Rend dhe Ligj

KE: Ja sektorët ku pastrohen paratë. Kriminelët në Shqipëri i mbron drejtësia!

Autoritetet europiane kanë ngritur së fundmi alarmin se pastrimi i parave në Shqipëri është i lidhur me korrupsionin dhe terrorizmin, duke thënë se personave të përfshirë në këto aktivitete të paligjshme u garantohet “mbrojtje juridike” nga sistemi i drejtësisë.

Në një raport të botuar të hënën, mekanizmi i Këshillit të Europës që heton pastrimin e parave të, MONEYVAL, u bën thirrje autoriteteve shqiptare të shtojnë përpjekjet për kapjen dhe dënimin e personave tëpërfshirë në aktivitete të paligjshme të pastrimit të parave dhe konfiskimin e aseteve të tyre.   

Gjetjet e këtij raporti, i cili u prezantua edhe gjatë një takimi mes drejtorit të MONEYVAL dhe kryeministri Edi Rama, përcaktojnë edhe sektorët kryesorë përmes të cilëve bëhet i mundur pastrimi i parave.

Autoritet europiane ngrenë alarmin për pastrimin e parave nëpërmjet sektorit tëlojërave të fatit. Sipas raportit kjo bëhet përmes infiltrimit kriminal në pronësinë e pikave të lojërave të fatit, me qëllim pastrimin e parave. Autoritet europiane thonë po ashtu se pasuritë e paluajtshme konsiderohen si një sektorët kyç të pastrimit të parave.

“Shqipëria ka një kuadër të fuqishëm ligjor për konfiskimin e të ardhurave kriminale. Megjithatë, statistikat e disponueshme për numrin dhe vlerat e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara nuk janë në përpjesëtim me nivelin e kriminalitetit në vend”, thuhet në raportin e MONEYVAL. Ai pranon se autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për rreziqet e pastrimit të parave në ekonominë formale, por se nuk janë plotësisht të angazhuara në luftën kundër pastrimit të parave.

“Korrupsioni paraqet rreziqe të mëdha të pastrimit të parave në Shqipëri. I lidhur me aktivitetet e krimit të organizuar, ai gjeneron shuma të konsiderueshme të të ardhurave kriminale dhe dëmton seriozisht funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë penale”, shkruhet në raportin e MONEYVAL. “Autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për rreziqet nga korrupsioni, por deri më tani autoritetet nuk i kanë kushtuar shumë vëmendje pastrimit të parave që lidhet me korrupsionin. Për të adresuar më mirë rreziqet e korrupsionit, në Shqipëri është duke u zbatuar një reformë e rëndësishme gjyqësore”, shton raporti. “Numri i hetimeve të rasteve të korrupsionit është në rritje, por numri dënimeve mbetet i ulët në të gjitha nivelet. Korrupsioni në gjyqësor ndikon negativisht në funksionimin e sistemit të drejtësisë, duke minuar besimin e publikut në sundimin e ligjit dhe duke garantuar mbrojtje juridike për kriminelët”, thotë KE.

Raporti nënvizon se Shqipëria ka një kuadër të fuqishëm ligjor për konfiskimin e të ardhurave kriminale, por numri dhe vlerat e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara nuk duket se është në përpjesëtim me nivelin e kriminalitetit në vend.

Sa i përket financimit të terrorizmit, MONEYVAL vëren se perceptimi i autoriteteve shqiptare mbi rreziqet e këtij aktiviteti të paligjshëm është shumë i cunguar.

Autoritetet europiane kanë vënë në dukje një rritje të radikalizmit fetar dhe rasteve të pastrimit të parave nga eksponent që lidhen me terrorizimin.

“Në Shqipëri nuk ka qasje sistematike për të identifikuar dhe hetuar pastrimin e parave që lidhet me terrorizmin. Po ashtu autoritetet shqiptare kanë mangësi teknike në zbatimin e sanksioneve financiare”, thuhet në raport.

MONEYVAL ngre po ashtu alarmin se Shqipëria nuk ka identifikuar ende OJF që janë ngritur për pastrim parash. Autoritetet europiane deklarojnë se as në Shqipëri dhe as në Kosovë nuk ka një sistem mbikëqyrjeje për financimin e OJF-ve.

Sipas autoriteteve europiane, hetimet mbi pastrimin e parave në vendin tonë rrallëherë rezultojnë në aktakuza dhe procedurat e pastrimit të parave hidhen vazhdimisht poshtë nga prokuroria.

Si bëhet pastrimi i parave?

Raporti identifikon disa nga sektorët kyç nëpërmjet të cilëve bëhet i mundur pastrimi i parave: Pasuritë e paluajtshme, lojërat e fatit, OJF-të apo biznese të tjera si baret dhe restorantet.

Sipas MONEYVAL, profesioni i noterit është shumë i rëndësishëm në aktivitetin e pastrimit të parave, për shkak të përfshirjes së tij në transaksionet e pasurive të paluajtshme.

Kontabilistët dhe avokatët konsiderohen po ashtu të prekshëm për ekspozimin ndaj riskut të pastrimit të parave, pasi jo vetëm që përfshihen shpesh në formimin e kompanisë nëpërmjet se cilës do të pastrohen të ardhurat por edhe për faktin mbikëqyrja e këtyre profesioneve është e kufizuar.

Sipas MONEYVAL, sektori bankar është një ndër më të prekurit nga ky aktivitet, edhe pse bankat janë shumë të vetëdijshme ndaj rreziqeve të pastrimit t parave. Raporti thotë se transaksionet e personave të përfshirë në aktivitete kriminale kalojnë përmes sistemit bankar.

Raporti thekson se Banka e Shqipërisë është e vetëdijshme për rrezikun e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe kohët e fundit ka përmirësuar sistemin e vetë të raportimit jashtë vendit për të mbështetur vlerësimin e tij për rreziqet e subjekteve individuale.

“Megjithëse janë bërë disa përpjekje të rëndësishme, as Banka e Shqipërisë as Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nuk zbatojnë në mënyrë konsekuente rregullat, kur shqyrtojnë kërkesat për licenca nga institucionet financiare”, thotë raporti.

Për të zbutur rreziqet nga ky aktivitet i paligjshëm, sipas MONEYVAL, Shqipërisë i duhet të trajtojë çështje më komplekse si:

• Rritja e numrit të ndjekjeve penale të personave të lidhur me korrupsionin;
• Kontrolle më të forta të transaksioneve bankare të parave kesh;
• Marrja e masave për mbikëqyrjen e OJF-ve dhe shit-blerjes së pronave të paluajtshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë