Politike

Drafti i PD-LSI, Meta: Është koha të pranohet, çdo akt i njëanshëm, atentat

Komisioni i Ligjeve miratoi në parim vendimin për të dalë me një draft të përbashkët për ndryshimet në Kodin Zgjedhor ku të përfshihen propozimet e opozitës parlamentare dhe drafti i PS-së.

Komisioni i ligjeve e bëri lëvizjen ndërsa për draftin e opozitës jashtëparlamentare pritet diskutimi në Këshillin Politik.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, është fokusuar pikërisht tek ky draft për të përcjellë mesazhin e radhës.    

“Opozita është e vendosur për të ndërtuar konsensus në të kundërt të Rilindjes, që kërkon me insistim konfliktin, shtrembërimin e zgjedhjeve dhe asgjësimin e Këshillit Politik si instrument vendimmarrës konsensual.

Drafti i paraqitur nga Opozita realizon hapjen e listave 100% dhe respektimin e plotë të barazisë gjinore, përkundrejt mashtrimit dhe mbylljes 100% të listave nga Rilindja.

Drafti i opozitës respekton konsensusin e arritur dhe Marrëveshjen e 5 Qershorit.

Drafti i Opozitës kërkon opinionin e ODIHR për çështjet që nuk ka dakordësi, si një palë e paanshme dhe si vëzhguesit zyrtarë të zgjedhjeve”, shkruan Meta.

Presidenti i Republikës, nënvizon se, “opozita ka ndërmarrë çdo hap, që çon përpara procesin e integrimit europian të Shqipërisë ku reforma zgjedhore, zbatimi i saj dhe hetimi i krimit elektoral janë kushtet kyç që përcaktojnë hapjen e negociatave për anëtarësim”.

“Çdo akt i njëanshëm që përmbys Marrëveshjen e 5 Qershorit do të ishte një atentat dhe provokim i patolerueshëm dhe i paamnistueshëm ndaj rendit kushtetues e demokratik dhe së ardhmes europiane të vendit. Koha për reflektim!”, shkruan Meta


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë