“Rusi 2018” ka mbyllur fazën në grupe dhe tashmë gjysma e skuadrave janë kthyer në shtëpi. Shumë gola gjatë ndeshjeve në grup janë shënuar edhe në kohën shtesë, madje kanë qenë vendimtarë. Po si do të ishte Botërori i Rusisë pa golat në frymën e fundit?!
I pari ishte Uruguai që e gjeti fitoren në minutën e fundit. Skuadra e Oskar Tabarez në fakt shënoi pak sekonda para se të niste shtesa në ndeshjen me Egjiptin. Gimenez i dha fitoren Uruguait, por çfarë do të ndodhte, nëse ndeshja do të mbyllej 0-0? Pak do ndryshonte në fakt, sepse Uruguai më pas mundi Arabinë dhe Rusinë, kështu që do ta kalonte grupin gjithsesi, edhe pse pa pikë të plota. Ishte një pikë kyçe ky gol për aspektin psikologjik, pasi karikoi Uruguain dhe destabilizoi Egjiptin, që më pas nuk e mori dot veten.
Ndryshon gjithçka në Grupin B nga golat në shtesë. Portugalia, pa minutat shtesë, do të ishte e para. Spanja ka përfituar më shumë se të gjithë nga koha shtesë. Në minutën e 90-të spanjollët ishin të dytët, pasi Portugalia po fitonte me Iranin dhe skuadra e Hierrros po humbte me Marokun. Golat e Aspas dhe Ansarifard përmbysën gjithçka në lidhje me fatin e grupit, ndoshta edhe të Botërorit për iberikët.
Por edhe Brazili favorit ka përfituar. Pa kohën shtesë do të ishte i dyti në grup dhe do ta kishte bërë tabelën më të të ekuilibruar. Pas barazimit me Zvicrën, Seleçao mundi Kostarikën, duke shënuar dy gola në shtesë, si dhe përfitoi nga barazimi i Zvicrës me Kostarikën, nga autogoli i portierit Somer. Pa paragjykuar, mund të ketë qenë autogoli më me vlera në histori, duke qenë se Zvicra do të luajë me Suedinë në 1/8 dhe eviton në këtë mënyrë Argjentinën, Anglinë, Portugalinë dhe Francën.
Koha shtesë ia dha pikët, koha shtesë ia hoqi. Gjermania mund t’i falet dhe mund të mallkojë në të njëjtën kohë minutat shtesë, që e lejuan të mbetej në garë për kualifikimin dhe më pas e fundosën. Goli i Toni Krosit me Suedinë u duk se i futi tamam në lojë kampionët, por shttesa me Korejë e Jugut ishte vrastare. Gjermanët vendosën kështu tre rekorde: iu bashkuan klubit të Koreve, ku janë në shoqëri të mirë, bashkë me Italinë dhe Portugalinë, nuk kaluan grupin, duke konfirmuar mallkimin e kampionit (ashtu si (Franca, Italia dhe Spanja), si dhe u eliminuan për herë të parë në grup në historinë e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.