Lajme

A mundet ta rekuperojnë disi shqiptarët turizmin vendas?

Në 2018 shqiptarët si turistë harxhuan plot 1,4 miliardë euro jashtë vendit. Sot për shkak të mbylljes së kufijvë nga pandemia nuk është  pa logjikë që të presësh që në mos e tëra, një copë e majme nga kjo llokmë  e madhe të  mos ngelet brenda vendit për të ndimuar biznesin dhe ekonominë vendase të dërrmuar, jo vetëm nga karantina por edhe tërmeti i viti të kaluar.

Nëse potencialisht, sikur të supzohej që të gjithë ata që pushonin jashtë do të haxhonin të njëjtat shuma edhe brenda vendit, është “një fitore  e madhe” sepse nuk është pak, por gati aq sa turistët e huaj disa fish të shumtë në numër kanë harxhuar në një vit në Shqipëri, rrreth 1.8 mld në vitin 2018 ose vetëm 0.4 mld lekë më shumë se sa shpenzuan shqiptarët për pushime jashtë.

Por përtej supozimeve, a ka mundësi që kjo të ndodhë?

Sava Bardha nga Sava Tours thotë se duhen përjashtuar pushuesit që nuk e zëvendësojnë Turqinë. Ajo tregon për Gazetën “Si” se Turqia do t'i hap kufijtë pa kufizime dhe më 14 korrik nisin fluturimet për Antalya. Ajo tregon se ka goxha rezervime për këtë destinacion.

Edhe Greqia e cila vitin e kalur ishte në top listën e destinacioneve për pushuesit shqiptarë, megjithëse ende në dilemë për të hapur po mendon që të përfitojë nga paratë e shqiptarëve ndaj nuk është e prerë në qëndrimin e saj dhe po bënë një hapje graduale

Sipërmarrësit e tjerë të fushës thonë prerë “jo” duke shtuar se turizmi po kalon ditë të zeza.

“Ne ende nuk e dimë potencialin e shqiptarëve që do të mund të pushonin jashtë, që të kuptojmë nëse ata do ti shpenzonin pushimet brenda vendit nëse nuk hapen kufijtë. Nuk ka rezervime pa hapje të sigurtë”, thonë ata.

Kliton Gërxhani nga ATOA (Shoqata e Agjencive Turoperatorëve Shqiptarë) nuk ka shpresë fare në rekuperimin e turizmit për këtë verë.

Kliton Gërxhani (ATOA)

 “Do të kemi një kapacitet të reduktuar të pushuesve, kryesisht vendas sepse edhe tregu i Kosovës po ngurron. Turizmi i brendshëm në njëfarë mënyrë ka problemet e veta sepse njerëzit janë me ekonomi më të dobët për shkak të situatës. Hotelet janë edhe në konfuzion nuk dinë çfarë masash duhet të marrin.”- thotë ai.

Kurse Zak Topuzi nga Shoqata Shqiptare e Turizmit e çon më tej analizën.

Sipas tij nuk është e mundur të rikuperohet turizmi këtë vit sepse gjashtë muaj tashmë kanë kaluar, “shtoji kësaj që nuk mund të krahsaohen 6, 5 mln turistë të huaj që kishim për 2019, me potencialin maksimal të shqiptarëve 2,8 mln. Turizmi për këtë vit është i djegur”.

Ai thotë se nga takimet me sipërmarrësit e agjencive, raportojnë se nuk ka rezervime sepse situata është krejtësisht e paqartë.

Zoti Topuzi jep edhe një detaj interesant kur thotë se “nga të dhënat që disponojnë 90% të personave që janë në marrëdhënie pune, i kanë shpenzuar pushimet gjatë karantinës dhe nuk mund të marrin dot leje të gjata”.

“Unë parashikoj këtë vit që do të ketë turizëm fundjave dhe thënë këtë shumë hotele do të mbyllen sepse nuk iu del bilanci. Një hotel që është konceptuar për të prurë turistë të huaj dhe që ka kapacitet 400 + dhoma, nuk mund ta mbaj hapur hotelin vetëm për të punuar me një kapacitet 10% vetëm fundjavve. Është kosto për ta. Nëse nuk do të ketë një strategji konkrete për të shpëtuar turizmin, do të shohim shumë hotele që do të mbyllen për këtë vit, siç ka ndodhur me disa prej hoteleve të mëdha në Tiranë duke qenë se qeveria ka ndaluar edhe konferencat, dasmat dhe aktivitete të tjera ku grumbullohen njerëz”- tregon Topuzi.

Topuzi thotë se turizmi është në zgrip. Sipas tij situata e krijuar nga pandemia ka falimentuar 30% e transportit turistik, po ashtu pohon ai, shumë shpejt do të shohim falimentin e shumë hoteleve dhe agjencive turistike.

Zak Topuzi, Shoqata Shqiptare e Turizmit

“Është shumë e rëndësishme që shqiptarët të pushojnë në vend, por nuk do të arrijnë asfare të rekuperojnë sektorin. Sektori punëson direkt dhe indirektë gjysmën e Shqipërisë, mbi 290 mijë persona teksa të gjitha strukturat kanë pëgjysmuar stafin dhe ju dhemb sepse janë burime njerëzore të kualifikuara dhe kanë investuar për ta”, thotë ai.

Gërxhani thotë se kemi nisur kërkesa të njëpasnjëshme qeverisë. “Pjesa e kredive me interes zero nuk u mbajt sepse na u premtua që do të ketë likuiditet nëse do të ketë aktivitet duke marrë edhe kredi. Qeveria duket se nuk arriti të merret vesh me bankat. Kredi me interesa bankare të rregullta e marrim vetë. Thuajse nuk e prekëm fare  këtë ndihmë që u tha zyrtarisht. U kërkua një paketë e tretë, mirëpo për fat të keq u tha se nuk do të ketë. Kjo na ka lënë shumë të zhgënjyer. Ndodhemi në kulmin e sezonit turistik. Gjëja kryesore është se nuk kemi klientë. Nëse do kalojmë sezonin e verës pa klientë, problemi tjetër është se ne duhet të kemi likuiditet. Më e pakta shtetit nuk duhet të marrë asnjë lek nga biznesi turistik. Ne jemi të shqetësuar për pjesën e gjashtë mujorit të dytë”, tha ai.

Topuzi bën me dije se këtë javë do të kenë një takim me qeverinë për të diskutuar kërkesat e tyre siç janë shtyrja e taksave për një vit, veçanërisht taksa e pronës që është një peshë e madhe për biznesin që nuk ka aktivitet, sigurimi  I granteve dhe  subvecionimi për të humbur burimet njerëzore të kualifikuara, etj.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë