Ngjarje

Kolaudimi i banesave mbi 50-vjeçare po ngjall dyshime të forta

Nga Gazeta Si- Vera jeton te pallatet “Agimi” të ndërtuar para viteve ‘90, në katin e tretë. Edhe Vjollca, jeton në një apartament të një pallati të ndërtuar para ndryshimit të sistemeve tek “Shallvaret”. Ato janë mikesha dhe i takoj tek shkallët e pallatit të Verës duke dalë për kafe.

“E kemi dëgjuar, e kemi dëgjuar në lajme që do i analizojnë pallatet tona. Kushedi çfarë interesi kanë, se këto janë top. As tërmeti nuk i vuri poshtë. Nuk pësuan asgjë”, shprehen pothuajse në të njëjtën gojë dhe kohë të dyja mikeshat.

Projektvendimi i qeverisë për kolaudimin e ndërtimeve mbi 50-vjeçare u perceptua nga publiku si surprizë dhe i padëgjuar më parë.

Ai parashikon kolaudimin e ndërtimeve të viteve para ‘90-ës që kanë kaluar jetëgjatësinë 50 vite dhe sipas konkluzioneve ato mund të riparohen ose prishen.

Në fakt ky nuk është një lajm i ri.

Menjëherë pas tërmetit të 2019-ës, qeveria ndryshoi ligjin dhe në nenin 2 sanksionohet auditimi teknik. Me “auditim teknik” kuptohet akt ekspertiza e thelluar që vlerëson gjendjen teknike të një objekti dhe kapacitetet e tij mbajtëse.

Por që prej miratimit të ndryshimit të ligjit asokohe, nuk u vu në përdorim.

Kjo procedurë ndodh pothuajse në të gjithë vendet e botës, veçanërisht ato që janë të njohura si me sizmiologji të lartë.

Ekspertët konfirmojnë se mbi 50% e ndërtimeve në Shqipëri janë të rrezikuara nga tërmetet.

Vendi ka territorin më sizmiogjen në Ballkanin Perëndimor dhe Europë. Kjo është pranuar si nga studimet kombëtare, ashtu edhe ato ndërkombëtare. Edhe në hartën Europiane më të fundit të rrezikut sizmik, Shqipëria është më e rrezikuara për prirjen ndaj tërmeteve.

Pallate të vjetra në Tiranë. Gazeta Si, mars 2023.

Por pyetjet që lindin janë: Pse në këto momente i mëshohet me urgjencë një procedure të tillë? A ka burime njerëzore për të mbuluar të gjithë Shqipërinë? Çfarë shpalos kjo VKM?

Për urbanistin Gentian Kaprata, “Qasja e qeverisë ndaj problematikës së vjetërsisë së ndërtesës vërteton edhe një herë se jemi në një tranzicion me kahe të kundërt me atë që kemi nisur në vitin 1992. Nëse në vitin 1992 qeveria Meksi privatizoi stokun e banesave shtetërore në përfitimin e familjeve, nëpërmjet kësaj VKM-je jepen shenja të qarta se shteti po bën ushtrimin e kundërt, po i rishtetëzon ato”.

Urbanisti Gentian Karpata. Gazeta Si, mars 2023.

Kaprata sheh si tjetër problem marrëdhënien e përdhosur sipas tij midis dy niveleve të qeverisë: pushteti vendor dhe  qeverisë qëndrore.

“Sikurse thotë dokumentacioni i auditimit teknik do i vihet në dispozicion Institutit të Ndërtimit për kryerjen e oponencës dhe vendimi i tij mbizotëron mbi akt-auditimin teknik. Me pak fjalë, pushteti autonom vendor, zgjedhur nga qytetarët, vihet nën varësinë e një institucioni shtetëror me zyrtarë të emëruar”.

Vendimi sipas Kapratës cënon edhe liritë kushtetuese.

Dy janë dimensionet ku dallohet kufizimi i lirisë bazike të pronës private nga individi, sugjeron urbanisti.

“Sipas projektvendimit subjektet që do të bëjnë auditimin teknik të objekteve do përzgjidhen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe jo nga vetë pronarët e objekteve dhe në dokument, nuk specifikon se çfarë do të ndodhë me truallin e godinës dhe pronarët e tyre, në rastin kur ndërtesa do të shembet”.

Kaprata nga ana tjetër e shikon këtë vendim me një sfond të dyshimtë qëllimi.

“Sheshet e lira” po përfundojnë dhe në këtë kuptim vështirësohet gjetja e shesheve për ndërtim kullash të reja, dhe vështirësohet arritja me lehtësi, sikurse deri tani e një marrëveshje private për zhvillim midis ndërtuesit dhe pronarëve të trojeve”.

Në këtë kuptim, argumenton Kaprata, pushteti politik ka vendosur ti shërbejë industrisë së vetme në Shqipëri, jo vetëm me sigurimin e lejes por edhe me detyrimin/shtrëngimin e pronarëve për të dorëzuar te “industrialistët” e ndërtimit banesën dhe truallin e ndërtesës pa asnjë të drejtë nga pronësia e tyre.

Efekti zinxhir negativ …

Eksperti i Ekonomisë Elvin Meka, gjykon se ky vendim do të prekë edhe biznesin, kryesisht bankat dhe shoqëritë e  sigurimeve.

“Përtej faktit që bankat dhe shoqëritë e sigurimeve, në kuadër të punës së tyre për vlerësimin e kolateralit dhe sigurimit të tij bëjnë analizat përkatëse, një vendim madhor nga Instituti i Ndërtimit, në mbështetje të këtij vendimi (VKM) me rezultat shembjen e objektit, do të asgjësojë dhe zhbëjë bazamentin ku mbështeten produket e tyre (kreditë dhe primet e sigurimit). Në kushte të tilla, është thuajse e sigurt që bankat apo shoqëritë e sigurimeve do të refuzojnë të pranojnë si kolateral apo të marrin në sigurim prone një pasuri (apartament, apo dyqan) që ka një moshë ndërtimi mbi 50 vjeçare”, shpjegon Meka.

Në mënyrë alternative, vijon ai argumentin, si pjesë e veprimtarisë së tyre, ato do të kërkojnë nga huamarrësi një raport teknik të vlerësimit të pronës, përtej asaj të Institutit të Ndërtimit, gjë që do të shtojë koston e huamarrjes dhe primet e sigurimit në vijim.

Në finale, klienti dhe konsumatori shqiptar do të detyrohet të paguajë jo vetëm komisione dhe tarifa shtesë, por do detyrohen që të pranojnë edhe një zhvlerësim efektiv të pronës së tyre, pasi për bankat dhe shoqëritë e sigurimeve një pronë e tillë do të perceptohet në vijim me shumë rrezik.

Eksperti i ekonomisë Elvin Meka, Gazeta Si, mars 2023.

Nga ana tjetër, shpjegon Meka, duhet pritur për të kuptuar nëse do të vendoset ndonjë periodicitet i caktuar për kryerjen e një auditi të tillë nga Instituti i Ndërtimit Lënia hapur apo mospërcaktimi i saktë i një aspekti të tillë rrit pashmangshmërisht pasigurinë, duke i bërë këto objekte thuajse pa vlerë, ose me një vlerë shumë të ulët tregu.

“Ajo që është e sigurt, pas hyrjes në fuqi të një vendimi të tillë, është ridimensionimi i të gjithë vlerës së tregut të çdo lloj pasurie të paluajtshme që i afrohet një afati të tillë, që nuk merr në konsideratë as teknologjinë e ndërtimit dhe as punimet riparuese, apo mirëmbajtëse, që mund të jenë realizuar ndër vite në pasuri te tilla”, thotë ai.

Në inventarin e pasurive të paluajtshme, në të gjithë vendin, janë rreth 122,000 prona apo pasuri me një moshë mbi 50 vjeçare. Instituti i Ndërtimit do të duhet të  shqyrtojë mbi 122,000 auditime rreth sigurisë së ndërtesave, ku rreth gjysma e tyre janë në Tiranë, pra mbi 60,000 prona.

“Nxitur nga kapacitete aktuale njerëzore që ka ky institut, por dhe kapacitetet profesionale që ka tregu në vend, është një sfidë e pamundur nga ky institut të realizohen auditime të tilla brenda një intervali kohe të arsyeshëm, sikundër dhe të merren vendime kaq të shpejta për çështje kaq madhore sa prishja e ndërtimeve. Këtu nuk llogaritet fakti që, çdo vit që kalon shtohet inventari i pronave dhe pasurive mbi 50 vjeçare. Në kushte të tilla, nisur dhe nga besueshmëria thuaje zero që kanë institucionet shtetërore dhe qeveritare në Shqipëri në sytë e publikut, është lehtësisht e kuptueshme që një pjesë e vendimeve të Institutit të Ndërtimit rrezikojnë shumë të jenë abuzive dhe nën ndikimin e interesave madhore të industrisë së ndërtimit.”- mendon eksperti Meka.

Ekspertët gjykojnë se nuk ka asnjë garanci, as nga sistemi gjyqësor shqiptar, që historikisht ka reputacion tërësisht të shkatërruar dhe të pabesueshëm në sytë e publikut shqiptar, që një bazë e tillë rregullatore të mos përdoret kundër interesit publik dhe në përfitim të një grupi të caktuar interesi. Prandaj, ekziston mundësia që shumë objekte dhe prona të ndërtuara përgjatë intervalit të viteve ‘50-‘70 përgjatë Unazës historike, Tiranës së Re (në akset kryesore), Rrugës së Durrësit, dhe ish-Bllokut, apo pranë tij, të bëhen "objektiv" i shpejtë i këtij auditi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë