Kinema

Kinematë u hapën, por a do të kthehet publiku?

Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për të hapur kinematë, në të njëjtën ditë kur të gjithë qytetarët detyrohen të mbajnë maskat edhe në mjedise të hapura, i gjeti edhe vetë ato të papërgatitura.

“Na ra si bombë”, thoshte një përfaqësuese e rrjetit të kinemave “Cineplexx” pas lajmit, ndërsa pas shtatë muajsh mbylljeje është e vështirë për kinematë të sigurojnë filma të rinj, pasi shumë prej tyre i kanë anuluar premierat në kinema.

Ndonëse teknikisht gati për të zbatuar protokollet e masave mbrojtëse kundër koronavirusit, me dezinfektimin e sallave dhe reduktimin e kapacitetit deri në 30 përqind, kinematë thonë se publiku duhet ende të presë edhe pak sa gjithçka të kthehet si para pandemisë.

Kinema "Agimi", Tiranë

Në oborret e kinemave janë ende afishet e vjetra, ndërsa tanimë u duhet të diskutojnë me distributorët mbi ofertat. Punën e vështirësojnë titujt e filmave “blockbuster”, të cilët janë shtyrë.Një nga të shumëpriturit e këtij viti, i riu i sagës James Bond “No Time to Die”, e ka shtyrë prezantimin më 2021-shin dhe shpëtimtari i kinemave  kudo në botë - të cilat janë të fundit ndër bizneset e hapura – shihet “Tenet” i regjisorit Christofer Nolan, i cili u prezantua në fillim të shtatorit në kinematë amerikane, i shtyrë për shkak të pandemisë nga data fillestare, në korrik.“Është një vit i frikshëm për të gjithë industrinë” ,thoshte Ingrid Xhaja,  menaxherja e marketingut të Cineplexx në një intervistë televizive.

Por t’i kthesh njerëzit tek kinematë gjatë pandemisë duhet më shumë sesa t’u ofrosh filmat që duan të shohin. Kinematë duhet të fitojnë mbi konsumatorët që janë mësuar t’i shohin filma në shtëpi gjatë muajve të karantinës, por edhe pas hapjes graduale dhe që nuk ndihen të sigurt për t’u ulur brenda kinemave, me të panjohur për orë të tëra.

Nëse ka njerëz që sfidojnë duke mos e mbajtur maskën në rrugë, pavarësisht se shkelja do të thotë gjobë nga 3 deri në 5 mijë lekë, kush e jep sigurinë se sapo të bjerë terri në sallën e kinemasë nuk do ta heqin maskën?

Kinema Millenium, Tiranë

Megjithëse qytetet u hapën, me rrezikun e një karantine të dytë kur numrat e infektimeve dhe të vdekjeve po rriten veçanërisht në Europë, do të duhet shumë kohë që njerëzit t’u kthehen kinemave.Por ndryshe nga sportet që mund të luhen me stadiume bosh, filmat nuk mund të luhen me kinema të zbrazëta. Tabloja  është e zymtë kudo. Me gjithë vendimin për t’i rihapur kinematë, mungojnë titujt që do të siguronin joshjen e audiencave dhe për pasojë edhe arkëtimet.

Në një vëzhgim, në ShBA i kryer me 2200 individë gjatë shtatorit, vetëm 18 përqind e konsumatorëve ndiheshin rehat me kthimin në kinema.Gjatë historisë së filmit  ka pasur një sërë ngjarjesh  që e kanë ndryshuar përgjithmonë biznesin. Në fillim ishte futja e  tingullit. Së dyti, televizioni. Shfaqja e filmave internet po bëhej pengesa e tretë  dhe tani sfidave u shtohet koronavirusi.

Edhe Hollivudi do të duhet të qartësojë idetë,  nëse industria e kinemave do të rimëkëmbet pasi u rrënua nga koronavirusi.Pandemia nxori miliona njerëz pa punë, duke kufizuar kështu të ardhurat dhe  konsumatorët në këtë pikë u mësuan me të qëndruarit në shtëpi, duke parë filma në Netflix apo shërbime të tjera “streaming” me një kosto mujore që shkon thuajse sa ajo e një bilete.

Rrjeti i kinemave Cineplexx, Tiranë

Publiku do të duhet të shtrojë pyetjen, përballë valë së dytë të pandemisë, nëse ia vlen të rrezikojë brenda ambienteve të mbyllura. Por një valë e dytë e pandemisë do të shuante edhe entuziazmin e rihapjes dhe të fundoste edhe më thellë biznesin e kinemave. Gjatë verës dhe ditëve të para me mot të mirë në vjeshtë, njerëzit e teatrit dhe kinemasë u munduan të gjejnë alternativa, me shfaqje në ajër të hapur si në sheshe apo amfiteatro – ku nuk mungonte publiku që kishte përshtatur një sjellje më sportive , jo vetëm me veshjet, por edhe me konsumin e ushqimit të shpejtë gjatë një shfaqje teatri -, dimri e bën të pamundur shfrytëzimin e natyrës dhe kinemave të hapura.

Ndoshta ofertat me ulje të çmimeve të biletave mund të shërbente si tërheqje për kinedashësit, edhe pse shumë prej tyre të mbledhur në grupe diskutimi në facebook, pak e zënë në gojë hapjen e kinemave, për aq kohë sa platforma të tjera online u sigurojnë shikimin e filmave.

Kinema Millenium, Shkodër

Pronarët e kinemave  do të duhet të marrin në konsideratë marrëveshjet me Netflix, Amazon dhe shërbime të tjera SVOD, për të pasur më shumë produkte në ekranet e kinemave. Netflix ka vijuar i patrazuar në prezantimin e filmave të rinj, me thuajse një titull premierë ccdo dy ditë, duke sjellë prodhime me yje të mëdhenj të Hollivudit  në filma si “The Old Guard”, “Extraction” apo  “Project Power”.

Amfiteatri i Liqenit si kinema e hapur për TIFF

Mbase premeriat me kinematë e mbushura dingas do të zëvendësohen nga shfaqjet në shtëpi. edhe nëse kinematë i mbijetojnë pandemisë, do të kthehen ngadalë e do u duhet edhe një vit dhe rrezikojnë të kthehen në biznese me të vegjël. Frekuentimi i kinemave arriti majat më 1946-n, një vit pasi bota ishte ndarë nga Lufta e Dytë Botërore dhe ka parë një rënie të ngadaltë prej asaj kohe dhe kjo, edhe më përpara se të shkoje në kinema të përbënte rrezik për jetën.

Në vitet 1930, ishte rreth 60 përqind e popullsisë që shkonte në kinema, çdo javë. Sot mesatarja është një film, çdo tre muaj. Frekuentimi i kinemave u tkurr rëndë me prezantimin e televizionit më 1948-n. Shumë prej nesh ishim të lumtur të këmbenim biletat dhe ekranin e madh,  për reklamat në atë të voglin. Për më tepër, televizioni do të thoshte ushqim më i mirë dhe më pak i kushtueshëm dhe rehatinë e shtëpisë. Biznesi i kinemave është rreth 10 deri 14 përqind,  nga ai që ka  qenë në vitet ’40.

Kinema Republika, në kryeqytet, vitet '30

Humbjet e kinemave  janë rikuperuar nga transmetimet në TV dhe kabllorë, kasetat dhe DVD dhe shërbimet streaming  si Netflix, Amazon Prime apo Apple TV+, për të përmendur disa nga gjigantët e biznesit. Mes viteve 1948- 2014 filmat në kinema nënkuptonin histori më të mëdha, yje më të mëdhenj dhe ekrnane më të mëdhenj, nga koha kur Netflix nisi seritë e filmave origjinalë si “House of Cards”, gjithçka nisi të ndryshojë.  Edhe festivalet e filmit, që u zhvilluan këtë vjeshtë në Tiranë si IHRFFA, TIFF apo “DEA”  përpos shfrytëzimit të mjediseve të hapura, i kanë transmetuar filmat pjesëmarrës online, duke iu përshtatur trendit të diktuar nga pandemia.

Filmat e kinemave  ndoshta nuk do të vdesin, por do të reduktohen për shkak të ndryshimit  në  propozimin e  vlerës. Kishte fare pak filma që do të donim t’i shihnim me një audiencë, për përvojë sociale dhe kjo para koronavirusit. Gjigantët e teknologjisë dhe të “streaming” Apple, Amazon dhe Netflix po marrin në konsideratë blerjen e kinemave.

Është ende herët për të parë se çfarë do t’u ndodhë biznesit të kinemave. Por është e qartë se kinematë duhet të adaptohen shpejt. Duhet  të gjejnë mënyrën për t’i mbijetuar një virusi vdekjeprurës dhe t’u japin njerëzve arsye për t’u kthyer, edhe nëse nuk ndihmohen nga partnerët e tyre të studiove apo distributorët. Ose ndoshta si shumë gjëra që nuk do të jenë më njësoj pas pandemie, kinematë mund të mbeten thjesht një kujtim nga jetët tona të vjetra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë