Treg

Covid-19 dyfishon çmimin e portokajve e limonëve

Sabina Veizaj - Shqiptarët ditët e fundit kanë rritur konsumin e portokalleve dhe limonave pas informacioneve nga mjekët se Vitamina C rrit imunitetin dhe parandalon infektimin nga Koronavirusi.

Limonët e portokallet, dy produktet e vetme që kanë pësuar rritje
çmimi pas shpërthimit të koronavirusit




Disa pika me shumicë që shesin fruta-perime në  kryeqytet kanë dyfishuar çmimin/kg të këtyre agrumeve duke justifikuar se çmimi i rritur vjen nga pikat e shumicës.

“Kam frikë se nuk do të ketë në vazhdim portokalle dhe limonë. Po na i kërkojnë shumë. Sot rrezikova të  mos furnizohem dot tek shumica. Iu drejtova një gruaje tek pika e shumicës për portokalle dhe më  ulëriti, mos i prek ato se janë  të  shitura”- tha për Gazetën “Si” Andi, një djalë që ka një pikë pakice ku shet fruta-perime në rrugën “Rrapo Hekali”.

Ai tregoi se në pikën e shumicës, dje, (të enjten) ishte dyfishuar çmimi për kg si i portokalleve, ashtu edhe i limonave duke bërë që ai vetë t'i shiste këto produkte me pakicë; një kg portokalle të thjeshtë 120 lekë nga 70 lekë një javë më parë, kurse me shegë 150 lekë nga 85 lekë, ndërsa një kg limonë 230 lekë nga 120 lekë.

“Njerëzit janë turrur për të blerë. Viti i Ri të na marrtë të keqen, në krahasim me këtë”, thotë Andi për “Si”.

Kurse Uran Derri, i cili përpos ekspert në fushën e financave, zotëron një biznes me shumicë në shpërndarjen e fruta-perimeve të importit, thotë se nuk ka vend për panik.

Uran Derri

“Produktet ushqimore të supermarketeve dhe fruta-perimet nuk rrezikojnë të vijnë në treg. Është e vërtetë që këto ditë ka pasur probleme me furnizimin e dy artikujve; portokalle dhe limonë për arsye se është shumëfishuar kërkesa dhe konsumi një kohësisht. Kjo situatë na gjeti të papërgatitur sepse ka shumë prodhim dhe nuk ka nevojë të ruhen nëpër magazina. Por unë dje kam marrë një trajler nga Greqia me portokalle e limonë. Importi vazhdon nga Greqia dhe Spanja”, sqaron Uran Derri.

Ai thotë për “Si” se paniku dhe frika është e kotë në lidhje me mungesën e ushqimeve, pasi edhe për një javë nis prodhimi vendas, përpos atij të importit.

“Në qoftë se kërkesa do të vijojë në rritje, nuk do të eksportojmë, por do të furnizojmë tregun vendas”, shprehet eksperti dhe biznesmeni Uran Derri.

Sipas tij, shumica nuk i ka rritur çmimet e agrumeve, janë pikat e pakicës, (disa prej tyre), thotë ai, të cilat punojnë pa një plan biznesi që kanë rritur çmimet.

“Çmimet rriten kur ka kërkesë dhe nuk ka prodhim. Në treg nuk mungon prodhimi. Pakica shikon kërkesën në rritje dhe shumëfishon çmimet. Kur shikon që nuk ia blen njeri aq shternjtë, nis e i ul”, shpjegon Uran Derri.

Ai thotë se “ne po dyfishojmë importin, përpos agrumeve edhe për produktet familjare sepse deri dje furnizonim lokalet e restorantet më së shumti, tani do të kemi fokus vetëm familjet. Kështu që po rrisim furnizmin me fasule, qepë e patate”.

Përsa i përket humbjeve që mendohet të pësojë biznesi si pasojë e emergjencës në vend, ai shpjegon se deri tani nuk kanë asnjë sinjal nga qeveria, por do të diskutojnë ditën e hënë, pasi ndalimi i qarkullimit ka paralizuar gjithçka.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë