Futboll

Kolaps te Danimarka, kombëtarja krijohet me lojtarë amatorë

Një kombëtare çerekfinaliste e Kupës se Botës dhe e renditur në vendin e 9 në ranglistën e FIFA është në prag të telasheve të mëdha. Një problem me kontratat e sponsorizimit dhe të drejtat e imazhit të sportistëve profesionistë kanë bërë që kombëtarja e Danimarkës të rrezikonte seriozisht pjesëmarrjen në kompeticionin më të ri Uefa Nations League, i cili nis ditën e enjte.

Zanafilla e problemit

Eriksen dhe lojtarët e tjerë danez gjatë kampionatit botëror të këtij viti.

Pas kampionatit botëror, “Rusi 2018”, Federata daneze e futbollit (DBU) vendosi të ndryshonte rregullat për kontratat e sponsorizimeve. Sipas këtij ndryshimi, lojtarët e kombëtares së Danimarkës do të ishin të detyruar që të mbanin në fanellë edhe markat e sponsorëve dytësorë të federatës, ndryshe nga ç’ishte bërë deri më tani, ku ishin të detyruar të mbanin në bluzat e stërvitjes vetëm sponsorin gjeneral të kombëtares. Futbollistët danezë, një pjesë e madhe e tyre kanë kontrata individuale sponosorizimi dhe ky rregull i ndryshuar nga Federata, krijonte probleme financiare për ta. Më i rëndë ky dëm do të ishte për yllin danez të futbollit, Christian Eriksen. Sulmuesi i Totenham më pas u mbështet nga të gjithë futbollistët e kombëtares. Por sensibilizimi u bë akoma dhe më i gjerë, duke shkuar deri në të gjithë lojtarët danez të kategorive profesioniste.  

Nga kërcënimi te bojkoti i kombëtares

Lojtarët e Danimarkës gjatë kampionatit botëror "Rusi 2018"

Greva në fillim dukej si një kërcënim i futbollistëve që nuk do të bëhej realitet ndonjëherë. Por nga kërcënimi dhe fjalët çdo gjë u bë realitet dhe asnjë futbollist profesionist danez nga tre kategoritë e para, apo lojtarë që luajnë jashtë, nuk pranuan të grumbullohen më kombëtaren. Gjendja ishte e rëndë dhe nëse Danimarka nuk do të paraqitej në ndeshjen e programuar ditën e diele për Ligën e Kombeve kundër Uellsit,  sanksionet do të ishin shumë të ashpra. Danimarka përveç gjobave shumë të mëdha që rrezikonte nga UEFA, mund edhe të përjashtohej për disa vite nga të gjitha kompeticionet ndërkombëtare. “Ne duhet të luajmë me kombëtaren e futsallës në këto ndeshje për të shmangur miliona euro gjoba dhe përjashtimin e kombëtares për disa vite nga kompeticionet ndërkombëtare.”- është shprehur zyrtari i DBU Kim Hallberg.

Krijimi i një kombëtare me lojtarë amatorë

Kombëtarja e Danimarkës me lojtarë amatorë që luajti përballë Sllovakisë të mërkurën e datës 5 shkurt

Me futbollistë si Christian Eriksen apo Simon Kjaer, Danimarka ditën e diele në Aarhus do të jetë e detyruar të zbresë në fushë me lojtarë amatorë. Disa kamarierë, disa të tjerë punëtore ndërtimi, por ka edhe nga ata që janë të papunë. Kjo ishte përbërja e skuadrës së Danimarkës në ndeshjen miqësore me Sllovakinë. Të gjithë këta lojtarë që futbollin nuk e kanë profesion, por një çështje të dytë do të përballen edhe me Uellsin e Gareth Bale. Përveç lojtarëve, problem i madh ishte edhe trajneri që do të qëndronte në stol për këtë ndeshje, pasi Åge Hareide iu bashkua grevës së futbollistëve. Në këto kushte në rolin e trajnerit emergjent u emërua John Jensen.

Pritet që pas ndeshjes në Ligën e Kombeve me skuadrën e Uellsit, Federata e Danimarkës  të ulet në një tryezë diskutimi me futbollistët dhe të merret një vendim lidhur me këtë gjendje aspak të zakontë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë