Rend dhe Ligj

Konflikti me Rrajat për guroren, banorët bënë 2 kallëzime në maj. Policia ia ‘kalon topin’ Prokurorisë

Gazeta Si - Policia e Shtetit e ka kaluar "topin" te Prokuroria në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Borizanë pak ditë më parë në një konflikt për ankimin e guroreve mes fisit Rraja dhe Maja në Krujë.

Në një sqarim për mediat, policia thekson se pasi kanë marrë denoncimin e bërë nga një pjesëtar i fisit Maja, kanë depozituar kallëzimin në Prokurori. Bëhet fjalë për dy kallëzime të banorëve të Borizanës në muajin maj, konkretisht në 5 dhe 10 maj, për shpërthimet në gurore.

LEXO EDHE:
- Dhuna nga fisi ‘Rraja’, ‘shkrihet’ komisariati i Policisë së Krujës, Tonin Vocaj merr kompetencat
- Shkopa bejsbolli dhe grushte, fisi i Rrajave masakrojnë kushërinjtë që u ankuan për dëmtimin e banesave nga gurorja (video)

“Theksojmë se Policia e Krujës ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për këtë rast, me paanshmëri dhe konform ligjit, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të shtetasve përgjegjës".

Sipas policisë, "kallëzimi i marrë për këtë rast, si dhe çdo indicie tjetër, janë trajtuar në zbatim të procedurave standarde të punës dhe çdo material procedural i është referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për kryerjen e hetimeve të thelluara”, thuhet në reagim.

Por në një prononcim për median, Prokuroria sqaron se më 18 maj është regjistruar procedim penal dhe 7 ditë më pas i është deleguar dosja për  kryerjen e veprimeve hetimore Komisariatit të Policisë Krujë.

Më pas, më 19 qershor është regjistruar një procedim penal për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 150 të Kodit Penal dhe se çështja vijon ende në fazën e hetimeve paraprake.

Një ditë më parë, aktiviteti në guroren në fjalë u bllokua nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Autoritetin Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera.

Këto tre institucione zhvilluan kontrolle në ambientet e gurores, e cila rezulton në pronësi të “Delia Group”, me administrator Viktor Delian dhe pronar Përparim Rrajën. Ky i fundit është mes personave të shpallur në kërkim nga policia si pjesë e grupit që dhunoi dy anëtarët e fisit Maja.

Gurorja në fjalë është e pozicionuar rreth 300 metra mbi fshatin Borizanë dhe nga verifikimet rezulton se disponon leje shfrytëzimi dhe licencë për aktivitetin që ushtron. Përveç kontrollit në këtë gurore, autoritetet kryen kontrolle në 9 banesa, të cilat dyshohet se janë dëmtuar nga aktiviteti i kësaj guroreje.

Mes shtëpive që ka dyshime se është dëmtuar, është dhe banesa e anëtarëve të fisit Maja, të cilët përpara ngjarjes ishin ankuar në polici për guroren në pronësi të Përparim Rrajës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë