Politike

Konferenca ndërqeveritare me BE, Holanda mbetet pesimiste

Holanda do të presë deri në fund dhe do të vendosë në mbledhjen e radhës të Këshillit Europian për të vlerësuar nëse Shqipëria ka plotësuar kushtet e vendosura për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Bashkimin Europian, apo jo.

Gazeta "Si" sjell të përmbledhur shkurtimisht raportimin e ministrit të Jashtëm holandez, Stef Blok në Parlamentin vendas në lidhje me qëndrimin që do të mbajë qeveria në lidhje me këtë çështje. Kryediplomati holandez këmbënguli në qëndrimin e shprehur edhe më herët për ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut.

Blok tha se Tirana i ka të qarta kushtet e vendosura nga Holanda që në muajin mars, kur Këshilli vendosi hapjen e negociatave, por kushtëzoi nisjen formale të tyre.

“Po, ne ramë dakord që të hapen negociatat si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut, por në atë kohë ne bëmë një dallim të qartë mes dy vendeve. Në rastin e Shqipërisë kemi bërë kërkesa konkrete për një sërë kushtet që duhen plotësuar para mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare”, deklaroi Blok.

Ministri i Jashtëm holandez tha se Qeveria po studion raportin e Komisionit Europian, ku thuhet se të dyja vendet janë gati për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Ai nënkuptoi se vendimmarrja holandeze nuk do të kushtëzohet vetëm nga ky raport.

“E kam thënë se në rastin e Maqedonisë së Veriut shohim më shumë progres. Nuk mund ta parashikoj saktësisht se kur do të bëhet propozimi për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Mund të jetë edhe këtë vit, por ju (deputetët) do të merrni vlerësimin tonë (të qeverisë) për kushtet e vendosura dhe masën e plotësimit të tyre”, vijoi Blok.

Qeveria holandeze është e bindur se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut vendet nuk janë në të njëjtin hap sa i takon plotësimit të kushteve.

“Nuk është pa arsye qëndrimi ynë që vendosëm një kriter specifik për Shqipërinë. Ne kemi qenë gjithmonë të hapur për perspektivën europiane të Shqipërisë, por procesi varet thelbësisht nga progresi i Shqipërisë. Që të jem i qartë, është një proces i bazuar plotësisht tek merita e secilit vend”, u shpreh Blok.

Sa u takon kushteve, Holanda ndan të njëjtin qëndrim me ato të vendosura nga Bundestagu gjerman dhe të konfirmuara më vonë edhe nga Këshilli Europian në muajin mars, por ndryshe nga vendet e tjera, mendon se Shqipëria nuk ka bërë progresin e mjaftueshëm sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe as në përpjekjet për të rikthyer në funksion Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë