Rend dhe Ligj

KED nis intervistimet për Inspektorin, i pranishëm edhe këshilltari i Metës

Lufta mes Presidencës dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi vijon edhe me anë të procedurave. KED në limitet e funksionimit të saj, ka nisur procedurat e pikëzimit të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë. KED në mbledhjen e sotme zhvilloi proceset e relatimit të procedurave të ndjekura deri më tani për vlerësimin e kandidaturave për vendin vakant të Inspektorit të lartë të Drejtësisë, si edhe zhvilloi intervistat, sipas ligjit, me kandidatët e lejuar për këtë vend vakant si më poshtë: Artur Metani; Eris Hysi; Joana Asimi Sorraj; Lindita Troja dhe Sokol Stojani.

Prokurori Sokol Stojani, duke i intervistuar nga KED. Gazeta Si, 12 dhjetor 2019

Zhvillimi i intervistave të kandidatëve të lejuar për kandidim, u krye në sallën e mbledhjeve të KED, në prani të anëtarëve të Këshillit, Avokatit të Popullit dhe përfaqësuesit të Presidentit të Republikës, në rolin e vëzhguesit. Këshilltari juridik i Presidentit, Bledar Dervishaj ishte i pranishëm në këtë proces intervistimi, pavarësisht përplasje që kanë nisur mes kreut të KED-së, Dvorani dhe presidentit Meta ka një përplasje të fortë, e ky i fundit ka kallëzuar penalisht në prokurori për marrje të kompetencave.

Lindita Troja duke u intervistuar. Gazeta Si, 12 dhjetor 2019

Kandidatët paraqitën platformën e tyre mbi vizionin, objektivat dhe sfidat e lidhura me ushtrimin e kompetencave të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe organizimin, funksionimin e drejtimin e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si dhe iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të KED.
Në përfundim të relatimit dhe intervistave me të gjithë kandidatët e lejuar, në zbatim të dispozitave të Kushtetutës dhe të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi të vijojë menjëherë me përmbushjen e detyrimeve të tij brenda afatit ligjor 10 ditor, për shqyrtimin nga secili anëtar i Këshillit të dokumentacionit të çdo kandidati të lejuar, për njohjen e plotë dhe të thelluar me të dhënat e jetës profesionale dhe të dokumenteve profesionale të paraqitura për vlerësim nga kandidatët, në funksion të përmbushjes së kompetencës së vlerësimit dhe pikëzimit të secilës kandidaturë.

Joana Sorra, duke u intervistuar nga KED. Gazeta Si, 12 dhjetor 2019

Kështu që brenda dhjetorit, përpara nisjes së punës së KED-së me anëtarë të rinj, do të hartohet edhe lista e pikëzimit.
“Raporti i arsyetuar, lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve dhe aktet përkatëse të verifikimit, vlerësimit dhe pikëzimit të çdo kandidati për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë do ti dërgohen menjëherë organit të emërtesës, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në mënyrë që të ushtrojnë, sipas përcaktimeve të Kushtetutës, kompetencën dhe detyrimin kushtetues të zgjedhjes dhe emërimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, thuhet në njoftimin e KED-së.

Eris Hysi, duke i intervistuar. Gazeta Si 12 dhjetor 2019


Por në njoftim të dytë, KED ka replikuar në distancë me presidentin sa i përket çështjes së transparencës së këtij institucioni. Ky institucion ka botuar një vlerësim të kryer nga OJF-të mbi transparencën e institucioneve, ku Gjykata e Lartë renditet e 4-ta ndër institucionet publike dhe e para ndër institucionet e sistemit gjyqësor.

Artur Metani, kreu i Avokaturës Shtetërore, kandidat për Inspektor, duke i intervistuar. Gazeta Si, 12 dhjetor 2019

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë