Lajme

“Kërcënimi” i ri, Turqia hap kufijtë për pushime

“Vëllai” i madh ka hapur dyert pa kushte dhe sado patriot të jenë shqiptarët nuk i shpëtojnë dot tundimit të cilësisë dhe ofertave joshëse për t’i bërë pushimet aty, megjithëse turizmi vendas i dërrmuar financiarisht ende shpreson tek fondet e brendshme.

Gjigandi europian i turizmit, i cili para pandemisë numëronte 58 mln turistë dhe 41 mld dollarë të ardhura prej tyre, prej dy ditësh i ka çelur kufijtë botës për të pushuar në rezortet e tij pa asnjë kufizim.

Kjo është Turqia, e cila në radhët e shqiptarëve preferohet kryesisht nga familjarët me fëmijë, por që nuk i mungojnë strukturat akomoduese dhe atraksionet turistike për të rinjtë dhe moshën e tretë.

Ministri turk i Turizmit Mehmet Nury Ersoy në një dalje publike pasi BE i mbylli dyert, ka bërë me dije se Turqia ka strukturat më të sigurta turistike krahasuar me ato në Europë.

“Kur ju mendoni për hotelet apo struktura të tjera shërbimi të përfshira në programin e çertifikimit, ne jemi më të sigurtët në qasjen e standardeve europiane,” – ka thënë ai.

Sipas tij, më shumë se 727 hotele dhe rreth 900 restorante kanë aplikuar për “Safe Tourism Certification” (Çertifikatën e sigurisë) që tregon që kanë ndërmarrë masat konform standardeve për të parandaluar përhapjen e infkesionit COVID-19.

Programi i çertfikimit përfshin inspektime periodike, sëbashku me një program tjetër auditi për  “bujtësit e fshehur,” që janë turistët e papërgjegjshëm.

Ministri i njërës prej indusstrive më të mëdha turistike në botë, u shpreh se planet afatmesme në lidhje me turizmin nuk ndryshojnë nga pandemia. Ai u shpreh se 75 mln turistë dhe 65 mld të ardhura deri në 2023 do të arrihen.

1/65 e këtij plani e realizojnë turistët shqiptarë. Dy meraqe i kanë munduar shqiptarët  gjatë kësaj periudhe për të pushuar jashtë; çelja e sigurt dhe pa kthim e kufijvë dhe nëse do të jetë i domosdoshëm testi për COVID-19.

Përgjigjen e ka dhënë po Turqia: Pa test dhe hapje të sigurt kufijsh.

Siç e konfirmoi dhe një ditë më parë për Gazetën “Si”, Sava Bardhi e Sava Tours, fluturimi i parë nga aeroporti “Nënë Tereza” për në Antalya do të jetë më datën 14 korrik dhe ka dyndje kërkesash për të pushuar në Turqi.

Sipas agjencive turistike, përpara pandemisë,  gati 70% e pushuesëve shqiptarë që shkonin jashtë për të pushuar, preferonin Turqinë.

Nisur nga të dhënat e 2018-ës, ku shqiptarët jashtë kanë shpenzuar atë vit për pushime 1,4 mld euro, potencialisht gati 1 mld euro mund  të shpenzohen këtë sezon në Turqi.

Kjo është një pjesë kaq e madhe torte që kthehet në zeher për turizmin shqiptar, i cili me shumë dyshime mund të ketë shpresuar për një turizëm patriotik për shkak të situatës.

Në fakt shqiptarët që mundin apo sakrifikojnë për të pushuar atje ku dëshirojnë 10 ditë në vit, nuk duhet t’iu atribuohet ndonjë detyrë patriotike, për sa kohë as shteti dhe as arka tyre e përbashkët  që është buxheti nuk ka menduar të  kryejë një detyrë të këtillë.

Sipërmarrësit e turizmit shqiptar prej disa muajsh kanë ngritur alarmin dhe i kanë propozuar vazhdimisht qeverisë programe shpëtimi për këtë industri përmes të cilës merr frymë ekonomia e vendit, por qeveria  hesht, jo si “Nëna” e Nonda Bulkës nga pamundësia, por me sa duket po mjaftohet me karamelet e Bjellorusisë dhe Ukrainës apo me marrëveshje për ndërgjegjegje patriotike për shkëmbim turistësh me Kosovën.

Ndërsa aktorët e industrisë çdo ditë vënë kujën se çdo ditë e ikur numëron 1,5 mld euro humbje deri tani nga industria, vende pune të kualifikuara dhe një rimëkëmbje të sigurt, vendet e rajonit, të Europës, edhe vetë Turqia po implementojnë  programe konkrete që nga shtyrja e taksave për 1 vit deri tek bonuset për të pushuar në vend për çdo familje, për të shpëtuar turizmin.

Derisa ne të mendohemi duke lundruar në ujrat e historisë me të sëmurin nga Bosfori, ai është ngritur nga shtrati duke gëlltitur edhe paratë tona që me aq qef ia japim.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë