Kombetarja

Kombëtarja pa iniciativë, pa lider dhe pa mendësi fituesi

Optimizmi dhe atmosfera pozitive në grup që të gjithë futbollistët e Kombëtares predikuan në konferencat për shtyp para ndeshjes me Islandën, nuk u panë për asnjë moment në Rekjavik. Duke lënë mënjanë skemën e lojës dhe zgjedhjet e trajnerit Edi Reja, i cili debutoi me humbje në stolin kuqezi, ajo që të bie menjëherë në sy dhe që duket si seria e radhës në “telenovelën” e Kombëtares, është sjellja apatike e futbollistëve në fushë, mungesa e një lideri dhe mungesa e mendësisë së fituesit.

Dëshira për të bërë diçka të mirë është, nuk diskutohet, sepse në fund të fundit është fjala për Kombëtaren, por nuk ka befasi, nuk ka iniciativë, cinizëm jo e jo. “Lojtarët duhet të jenë të bindur për atë që ne kërkojmë para se të hyjnë në fushë”, - ka theksuar trajneri italian disa herë pas marrjes së detyrës. Si një ekspert i fushës, ai duket se e ka kuptuar menjëherë mungesën e besimit te grupi i lojtarëve, të cilët në Islandë më shumë mendonin për të mos gabuar se për të marrë përgjegjësi përsipër, për të sulmuar dhe për të fituar. Shumë pak iniciativë, gjithçka e lënë rastësisë. Dhe përsëri gabuan, madje rëndë, e gjitha mbrojtja në të njëjtën kohë, bashkë me portierin Berisha. Gabim fillestarësh në rastin e golit të pësuar dhe më pas asgjë, një lojë që mund të lexohej edhe nga jashtë stadiumit…

Kombëtarja në stërvitje

Mungesa e një lideri në ekipin kuqezi është kuptuar me lehtësi gjithmonë, që pas tërheqjes nga futbolli të Lorik Canës. Dikush është munduar ta shmangë këtë të vërtetë të madhe sa herë është pyetur në konferencë shtypi, duke dalë nga situata me shprehjen “ekipin e bën grupi dhe jo individi”, por fusha flet ndryshe. Askush nuk merr përsipër të bëjë trajnerin e Kombëtares në fushë, t’u “bërtasë” shokëve për të mirën e ekipit dhe të jetë i pari që të sakrifikojë gjithçka nga vetja. Nga sa mund të kuptohet lehtë, në grupin aktual askush nuk e ka dhuntinë e liderit, që në fakt është e lindur dhe më pas kultivohet gjatë karrierës, kështu që ai që nuk e ka këtë dhunti nuk mund të fajësohet pse nuk bën liderin.

Por ka edhe diçka tjetër: liderin mund ta bëjë vetëm një lojtar me mendësi fituesi. Në ekipin tonë kombëtar lojtarët fitues janë të paktë, numërohen me gishtat e njëjtës dorë. Është e qartë se kemi pak nga ata që janë fitues me klubet e tyre, siç kanë qenë më parë Lorik Cana, Ansi Agolli dhe disa të tjerë. Sigurisht që mund të bënin diçka më shumë Etrit Berisha dhe Taulant Xhaka, lojtarë që bëjnë pjesë në skuadra fituese, por edhe ata nuk ia kanë dalë. Berisha nuk po luan kohët e fundit dhe forma e tij u reflektua te goli i pësuar, kurse Xhaka ka humbur jo pak nga niveli i tij i mëparshëm. Shumica e futbollistëve të Kombëtares luajnë pak ose aspak me klubet e tyre, të tjerë janë pjesë e skuadrave që luftojnë për mbijetesë apo që nuk janë pjesë e elitës së futbollit në vendin ku luajnë. Për të mos i marrë të gjithë me radhë, e thënë troç: shumica e tyre nuk e kanë mendësinë e fituesit.

Dhe, nëse trajneri Reja mund të korrigjojë skemën e lojës apo titullarët në fushë, që ekipi të ketë më shumë befasi dhe rrezikshmëri në sulm, janë vetë lojtarët ata që duhet të kuptojnë se për të fituar ndeshjen duhen marrë përgjegjësitë, duhet më shumë iniciativë. Kuqezinjtë mund të fitojnë me Moldavinë në Elbasan, sepse janë favoritë absolutë, por pa një shkundje të fortë të vetë grupit të futbollistëve për t’i luajtur ndeshjet me mendësinë e duhur, nuk mund të shkojmë askund. Thjesht do të mjaftohemi duke lënë prapa Moldavinë dhe Andorrën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë