Politike

‘Koincidencat’ e takimit Rama-Mitsotakis

Nga Gazeta ‘Si’– Koincidencat e takimeve të Ramës me homologun grek Mistotakis, përtej kortezisë diplomatike, në prapaskenë kanë prodhuar edhe puqje interesash ekonomike.

Tre ditë pas takimit ‘kokë më kokë’ me Mitsotakis, erdhi dhe zyrtarizimi i marrëveshjes për gazin, e cila u nënshkrua mes tre kompanive, ndër to dhe ajo greke Aktor LNG.

Edhe pse për këtë marrëveshje ambasadorja amerikane në Greqi kishte deklaruar më herët se po punohej, për këdo që e sheh më gjerë, këto sinjale tregojnë për një model: pas takimeve politike, pasojnë lëvizje ekonomike specifike, lobimet për të cilat, nuk bëhen gjithmonë në takimet bilaterale ‘me kostum’.

AKTOR nuk është një emër i ri për Shqipërinë dhe as pa histori.

Kompania ka pasur përplasje dhe procese ligjore me shtetin shqiptar, të lidhura me projekte të infrastrukturore dhe pretendime financiare, për aksin Tiranë-Elbasan. Në 2020-n, Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit (ICC), i dha të drejtë kësaj kompanie, duke detyruar shtetin shqiptar t’i pagujë 44 milionë euro.

Por pavarësisht kësaj marrëdhënie të tensionuar, hapja e derës për marrëveshje të reja në sektorë strategjikë si energjia apo gazi krijon një kontrast të fortë dhe ngre një dilemë të thjeshtë: si është e mundur që një kompani me të cilën ke qenë në konflikt ligjor, të shihet njëkohësisht si partnere për projekte të tjera madhore?

E njëjta kompani, ka hyrë edhe në sektorin minerar shqiptar- përmes një marrëveshjeje strategjike me Fondacionin BNI, duke synuar shfrytëzimin e nikelit dhe kobaltit, dy nga mineralet më të kërkuara në botë.

Projekti në zonën e Bilishtit, i zhvilluar në bashkëpunim me BrightNest dhe me mbështetje të kapitalit amerikan, nuk është një investim i zakonshëm.

Me një vlerë që mund të shkojë deri në 1 miliard euro dhe me fokus në nikel dhe kobalt, ai prek një nga sektorët më strategjikë sot: mineralet kritike për industrinë globale dhe tranzicionin energjetik.

Fakti që një projekt i kësaj përmase merr dritën jeshile në një moment kur intensifikohen kontaktet politike mes dy qeverive, ngre disa pikëpyetje legjitime: A është vërtet rastësi që një projekt i tillë merr hov pikërisht në një moment kur marrëdhëniet politike paraqiten aq të mira?

Apo këto takime shërbejnë edhe si një lloj “paradhome” ku diskutohen hyrje konkrete biznesesh në Shqipëri?

Investimi në Bilisht nuk duket si një rast i izoluar, por si pjesë e një tabloje më të gjerë ku diplomacia dhe biznesi ndërthuren.

Dhe në fakt, këto nuk janë vetëm ‘rastësitë’ e para të kësaj natyre.

Edhe pas vizitës së fundit së Mitsotakis në Shqipëri, në tetor të 2023-shit në Tiranë, u raportua për një kompani farmaceutike greke e cila rezultoi përfituese e koncesionit të laboratorëve në Shqipëri, një tjetër sektor me ndikim të drejtpërdrejtë tek publiku.

Duke parë ‘rastësinë’ e këtyre kontratave, natyrshëm na lind pyetja: Sa transparente janë këto marrëdhënie dhe në çfarë mase interesat kombëtare peshohen kundrejt marrëveshjeve të arritura në nivele të larta politike?

Sepse, nëse çdo vizitë e nivelit të lartë pasohet nga hyrja e një aktori të ri ekonomik në sektorë strategjikë, atëherë është e vështirë të besohet se bëhet fjalë vetëm për “takime diplomatike.”

Gjasat janë që kemi të bëjmë me një diplomaci aktive ekonomike ku marrëveshjet reale nuk shpallen gjithmonë në konferenca për shtyp, por materializohen më vonë në projekte konkrete me ndikim të gjatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë