Menaxhim

Komisioneri për të Drejtën e Informimit do të monitorojë edhe të dhënat nga ndërmjetësit e pasurive të patundshme

Nga Gazeta ‘SI’ - Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ka për detyrë të monitorojë përpunimin e të dhënave edhe në sektorin e pasurive të patundshme.

Është kjo pika 5 në nëntë detyrat që Kuvendi i ka lënë këtij institucioni për vitin 2023. Aty ku përfshihen autoritetet ligjzbatueset, sektori privat, financiar janë tashmë edhe ndërmjetësuesit e pasurive të paluajtshme.

Ky sektor dhe të dhënat në të kanë shqetësuar më herët edhe Bankën e Shqipërisë, e cila i ka kërkuar bankave tregtare në vend të kenë kujdes me transaksionet në to dhe të kenë dokumentacionin e plotë.

Vitin e shkuar qeveria miratoi ligjin për rregullimin e profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme duke e bërë atë tashmë një nga profesionet e tjera të lira në treg.

Kuvendi i kërkon më tej Komisionerit që të luajë rol aktiv në përmbylljen e procedurave për miratimin e kuadrit ligjor/nënligjor për të dy fushat e veprimtarisë.

Po kështu të thellojë mbikëqyrjen dhe monitorimin e zbatimit të ligjit për të drejtën e informimit, duke patur si qëllim rritjen e kontrollit mbi veprimtarinë e administratës publike, si dhe garantimin e aksesit në informacion publik.

Një tjetër detyrë është të thellojë monitorimin dhe mbikëqyrjen për transparencën proaktive të autoriteteve publike, për verifikimin e zbatimit dhe përditësimit të Programit të Transparencës dhe Regjistrit të Kërkesave dhe Përgjigjeve;

Sipas Kuvendit zyra e Komisionerit duhet të nxisë shtrirjen e instalimit të Regjistrit Elektronik të Kërkesave dhe Përgjigjeve për të Drejtën e Informimit (REKPDI), në sa më shumë autoritete publike, si dhe të mundësojë ndërthurjen e tij me shërbimet që ofrohen nga AMS/e-Albania, në bashkëpunim më Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Në pikën gjashtë, Kuvendi nënvizon se duhet të vijojnë të kryhen monitorime tematike mbi disa nga detyrimet e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale (informim/pëlqim/njoftim/masat e sigurisë) në kontrollues që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sektorë si: shërbimi postar publik/privat, marketing i drejtpërdrejtë, sektori i arsimit, etj.

Sipas projektrezolutës gjithashtu duhet të luajë rol aktiv në zgjerimin e rrjetit të nëpunësve për mbrojtjen e të dhënave personale dhe forcimin e kapaciteteve profesionale për përmbushjen e detyrimeve ligjore;

Komisionerit i kërkohet që të bashkëpunojë në mënyrë të vazhdueshme me qytetarët dhe grupet e interesit për njohjen e kuadrit të modernizuar ligjor në të dyja fushat e përgjegjësisë si dhe të nxisë ndërgjegjësimin për zbatimin e tij.

Në pikën e fundit theksohet se duhet të vijojë të luajë rol aktiv në përmbushje të funksionit të anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC), të marrë masat përgatitore për realizimin e edicionit të 15-të të Konferencës në Tiranë, si dhe të vijojë angazhimin aktiv në organizmat e tjerë ndërkombëtare ku Zyra e Komisionerit është pjesë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë