Politike

Harxhi mbeti jashtë, grupimi “Për PD”: Votat u manipuluan, Këshilli i ri Kombëtar, klientelist

Grupimi "Për PD" që drejtohet nga Edith Harxhi dhe Bujar Nishani e cilësoi antiligjor zhvillimin e Kuvendit Kombëtar të PD, që u mbajt të shtunën.

Edith Harxhi mbeti jashtë Këshillit Kombëtar ndërsa Bujar Nishani u kooptua si ish-President në bazë të statutit.

Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar, sipas Grupit për PD, ka pasur problematikë që në propozimin e kandidatëve.

“Gjithçka ndodhi gjatë këtij Kuvendi, tregoi dhe dëshmoi edhe një here qartë se ai që manipulon votat dhe zgjedhjet në partinë e tij, nuk ka mundësi të fajësojë tjetrin për të njëjtin krim. Bojkotimi që i bënë mijera anëtarë të partisë këtij Kuvendi, numrat e fryrë qëllimshëm nga zyrat e kontrolluara në PD, për të treguar përkrahjen për liderin suprem, si dhe votimi e numërimi natën i anëtarëve të Këshillit të ri Kombëtar, treguan edhe një herë mendësinë me të cilën udhëhiqet PD-ja sot. Shumë nga kandidatët për anëtarë të Këshillit Kombëtar u propozuan në mënyrë klienteliste nga drejtues politik të listës së deputetëve në qarqe dhe kryetarë të degëve, duke mos përfaqësuar gjerësisht anëtarësinë. Mbi të gjitha Këshilli Kombëtar nuk mund të jetë kurrësesi organ këshillues” – thuhet në deklaratë.

Më tej, grupimi "Për PD” nënvizon: “Përjashtimi masiv nga Këshilli Kombëtar i njerëzve që kundërshtojnë prej vitesh drejtimin arbitrar dhe antidemokratik në PD, si dhe lënia jashtë punimeve të Kuvendit e mijëra demokratëve të përkushtuar, tregojnë përfundimisht se linja drejtuese e Partisë Demokratike dhe udhëheqësi i saj në detyrë, nuk kanë asgjë të përbashkët me gjithçka po ndodh me opozitën dhe me gjithë Shqipërinë. Në këtë mënyrë dhe formë PD-ja nuk mund të bëhet forcë udhëheqëse, por çdo lloj përpjekje për të vazhduar kapjen e saj do të jetë e dështuar. Në këto kushte dhe përballë një realiteti të tillë mjaft shqetësues dhe me pasoja për Shqipërinë, Grupi për PD-në do të vazhdojë të jetë zëri i demokratëve të vërtetë dhe do të jetë opozitë e fuqishme në vend”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë