Interviste

Gjeologu shqiptar: Të hyjë menjëherë në fuqi eurokodi!

Nga Gazeta Si- Në një intervistë për Gazetasi.al, inxhinieri gjeolog Klodian Skrame tregon pse tragjedia e Turqisë dhe Sirisë mund të ishte shmangur.

Ai mendon se në Shqipëri nuk mund të ndodhë diçka e ngjashme, por duhet të merremi me kushtet teknike të ndërtimit të godinave të banimit dhe veprave publike sipas kategorive.

Skrame thotë se Kushti Teknik Shqiptar është jashtë kohe.

A janë zona sizmike Turqia dhe Siria?

Si Turqia dhe Siria njihen si zona sizmike. Nga pikëpamja gjeologjike aty kemi lojën e disa pllakave. Janë katër pllaka kryesore të ndërthurura me njëra-tjetrën, duke bashkëvepruar me njëra-tjetrën. Kemi pllakën e Arabisë e cila me drejtim kah veri-perëndimit godet pllakën e Anatolisë. Mbi pllakën e Arabisë qëndron një pjesë e mirë e shtetit të Sirisë. Kurse mbi pllakën e Anatolisë qëndron pothuajse i gjithë shteti i Turqisë. Kontakti që këto dy pllaka kanë me njëra-tjetrën është kontakt horizontal. Ato spostohen në krahun e majtë të njëra-tjetrës. Pllaka e Turqisë nga ky fërkim fillon e spostohet drejt pjesës perëndimore derisa arrin në kontakt me Greqinë dhe ishujt e saj. Në këtë pikë drejtimi kah perëndimit nis e rrotullohet drejt jug-perëndimit. Kjo pjesë e pllakës së Anatolisë bie në kontakt me pllakën e Afrikës, e cila i vendoset poshtë.  

Gjeologu Klodian Skrame. Gazeta Si, mars 2203.

Ky sektor i pllakës së Anatolisë hypën mbi pllakën e Afrikës në pjesën e detit Egje, Greqisë. Nga ana tjetër në pjesën veriore të pllakës së Anatolisë, kemi pllakën euroaziatike e cila spostohet në një kontakt horizontal ku pllaka e Azisë shkon drejt lindjes dhe pllaka e Anatolisë drejt Perëndimit. Edhe ky është një kontakt horizontal. Aty ku ka ndodhur kontakti, ku janë takuar pllaka e Anatolisë me pllakën e Sirisë, kemi një aktivitet tejmase të theksuar. Ky kontakt reflektohet në një çarje të thellë tektonike. Kjo quhet çarje ose thyerje tektonike e Anatolisë lindore aty ku ndodhi tërmeti i fuqishëm. Çarja bie aty ku është qyteti i Stambollit. Tërmeti 7,7 i shkallës rihter pritej dhe pritet në afërsi të qytetit të Stambollit pasi kjo çarje futet brenda në det.

Rreziku më i madh që i kanoset Turqisë është formimi dhe shfaqja e Tsunameve.

A mund të shmangej tragjedia në Turqi dhe Siri në aspektin e ndërtimeve?

Në këtë pikë ku ndodhi tërmeti, tërmetet më të mëdha që kanë ndodhur dhe janë matur në historinë sizmiologjike nga njeriu, në 100 vjeçarin e fundit pritej të ishte një magnitudë në vlerën e 6.9. Ai që ndodhi ishte 32 herë më i fuqishëm në vlerë eksponenciale në krahasim me atë që mund të pritej në atë zonë. Nuk kishte të dhëna që në atë zonë të ndodhnin tërmete të kësaj magnitude. Kurse në pjesën e Stambollit pritet të ketë tërmete me magnitudë mbi 7.

Kjo e bën pak problematike. Ashtu siç ndodhi në zonën e Emilia Romanjës në 2016. Nuk pritej, por ndodhi. Kjo për mungesë të informacioneve dhe matjeve në 100 vjetët e fundit. Këto tërmete mund të shfaqen në 200-300 vite ndoshta edhe më shumë dhe rrjedhimisht nuk pritet një tërmet i tillë. Por njëkohësisht ka problematika të mëdha të aplikimit të kushtit teknik. Turqia edhe pas tërmetit të 1999 u mundua të përditësonte kushtin teknik. E aplikoi me ligj në 2007-ën. Por nuk ka zbatuar 100% eurokodet ose kushtet teknike ndërkombëtare europiane që përdor Europa Perëndimore.

Ajo që është vënë re në tërmetin e fuqishëm të këtij viti ditë më vonë me dëmtimin që kanë pësuar godinat në zonat dhe epiqendrat e tërmeteve na bën të kuptojmë që cilësia e ndërtimit ka qenë tejmase e dobët. Ndërtesat që janë ndërtuar në Turqi kanë nivelin më të ulët që mund të ekzistojë. Në çfarëdo tërmeti që mund të ndodhë, nuk mund të presim efektin “pancake”, ku soletat takohen me njëra-tjetrën. Ndërtesat janë mjaft të dobëta. Por ka pasur edhe ndërtesa që kanë mbetur në këmbë siç është ajo e “Urdhrit të Inxhinierëve”. Janë godina që janë projektuar mirë duke rritur kostot dhe llogaritur tërmet më të madh se ç’ishte parashikuar. Kjo lidhet me të gjithë profesionistët. Nuk ka lidhje fare me Japoninë ku magnitudat janë disa fish më të mëdha. Atje ka kushte teknike të veçanta, vendosen susta në gjuhën popullore që kushtojnë aq sa vetë godina.

A rrezikohet Shqipëria nga një tërmet i ngjashëm?

Jo nuk rrezikohet. Nga matjet që janë kryer në Shqipëri në vitet ‘60 e më pas dhe nga matjet që janë bërë nga shtetet fqinje nga 1900 e më pas, nga të dhënat e siguruara gjatë mijëvjeçarit të fundit nga biblioteka të ndryshme dhe interpretimi i dëmeve që kanë marrë godinat gjatë tërmeteve të ndryshme në 2 mijë vjeçarin e fundit, energjia e çliruar e përllogaritur nga këto tërmete, na bën të presim që tërmetet në Shqipëri mund të jenë të një magnitude 6.9. Kjo është e dhënë statistikore, por nuk mund ta themi me siguri të plotë. Ashtu siç ndodhi edhe në Turqi.

Çfarë na tregoi tërmeti i 2019 në Shqipëri nga pikëpamja e ndërtimeve? Si është ndërtuar para dhe pas viteve ‘90?

Ne kemi një kusht teknik të 1979 i cili ishte shkruar më herët se të ndodhte tërmeti në Malin e Zi që ne e quajmë tërmeti i Shkodrës, i cili bëri dëmtime kolosale atje. Duke qenë se ishin kushte të studiuara dhe shkruara më parë, arritën të futeshin në fuqi në 1979.

Në ‘89 janë përmirësuar disa elementë të këtij kushti. Por ajo që ndodh është që nga 1989 deri më sot nuk ka patur asnjë ndryshim. Edhe pas tërmetit të 2019.

Në fuqi vijon të jetë Kushti teknik shqiptar. Nga pikëpamja ligjore duhet të projektohet me atë kusht teknik. Pas tërmetit të 2019 doli një VKM që hyri në fuqi në janar 2020 që ka disa specifika për studimin e riskut gjeologjik. Kjo për sa i përket ndërtimeve që duhen bërë mbi bazën e studimeve gjeologjjke, inxhinierike që mundohen të huazojnë disa elemente të Kushtit teknik europian dhe ti aplikojnë disi përmes kësaj VKM. Është e mirë sepse kërkohet për të gjitha llojet e godinave, por nuk mjafton.

Ajo që duhet bërë sa më shpejt, përpara tërmetit të radhës është të adoptojmë kodet europiane me detyrim. Automatikisht do të kemi përmirësim të projektimit dhe ndërtimit të veprave.

A është reflektuar tërmeti i 2019 në ndërtimet e sotme?

Aktualisht kemi kushtin teknik të ‘89 dhe VKM të 2020. Qoftë nga pasojat e tërmetit, qoftë nga frika e shumë problematikave në Shqipëri, qoftë nga rrëshqitjet kur ndërtojmë nëpër kodra, brigje dhe këneta, ka një pjesë profesionistësh që ndërtojnë me eurokode për të mos patur kosto dhe problematika.

Sepse veprat duhet të qëndrojnë operative, e sipas kategorive nga 50-200 vjet.

Në këto kushte, kushti teknik shqiptar është jashtë kohe. Eurokodet i aplikojnë individualisht me ndërgjegje disa profesionistë të caktuar.

A do të hyjnë në fuqi eurokodet?

Pyetje shumë interesante, por nuk e di. Do ta shpresoja. Në 2003 ndodhi një tërmet në Itali, San Giuliano, Puglia me pasojë vdekjen e 11 nxënësve dhe një mësueseje, u shemb një shkollë dhe menjëherë nisën studimet për tokën, mikrosizmiologjinë, si sillen zona të ndryshme ndaj të njëjtit tërmet etj por sapo arritën të adoptoheshin me kodet e 2008 nuk patën kohë se ra tërmeti i 2009 në Aquila.

Është e rëndësishme mikrosizmika. Njohja me pëllëmbë e çdo qarku. Kjo është bërë në Itali dhe Greqi. Kur njeh territorin, projekton më mirë. Kur vendos të ndërtosh në zona problematike përdor kushte teknike specifike.

Në Europë po planifikohet të hyjë në fuqi Eurocod 9. Ne nuk kemi ende 8. Një zgjidhje e mirë meqenëse kemi të njëjtën sizmiologji dhe dinamika është të përdorim me ligj atë që përdor Italia.

Minimumi për Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Shkodër, Sarandë të bëhet studim mikrozonimi. Pastaj vlerësimi i stokut të godinave ekzistuese para dhe pas viteve ‘90 për të kuptuar sa e përballojnë tërmetin. Mandej të përgatitemi për emergjencën civile.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë