Kinema

Katër versione “A Star is Born” – Pse Hollivudi është i fiksuar me këtë histori?

Një burrë i suksesshëm zbulon dhe mbështet një vajzë të re, naive, vetëm për ta gjetur veten të eklipsuar prej suksesit të saj dhe të bjerë pre e demonëve të tij: kjo është historia qendrore e të katër variacioneve të filmit “A star is born”, megjithëse detajet ndryshojnë, duke u përshtatur sipas epokave. Po përse vazhdohet të rimerret e njëjta narrativë? “Njerëzit e Hollivudit e besojnë këtë mit se,  aq hapësirë ka në universin e yjeve dhe që një të ngjitet, tjetri duhet të bjerë”, thotë Karina Longworth, autore e librit “Joshje: Seksi, Gënjeshtrat dhe Fama në Hollivudin e Howard Hughes”. Është miti i strukturuar më i parapëlqyer i Hollivudit rreth vetes. Hollivudi i bën këtë filma si “A Star is Born” , që janë kinse autokritikë, sikur të ishin bërë nga dikush jashtë Hollivudit. Si e tillë, këndvështrimi i filmit është për audiencën, e cila thotë:  “Shiheni këtë vend të tmerrshëm, se çfarë i bën njerëzimit”. Por, në të vërtetë ai film, është dukshëm gjithaq prodhim i Hollivudit. Po aq sa kritikon veten, aq edhe mbështet magjepsjen e audiencave me mënyrën sesi ai funksionon.” Por versioni i këtij viti me tetë kandidime nga Akademia dhe një Oscar i fituar për këngën më të mirë origjinale nga Lady Gaga, sjell nevojën e rivlerësimit të secilit version dhe sesi historia ka evoluar nga viti 1937 e deri më tani.

1937: Me Janet Gaynor dhe Fredric March

Filmi i vitit 1937 ndjek historinë e Esther Blodgett (Janet Gaynor), një vajzë fshati nga Dakota e Veriut e cila shkon në Hollivud,  me shpresën për t’u bërë yll. Ajo njihet me aktorin e suksesshëm Norman Maine (Fredric March), që e ndihmon në karrierë, ndërsa bien në dashuri. Ndërsa ajo merr famë, ai bie në alkoolizëm. Ndërsa në të gjitha versionet pasardhëse kanë numra muzikorë, në këtë version të parë nuk ka. Por edhe versioni i parë ishte në një farë mënyre një remake: merr elementë nga filmi i vitit 1932 “What Price Hollywood?”, që vetë ishte bazuar nga marrëdhënia në jetën e vërtetë e aktores Colleen Moore me John McCormick. Ai film kishte regjisor George Cukor, i cili refuzoi të bënte regjinë e filmit të parë “A Star is Born”, por do të ishte në regjinë e  versionit e adaptuar të 1954-ës.

1954: me aktorët Judy Garland dhe James Mason

George Cukor u kthye për të bërë regjinë e variantit musical të “A Star is Born” – por përfaqësuesit e studios xhiruan dhe prenë skena pa miratimin e tij. Më vonë do të dilte  një version që kishte për qëllim të rindërtonte vizionin e Cukor-it. Historia ndjek të njëjtin hark të përgjithshëm të filmit 1937, me vajzën e re që zbulohet nga aktori i famshëm. Ai bëhet xheloz për suksesin e saj në rritje dhe, në fund, vret veten, duke u mbytur në det (e njëjta metodë e përdorur nga personazhi i Fredric March-ut në të parin film “A Star is Born”. Filmi u mbajt si një rikthim i Judy Garland-it, pas vitesh betejë me shëndetin mendor dhe varësitë që e çuan të negocionte një tërheqje nga kontrata e saj me MGM, katër vjet më herët.

1976: Barbra Streisand dhe Kris Kristofferson

Filmi i tretë ka më shumë ngjashmëri me të fundmit. Ai e ndryshon sfondin e historisë nga Hollivudi drejt industrisë së muzikës dhe ka një yll rroku në moshë si protagonistin mashkullor dhe gjithashtu ka  një muzikante të madhe si Barbra Streisand në rolin e vajzës naive. Ka gjithashtu edhe disa ndryshime  më të holla, që vijnë si pasojë e politikës në ndryshim dhe normave gjinore. Për shembull, në të dy filmat e parë, gruaja në zi deklaron se do të mbajë emrin “Znj. Norman Maine” , nga këtej e tutje.

https://www.youtube.com/watch?v=L7AIBlzCluc
Kolona zanore e filmit "A Star is Born", 1976, kënduar nga Barbra Streisand

Në versionin e vitit 1976, ajo e quan veten “Esther Hoffman Howard,”, duke marrë vetëm mbiemrin e burrit të ndjerë, John Norman Howard. Ndërsa të gjithë versionet e tjera të filmit kanë pasur sukses nga kritika, versioni i 1976-ës, mori recensa negative dhe të përziera. Por kjo nuk e ndali të bëhej popullor për audiencat: ishte një sukses në arkëtime. Shikuesit, edhe atëherë ranë në dashuri me këngën origjinale të filmit “Evergreen” ( Kënga e dashurisë nga filmi A Star is Born”, jo shumë ndryshe nga “Shallow” që duket se mbërtheu audiencat në të gjithë botën për muaj të tërë, vitin e shkuar.

https://www.youtube.com/watch?v=dNxCz-Iyu0g
"Shallow", kolona zanore e filmit "A Star is Born" 2018, fituese e çmimit Oscar

Versioni i 2018-ës: Lady Gaga dhe Bradley Cooper

Subjekti i përgjithshëm për versionin e 2018-ës të “A Star is Born” është shumë i ngjashëm me atë të vitit 1976, por megjithatë ka dallime të rëndësishme. Për të parën herë, nuk është xhelozia për famën e gruas sesa varësitë, problemi i vërtetë i  protagonistit. Emrat gjithashtu kanë pësuar ndryshim: Esther është bërë Ally dhe  ylli i rrokut merr emrin Jackson Maine. Është gjithashtu hera e parë që një prej yjeve të filmit, Bradley Cooper, është edhe regjisor i tij, megjithëse Barbra Streisand ka qenë shumë e përfshirë në produksionin e vitit 1976, duke bërë edhe producenten ekzekutive dhe duke shkruar muzikë, përveç aktrimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë