Politike

Këshilli i ri Kombëtar i PD, Ristani e Harxhi ngelen jashtë, Nishani hyn si ish-President

Partia Demokratike ka publikuar listën me 300 emrat fitues që do të jenë anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar.

Sipas njoftimit të PD, një pjesë e kandidaturave kanë dalë me vota të barabarta, ndërkohë që në të ka emra nga arti, sporti, siguria, ish-deputetë, apo kandidatë për deputetë që më 25 prill mbetën jashtë e deri te djali i Sokol Olldashit.

Nga një vështrim i përgjithshëm i listës në të gjen emra si ish-drejtori i lartë i policisë, Agron Kuliça, ish-deputetët Gent Strazimiri, Genc Pollo, Klevis Balliu dhe Gerti Bogdani, ish-zëdhënësja Laura Vorpsi, regjisori Robert Budina dhe ish-futbollisti Andi Lila.

Jashtë Këshillit Kombëtar ka mbetur ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani, ndërsa nga emrat që e rivalizuan vetëm Edith Harxhi. Agron Shehaj është automatikisht anëtar si i zgjedhur deputet, ndërsa Fatbardh Kadilli është gjithashtu automatikisht anëtar si pjesë e Kryesisë së PD.

Kësaj liste i shtohen si anëtarë të Këshillit për shkak të funksionit kryetari Lulzim Basha, të gjithë anëtarët e kryesisë së PD, ish-Presidentët, ish-Kryeministrat dhe ish-kryetarët e Kuvendit, si Bujar Nishani, Eduard Selami dhe Tritan Shehu, deputetët e zgjedhur më 25 prill, kryebashkiakët e zgjedhur në 2015-n dhe anëtarët e Kolegjit të kryetarëve të degëve të partisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë