Futboll

Kombëtarja në finalen e botërorit, “transformohet” qeveria kroate

Kroacia në finalen e Kupës së Botës është një arritje historike. Kombi i vogël me 4 milion banorë është duke shkruar historinë dhe ka mundësinë që për herë të parë të sjellë trofeun më të lavdishëm të futbollit në një rajon të trazuar si Ballkani.

E gjithë Kroacia është e entuziazmuar nga kjo arritje shumë e madhe dhe sido që të shkojë fati i finales me Francën, kjo kombëtare tashmë e ka fituar kampionatin e saj.

Kryeministri kroat me fanelën e kombëtares gjatë një mbledhje qeverie

Në fillim ishte presidentja Kitaroviç që tërhoqi vëmendjen e medieve ndërkombëtare me sjelljen e saj në stadiumet ruse. Por qeveria kroate ka shkuar në një tjetër shkallë. Ditën e enjte vetëm një ditë pas atij kualifikimi historik në Kupën e Botës, kabineti i qeverisë kroate ka shkuar në mbledhjen e zakonshme i veshur me fanellën e skuadrës kombëtare të futbollit. Duke filluar nga kryeministri Andrej Plenkoviç dhe të gjithë ministrat, mbanin veshur fanellat e atyre që tashmë në Kroaci ka filluar të thirren heronj.  Fotot e kryeministrit Plenkoviç dhe ministrave të tjerë kroat me fanellat e ekipit kombëtar të futbollit kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale.

Kroacia dhe Franca do të zbresin të dielën me 15 korrik në orën 17:00 në fushën e “Luzhniki Stadium” për të diskutuar fituesin e këtij kampionati botëror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë