Rend dhe Ligj

Kërcënimi me jetë i prokuroreve nga grupi i Laert Haxhiut, Balla jep garanci: Punoni të qetë dhe luftoni sa më fort krimin

Gazeta Si - Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka deklaruar prokurorët dhe gjyqtarët se siguria e tyre fizike është e garantuar nga Policia e Shtetit.

Në një takim të thirrur nga kreu i KLP-së, Alfred Balla, ku ishin të pranishëm edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ai i Gardës dhe kreu i SPAK, u diskutua për sigurinë e magjistratëve pas dëshmisë bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani që tha se grupi kriminal i Laert Haxhiut do të vriste dy prokurore dhe një avokat.

Pas takimit, ministri i Brendshëm Taulant Balla ka garantuar gjykatësit dhe prokurorët që të vijojnë punën e tyre të qetë, pasi do të kenë mbrojtjen e institucioneve shtetërore. Ai theksoi se kur bëhet fjalë për punën e prokurorëve, vëmendja sa i takon sigurisë është më e shtuar.

“Dua që t’i garantoj çdo prokurori dhe çdo gjyqtari se ministria, policia dhe garda janë në krye të detyrës për të garantuar sigurinë e çdo qytetari dhe çdo prokurori e gjyqtari dhe familjarët e tyre, - tha Balla për mediat. - I ftoj prokurorët dhe magjistratët që të punojnë të qetë dhe të godasin sa më fort krimin".

Ai u përpoq të shtensiononte edhe pak situatën e krijuar pas kërcënimeve ndaj dy prokuroreve. "Populli shqiptar ka një shprehje të bukur ‘qentë që lehin, nuk të hanë’”.

Sipas tij, e gjitha kjo do të reflektohet me ndryshime jo vetëm në ligj. “Nuk ndaj të njëjtën mendim me ju se ka mungesë të kuadrit ligjor. Do jemi brenda një jave për të filluar zbatimin që do përfshijë ndryshim në VKM për të garantuar që çdo gjë të jetë e reflektuar si duhet”.

Sa i takon luftës kundër krimit të organizuar, Balla shtoi se policia “ka thyer kasafortën e një bande kriminale dhe besojmë se në ditët në vijim do arrijmë të thyejmë edhe të tjerë”.

Ministri i Brendshëm nënvizoi se për kërcënimet do duhej të kishte dhe informacion nga SHISH, e për këtë arsye në mbledhjet e ardhshme do të ftohet edhe drejtuesja e Shërbimit Informativ.

"E vërteta është që në rastin në fjalë është një rast kur me të drejtë ne duhet të kishim pasur informacion, kemi rënë dakord që në disa prej takimeve periodike do ftojmë edhe drejtuesen e SHISH, dhe po ashtu në komisionin që vlerëson nevojat për sigurinë e prokurorëve nuk do jetë një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme, por do jetë ministri i Brendshëm dhe drejtori i përgjithshëm”.

Kryetari i KLP, Alfred Balla tha në përfundim të mbledhjes se se kuadri ligjor për mbrojtjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve është i plotë, por kanë diskutuar për përmirësimin e VKM-ve.

Takimi vjen pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, se grupi i Laert Haxhisë kishte planifikuar se do të vriste dy prokuroret që kishin hetuar dosjet e grupit të 31-vjeçarit, Doloreza Musabelliu dhe Merita Selimi (ish-prokurore e Lushnjës).

Sipas dëshmisë së Tafanit, i kthyer në një bshkëpunëtor të drejtësisë, grupi kishte vënë në shësnjestër për eliminim edhe një avokat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë