Rend dhe Ligj

Konflikt fizik mes policëve në Tiranë, AMP nis hetim disiplinor ndaj tyre

Gazeta Si - Dy punonjës të policisë në Tiranë janë vënë nën hetim disiplinor, pasi u përfshinë në një konflikt fizik për motive të dobëta në rrugë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) Tiranë, thotë se ka referuar në Prokurori materialet proceduriale në gjendje të lirë në ngarkim të 2 punonjësve të Policisë dhe 1 shtetasi, konkretisht:

- R.I., 33 vjeç, efektiv i FNSH, i dyshuar për ‘Kanosje”;

- V.L. 44 vjeç, efektiv i Forcës së Posaçme Operacionale, i dyshuar për ‘Kanosje” e “Dëmtime të tjera me dashje”;

- M.I. 33 vjeç, i dyshuar për “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.

Ngjarja ka ndodhur gjatë mbrëmjes në zonën e ish-bllokut pranë njësisë bashkiake nr 5.

Konflikti mes tyre ka agravuar dhe të dy palët kanë arritur deri në kanosje kundër njëri-tjetrit.

“Nga veprimet hetimore rezulton se punonjësi i policisë V.L., jashtë shërbimit, është konfliktuar e përplasur fizikisht, për motive të dobëta, së pari me shtetasin M.I., në një dyqan në rrugën “Nikolla Tupe”. Më pas në debat është përfshirë dhe punonjësi tjetër i Policisë, R.I., edhe ai jashtë shërbimit", - AMP.

Me marrjen e njoftimit kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr. 2 Tiranë dhe forcat “Shqiponja”, të cilat kanë shoqëruar palët deri në përfundim të veprimeve të para hetimore.

Ndërkohë Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj dy efektivëve të Policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë