Biznes

COVID-19, Turizmi shqiptar në situatë kritike: Ja kërkesat tona për qeverinë

;

Duke marrë shkas nga epidemia Botërore shkaktuar nga COVID-19 dhe dëmi i saj në turizmin Botëror, që ka ndikim direkt edhe në turizmin shqiptar, Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike (ATOA) thotë se sektori ndodhet përpara një situate shumë kritike.

Duke ndjerë zgjatjen në kohë të kësaj gjendjeje, duke i bashkëngjitur  dhe pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019, shoqata gjykon që vetëm me një ndërhyrje vendimtare nga Qeveria së bashku me përpjekjet që po bën vetë sektori me aktorët e industrisë mund të kalohet kjo situatë tejet e vështirë.

“Turizmi është sektori që ka potencialin më të lartë të punësimit, nga ku 93 mijë kanë qenë të punësuarit direkt dhe mbi 291 mijë ishin të punësuarit total në këtë sektor përgjatë 2017, dhe e ardhura totale e turizmit është 1.8 miliard Euro, prandaj në ketë moment në rrezik nuk është vetëm sektori i turizmit, por prej saj edhe ekonomia e vendit.”- citon ATOA.

Në përgjigje të kësaj situate, për të shmangur pasojat e rënda dhe kolapsin e bizneseve që operojnë në fushën e turizmit, duke marrë si shembull edhe masat e marra nga qeveritë e shumë vendeve për të qenë në krah të bizneseve në këtë periudhë të vështirë, ATOA kërkon një reagim të shpejtë nga ana e qeverisë dhe marrjen e masave:

1. Pezullimin e pagesës së tatim fitimit minimalisht për një periudhë 3 mujore dhe në vazhdim përshtatjen e llogaritjes së saj me vitin aktual;

2. Subvencionimin e pagesës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 3-6 mujore;

3. Reduktimin e taksave vendore dhe shtyrjen e afatit të pagesës së tyre të paktën deri në fund të muajit Qershor;

4. Akordimin e granateve ose kredive me interes “0%” për mbështetjen e nevojave për likuiditet të kompanive turistike.

Shoqata Shqiptare e  Tur Operatorëve dhe Agjencive të Udhëtimit thotë se deri më tani nuk ka asnjë reagim konkret nga qeveria, por nga Ministria e Financave bëjnë me dije se është ngritur një grup pune pranë institucionit për të hartuar një paketë mbështetësë për biznesin e prekur nga pasojat e vendimmarrjes së qeverisë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë