biznesin.

Ndër kërkesat e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë që i janë dërguar qeverisë janë rimbursimi për bizneset e mbyllura, shtyrja e pagesës së kredive pa interesa deri në muaj si fillim, mospagimi i tatim-taksave 3-6 muaj për një periudhë dhe sigurimet shoqërore.

Jaka sugjeron hartimin e një strategjie emergjence dhe ekspertët të bëjnë analizën e humbjeve dhe të aplikojnë pranë FMN-së për të përfituar nga fondi 50 mld euro që institucioni ndërkombëtar ka vënë në dispozicion për të prekurit nga Koronavirusi.

“Nuk duhet të ngjallim panik dhe të krijojmë anarki”- thotë Jaka.

Edhe turizmi, një nga sektorët të cilësuar si nga më të prekurit, kërkon mbështetje nga qeveria.

ATOA- Shoqata Shqipatre e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike i kërkon qeverisë: Të shtyjë pagesën e tatimtaksave, sigurimeve shoqërore dhe kreditë.

Në fakt burime pranë sektorit bëjnë me dije se shoqatat e truizmit nuk po bien dakord me njëra-tjetrën për kërkesa të unifikuara drejtuar qeverisë, sepse një grup prej tyre duan kërkesa shtesë.

Kërkesat e shoqtave të turizmit

“Shtyrja e pagesës së sigurimeve shoqërore është domosdoshmëri. Aeroporti dhe pak do boshatiset nga fluturimet. Me se t’i paguajmë punonjësit nëse nuk do të kemi punë. Do të detyrohemi ti heqim”- thotë Eva Rama nga Explorer Travel & Tours”.

Por deri tani qeveria nuk është shprehur për  asnjë masë mbështetëse për biznesin dhe familjet në karantinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë