Trend

Klonet e bukurisë: Pse Influencueset e Instagramit ngjajnë të gjitha njëlloj? 

“Pse të jesh ti, kur mund të jesh unë?” Kjo pyetje ishte pjesë e një fushate sociale marketingu në vitet ’90, krijuar nga “Concerned Children’s Advertisers” dhe “Health Canada”. Në klip, dy vajza të reja hyjnë në një “butik” që ofron produkte dhe procedura, të cilat u vijnë në ndihmë konsumatorëve për të ndryshuar paraqitjet dhe personalitetet e tyre. “Mos u kënaq vetëm duke qenë vetja”, thotë zëri i një gruaje,  ndërsa një nga vajzat po shqyrtohet nga artisti grimier, i cili ia mbulon buzët me një pigment, në rozë të ndezur. “Pse të jesh ti, kur mund të jesh unë?”, thotë ajo. Kjo fushatë reklamuese duket më e rëndësishme se kurrë sot, me atë pyetje që përfaqëson saktësisht llojin e sjelljes që po përjetëson media sociale: Pse të jesh vetja kur mund të jesh si të gjithë njerëzit e famshëm dhe të bukur, si Kylie Jenner? Influencueset e medies sociale këto kohë, kanë nisur të ngjajnë të gjitha si klone të bukurisë. E njeh atë pamje: buzë të plota, vetulla përsosmërisht të harkuara dhe hijezim mollëzash. Me pak furça grimi, një gamë hijezuesish dhe pak ngjyra pa shkëlqim për buzët, mund të jesh rrugës për t’u dukur si kushdo tjetër. Po përse të dukurit  si kushdo tjetër është diçka që e synojmë? Ka një sërë faktorësh që luajnë rol, si  dëshira për t’u përshtatur dhe prirja për të imituar të famshmit dhe influencuesit. Të tjerë kanë shkruar, më herët,për atë që njihet ndryshe si “Grimi për Instagram” dhe “Fytyra e Instagramit”, por tendenca po bëhet më e fortë. Kemi biseduar me Rachel Weingarten,  historiane e bukurisë, Renee Engeln, profesore e psikologjisë dhe autore e librit “Të sëmurët e Bukurisë: Si i lëndon vajzat dhe gratë fiksimi kulturor me paraqitjen” dhe Dr. Michael Brustein,  psikolog klinik, për të marrë disa përgjigje.

Kylie Jenner

Por, si mbërritëm në këtë pikë?

Në kohët përpara medies sociale, siç shpjegon Weingarten, zakonet tona të bukurisë përkufizoheshin nga faktorë si gjeografia dhe etnia. Për shembull, thotë ajo, nëse jetoje në një zonë të Azisë, mund të kishte përdorur zbardhues lëkure, ose nëse jetoje në Francë, në vitet 1700, me siguri kishe pudrosur parukën. “Ishte e  izoluar në një çast dhe vend të dhënë, ashtu si edhe feja apo bindjet”, thotë ajo, duke shtuar se në fund të 1800-ës dhe pjesërisht më 1900-ën, revistat nisën t’u hapnin sytë njerëzve,  rreth risive. “Koha kur gjërat nisën vërtet të ndikojnë tek bukuria ishte rreth viteve ’40 dhe ’50, kur të famshmit nisën të shfaqen në revista si ideale të bukurisë”, thotë ajo. “Më pas, të gjithë nisën të kopjojnë të famshmit.” Falë internetit, thotë Weingarten, njerëzit nuk kishin më pse të udhëtonin për të parë tendencat e bukurisë nga e gjithë bota, as nuk duhet të prisnim që të vinin ato tek ne. Për shkak të kësaj, mësojmë rreth tendencave që janë popullore në anë të tjera të botës, shumë më shpejt se ç’mund të kishte ndodhur në të shkuarën dhe mund të marrim pjesë në to. “Gjëja tjetër që ndodh është se njerëzit nuk përcaktohen më aq qartë nga etnia, raca apo edhe gjinia”, thotë Weingarten.  Ajo që kemi tani është një lloj versioni agresiv të  asaj çka duket si risia  në bukurinë multi-kulturore”, shton ajo, duke shpjeguar se pamjet e grimuara popullore që shohim në Instagram – sërish janë sytë e mprehtë të maces, buzët e plota,  lyer me ngjyra mat dhe vetullat e krehura me kujdes – mund të funksionojnë teknikisht tek njerëzit me çdo lloj tonaliteti lëkurë apo kombësie. Në këtë kuptim, pamja është e arritshme, që është ndoshta edhe arsyeja pse shumë njerëz online, pajtohen me të.

Njerëzit duan të përshtaten

Duke folur rreth pajtimit, kuptojmë se njerëzit duan të përshtaten. Një mënyrë për ta bërë këtë, veçanërisht online, është të modelosh veten sipas figurave më popullore,  të medies sociale. Të famshmit, veçanërisht ato si Kylie Jenner, që kanë çimentuar ndjekës masivë në llogaritë e tyre të Instagramit, mbushur plot selfie, “kanë nisur të përfaqësojnë vërtet tendencat e bukurisë”, thotë Engeln. Brustein bie dakord, duke theksuar se të famshmit janë nxitës i madh i idealeve,  që shoqëria ka për bukurinë dhe,  në përpjekje për t’u përshtatur në këto modele, shumë imitojnë të famshmit. Duke folur në përgjithësi, të famshmit dhe modelet e Instagramit shiheshin si “ajo çka konsiderohet si tërheqëse”, thotë Brustein, duke shtuar se ai mendon se njerëzit duan të përshtaten dhe të jetojmë me ato ideale, në mënyrë që ta ndihmojnë veten për t’u ndjerë mirë. “Po e modelojnë pas të famshmëve dhe mendoj vërtet  se kjo i tërheq”, thotë ai, “Nëse kam këtë, ndihem mirë, ndihem me vlerë, ndihem e vlerësuar.”  Pasi  i vendosin në profilin e tyre të Instagramit, përforcohet përmes medies sociale, kur nis të qarkullojë. I  bën njerëzit të ndihen me vetëbesim. “Njerëzit janë krijesa sociale nga natyra, dhe kemi një ngasje të fuqishme për pranim social”, shton Engeln.

Në kohët e sotme, gjithçka sillet rreth Kardashianëve dhe asaj ç’ka disa e kanë quajtur si “Efekti Kardashian” – për shembull “Aftësia e Kardashianëve për të ndikuar në zakonet konsumatore.” Shihni Kylie-in, e njohur gjerësisht për buzët e saj mishtore. Shumë njerëz do të donin të kishin për vete buzët e 20-vjeçares sa janë gati të dëmtojnë veten për të pasur atë pamje, edhe nëse kjo do të ishte e përkohshme. Ndikimi i Kylie-it mbi tendencat e bukurisë,  i dhanë dorë asaj të krijonte një perandori bukurie miliarda dollarësh. “Në këtë pikë, pamja e Kylie-it u bë simbolike për bukurinë, për disa arsye. Është më përfshirëse, le të themi, se pamje e një biondeje me sy bojëqielli e fillimviteve ’70 apo e viteve ’50. Njerëzit ndiejnë se është një bukuri e arritshme”, thotë Weingarten. Padyshim që filtrat dhe aplikacionet e retushimit luajnë rol në këtë tendencë, gjithashtu. Jo vetëm që individët po e modelojnë veten si njëri-tjetri, por gjithashtu po i retushojnë fotot e tyre, duke përdorur të njëjtat mjete. Për shembull, një aplikacion si “Facetune”, u lejon përdoruesve të lëmojnë lëkurën dhe t’i bëjnë sytë të duken më të mëdhenj dhe më të shndritshëm. Pastaj është edhe  aspekti i kirurgjisë estetike. Ndërsa jo të gjithë janë të hapur rreth ndërhyrjeve që kanë bërë, ka një shans që njerëzit po i theksojnë tiparet e tyre me gjilpëra dhe mbushës. E dimë se filtrat e Instagramit dhe Snapchat-it po i frymëzojnë individët të lënë një takim tek kirurgu plastik, por dikush mund të argumentojë se imazhet, në dukje “pa filtra” apo individët “e patëmetë” kanë një ndikim të ngjashëm.

Ç’do të thotë e gjithë kjo?

Për Weingarten, Brustein dhe Engeln, urgjenca e kësaj shprehie homogjene  të bukurisë mund të jetë problematike. Nga njëra anë, disa njerëz mund ta shohin të pajtueshme se një standard bukurie mund të ndihmojë me vetëbesimin dhe vetëvlerësimin. Ashtu siç e shpjegon Brustein , “përshtatja u jep njerëzve një ndjesi kohezioni. Ata nuk duan të shihen si të jashtëm.” Kjo rritje në vetëbesim, megjithatë, ka gjasa të jetë jetëshkurtër, veçanërisht nëse bëhesh më e fiksuar me përfaqësimin e një versioni të manipuluar të vetes, në mediet sociale. “Në afatgjatë, nëse je e shqetësuar me  përshtatjen,  mund të të çojë drejt emocioneve negative apo stresit, për shkak se identiteti yt është i lidhur me hasjen e këtyre pritshmërive që rrjedhin nga një normë sociale, e zhvilluar nga media apo nga një i famshëm, që ne e veshim me pushtet”, thotë Brustein. Duhet të theksohet se jo kushdo që merr pjesë në tendencat aktuale të Instagramit do ta gjejë veten të thithur në vrimën e zezë të pakënaqësisë me jetët e tyre. Sekreti është t’i mbash gjërat e ndara e të mos lejosh që alteregoja e medies sociale të përkufizojë atë që je vërtet, thotë Brustein.

Foto e retushuar me aplikacionin "Facetune"

Weingarten e sheh tendencën e njerëzve që duken njëlloj “shumë shqetësuese” dhe në opinionin e saj, ndrydh “eksperimentimin që vajzat adoleshente bënin dikur.” “Presioni për t’u dukur në një lloj mënyre,  nis më herët se kurrë. Vajzat nuk kalojnë më mes provave dhe dështimeve”, thotë ajo. “Një nga kujtimet e mia më të forta të rinisë ishte të provoja ato tendencat qesharake të grimit, por tani, ato thjesht kopjojnë, nuk ka asgjë origjinale aty. Është e trishtueshme.” Ashtu siç e parashtron Engeln, çështja është se “nuk ngjajmë të gjithë njëlloj. Nuk ngjajmë të gjithë të rinj dhe nuk kemi të gjithë buzë të plota dhe lëkurë të lëmuar dhe ky  lloj njëtrajtësie, është mohimi i vërtetë i tipareve fizike njerëzore”, thotë ajo. “Mendoj se është e shëmtuar, pavarësisht gjithçkaje. Ai lloj mohimi i lëndon njerëzit. I bën të ndihen të fshirë dhe për gratë në veçanti, i bën të shpenzojnë një Zot e di sesa kohë në përpjekje pa pushim për të pasur atë pamje, të cilat mund të mos jenë në gjenetikisht në gjendje ta kenë.”

Është gjithashtu e rëndësishme të kesh parasysh se jo të gjithë në Instagram apo në  mediet sociale në përgjithësi, po përjetësojnë këtë standard homogjen të bukurisë. “Një nga gjërat e mia që media sociale bën, është se u lejon njerëzve të kërkojnë ushqimin që përfaqëson më shumë larmi. Kështu që nuk ke pse rri aty ku çdo fytyrë të ngjan njëlloj. Ke opsione jashtë saj”, thotë Engeln. “Mendoj se ky është premtimi. Media sociale po demokratizon në shumë mënyra. Nuk po le vetëm revistat e modës që diktojnë se ç’fytyrë të shohim. Mendoj se kjo është madhështore”. Për më tepër, nuk ka nevojë të turpërojmë ata që marrin pjesë apo gjejnë ngushëllim në pajtimin me tendencat aktuale të bukurisë. Nuk ka gjë të gabuar nëse dëshiron të ngjasosh, por, siç shpjegon Engeln, kur shohim vazhdimisht imazhe që janë larg prej asaj sesi njerëzit ngjajnë në jetën e vërtetë, mund të ketë kosto psikologjike. “Jo vetëm se sheh fotografinë e dikujt tjetër që duket përsosur dhe ndihesh keq”, thotë ajo. “Edhe për personin që ka postuar atë fotografi – ata duhet të luftojnë me hendekun mes asaj ç’ka i kanë bërë fytyrës së tyre në fotografi dhe asaj ç’ka shohin në të vërtetë në pasqyrë,  kur zgjohen në mëngjes.” Shumica prej nesh nuk zgjohen në mëngjes me pamje  të patëmetë”, thotë ajo.  *Julia Brucculieri/ Huffington Post


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë