Nga Gazeta ‘Si’- Javë të tëra konflikti kanë përkeqësuar ndjeshëm gjendjen ekonomike të Iranit, duke shtuar rrezikun për një krizë të thellë pas përfundimit të luftës.
Megjithatë, pavarësisht presionit të fortë nga jashtë, Republika Islamike duket se ka ende kapacitete për të përballuar përplasjen me SHBA-në dhe aleatët e saj, të paktën në afat të shkurtër.
Pas armëpushimit të 8 prillit, situata mbetet në një ngërç të brishtë. Irani është përballë një bllokade amerikane që ka goditur rëndë eksportet e energjisë, ndërsa vetë ka mbajtur të mbyllur Ngushticën strategjike të Hormuzit- një arterie jetike për tregtinë globale të naftës. Bisedimet për një armëpushim të qëndrueshëm me SHBA-në dhe Izraelin mbeten të bllokuara, duke e lënë rajonin në një situatë të paqartë dhe të tensionuar.

Dëmet nga lufta janë të konsiderueshme: infrastruktura dhe industria janë goditur, ndërsa eksportet e naftës janë tkurrur ndjeshëm. Të dhënat e transportit tregojnë se vetëm një pjesë e vogël e naftës së ngarkuar arrin të eksportohet, ndërsa kapacitetet e magazinimit po afrohen drejt limiteve.
Megjithatë, ekspertët besojnë se Irani mund të vazhdojë prodhimin edhe për disa javë të tjera përpara se të detyrohet ta kufizojë atë.
Pavarësisht kësaj tabloje të zymtë, ekonomia iraniane nuk ka hyrë ende në kolaps.
Vendi ka furnizime të mjaftueshme të brendshme, një nivel të qëndrueshëm tregtie me vendet fqinje dhe rezerva të konsiderueshme, përfshirë edhe ar. Autoritetet nuk kanë ndërmarrë masa drastike si kufizimi i tërheqjeve bankare apo racionimi i ushqimeve, ndërsa tregjet dhe institucionet vazhdojnë të funksionojnë.
Në këtë kontekst, nëse presidenti amerikan Donald Trump pret që Irani të dorëzohet i pari në këtë “luftë nervash” ekonomike, ai mund të zhgënjehet. Sipas analistëve ndërkombëtarë, udhëheqja iraniane ka ndërtuar një strategji për rezistencë afatgjatë, duke llogaritur më shumë durim sesa parashikojnë vendet perëndimore.
Ky model njihet si “ekonomia e rezistencës”-një qasje që mbështetet në burimet e brendshme, në tregtinë tokësore dhe në shmangien e sanksioneve përmes rrugëve alternative. Pas dekadash përballjeje me masa ndëshkuese ndërkombëtare, Teherani ka krijuar mekanizma për të mbajtur në këmbë importet dhe për të amortizuar goditjet ekonomike, edhe në kushte izolimi.

Megjithatë, kostoja sociale dhe ekonomike po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Monedha kombëtare ka humbur ndjeshëm vlerë, inflacioni mbetet i lartë dhe bizneset po përballen me rënie të fortë të aktivitetit. Në rrugët e Teheranit, tregtarët raportojnë ulje drastike të shitjeve, ndërsa sektorë të tërë janë ngadalësuar për shkak të ndërprerjeve në zinxhirin e furnizimit dhe kufizimeve të tjera.
Papunësia është në rritje dhe presioni mbi qytetarët po shtohet, duke ringjallur frikën për protesta të reja masive. Autoritetet iraniane e kanë përjetuar tashmë këtë skenar më herët gjatë vitit, kur trazirat u shtypën me forcë, në një nga episodet më të dhunshme të dekadave të fundit.
Ndërkohë, Irani ka ndërmarrë masa parandaluese për të përballuar krizën: ka rritur importet për të krijuar rezerva, ka lehtësuar kushtet për kreditë e vogla dhe ka ndërhyrë për të stabilizuar sistemin bankar.
Një korrje më e mirë bujqësore këtë vit pritet gjithashtu të ulë varësinë nga importet e grurit, duke zbutur një tjetër pikë presioni.
Edhe në planin ndërkombëtar, vendi po përpiqet të anashkalojë bllokadën. Tregtia tokësore me fqinjët vazhdon, ndërsa bashkëpunimi me vende si Rusia është rritur, duke përdorur rrugë alternative për furnizime dhe eksport.
Megjithatë, perspektiva afatmesme mbetet e pasigurt. Për të shmangur një krizë të plotë ekonomike, Irani ka nevojë për lehtësim sanksionesh dhe akses në rezervat valutore jashtë vendit, si dhe për një rikthim më të plotë në tregjet globale të energjisë.
Megjithëse nuk është në prag kolapsi të menjëhershëm, ekonomia iraniane po operon nën presion ekstrem. Qëndrueshmëria e saj do të varet nga kohëzgjatja e bllokadës, zhvillimet politike dhe aftësia për të arritur një marrëveshje që mund të hapë rrugën për rimëkëmbje.
Marrë nga Reuters/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje