Vende dhe Udhetime

Katër sekretet e menaxhimit që mund ta na mësojnë murgjit ortodoksë në Greqi

Nga Gazeta 'Si'- Në manastirin Simonopetra në gadishullin Athos në Greqinë Veriore, këmbana që njofton fillimin e shërbesës së parë të asaj dite, që nis në orën 4 të mëngjesit. Por për të qenë në kishë kur fillon ceremonia, duhet të ngrihesh më herët për t'u veshur dhe për t’u ngjitur deri atje nëpër shkallët e ftohta prej guri të kompleksit të madh të godinave.

Pra të kalosh pragun e ngritur të faltores, të përkulesh dhe puthësh ikonat e ndriçuara vetëm nga disa qirinj, pasi jashtë nuk ka aguar ende. Nën vështrimin e e apostujve dhe virgjëreshave të pikturuara nëpër mure, mund të zini vend në një nga karriget e shumta prej druri që ndodhen në sallë.

Ndërkohë, murgjit e veshur me rroba të zeza fillojnë të mbërrijnë si engjëjt e Apokalipsit. Nëse je i pafat, dikush do të prekë në supe për të të kërkuar t’i lirosh vendin një kleriku të moshuar, i cili sapo ka ngjitur shkallët e pjerrëta mbështetur mbi bastunin e tij.

Mesha mbahet në greqisht, një gjuhë që nuk e kuptoj. Athos ka përjetuar shumë: krerët paganë të kohës së Luftës së Trojës, administratorët romakë, autokratët bizantinë, piratët plaçkitës katalanas, një grup kryqtarësh endacakë, dy sulltanë osmanë prepotentë, hetime korrupsioni nga një qeveri në Athinë që ishte në pragun e një kolapsi të rëndë financiar.

Po ashtu edhe Lufta në Ukrainë, ka jehuar edhe këtu në këtë vend të izoluar, me debatet e forta në gjirin e ortodoksisë se cilën anë duhet të mbajë, të Kievit apo Moskës. Republika monastike - e cila përbëhet nga 20 manastire të administruara veçmas, por të federuara, dhe autonomia e së cilës garantohet si nga Greqia ashtu edhe nga Bashkimi Evropian - ka parë rritjen apo edhe reduktimin e popullatës së tërësisht mashkullore, duke i bërë ballë pushtimit të herëpashershëm të grave.

Rregullat përcaktojnë se në këtë territor nuk lejohet asnjë femër. Sepse murgjit i janë kushtuar një gruaje specifike:Virgjëreshës Mari. Kjo teokraci e ashpër dhe anakronike, nuk duhet të jetë sot dhe aq e qëndrueshme. Megjithatë republika monastike po lulëzon.

Edhe pse murgjit jetojnë me bukë, fruta, fasule dhe ujë, arkat e tyre janë plot; pronat që zotërojnë po u sjellin fitime të mëdha. Jo vetëm tokat në gadishull por edhe më gjerë. Teksa kanë dërgesa të rregullta financiare nga besimtarët e devotshëm në të gjithë Greqinë, por edhe nga bashkësia ortodokse nëpër, përfshirë oligarkët në Rusi.

Siç shkroi me të drejtë Michael Lewis mbi një manastir në Malin Athos në librin e tij të vitit 2011 “Bumerang:Udhëtime në Botën e Tretë të Re”, murgjit janë më të aftët në Greqi, dhe menaxhimi i tyre, duhet të jetë rast studimor në Shkollën e Biznesit në  Harvard. Unë vetë kam 4 përgjigje për këtë fenomen:

Shkëputuni për njëfarë kohe nga bota për t'u fokusuar tek gjërat më të rëndësishme

Murgjit jetojnë në manastir pa celularë, pa televizorë, pa lidhje me internetin. Lidhjet e tyre me pjesën tjetër të planetit, janë sporadike në rastin më të mirë. Ndërkohë, të ngrënit kufizohet tek vaktet vegjetariane 10-minutëshe, të konsumuara në heshtje, ndërsa një prift lexon tekste liturgjike.

Pasi bie gongu i fundit të lutjes, të gjithë ngrihen në këmbë dhe mbyllen nëpër dhomat e tyre.

Në ditët e agjërimit murgjit hanë vetëm një vakt, pa vezë ose vaj ulliri të shtuar në asnjërën prej  pjatave. Jeta personale, i nënshtrohet funksionimit të përgjithshëm të manastirit dhe rolit të tij në përhapjen e mëshirës hyjnore. Shkëputja e lidhjeve sociale, mund të jetë shqetësuese për shumë prej nesh që janë mësuar ta kenë informacionin në majë të gishtave. Por nëse ndodh herë-herës për periudha të shkurtra, kjo e pastron trurin tuaj nga shqetësimet dhe vigjilenca  e madhe e nxitur nga mediat sociale.

Specializohuni në një fushë

Manastiret nuk janë hapësira të lira, ku të gjithë mund të ushtrojnë ambiciet e tyre. Murgjit i kanë përcaktuar shumë qartë rolet e tyre. Personi i parë që takova duke ecur përgjatë rrugës për në Simonopetra, ishte murgu përgjegjës për atë rrugë. Ai mbikëqyrte disa automjete në pronësi të manastirit dhe makineritë në pronë.

Në Simonopetra, ka një murg përgjegjës për furnizimin me energji elektrike (të prodhuar nga energjia e erës dhe e ujit). Një tjetër është përgjegjës për financat e manastirit (e ndihmon fakti që dikur ka qenë bankier investimesh). Dy murg kanë qenë dikur mjekë, dhe bënë vaksinimin e vëllezërve të tyre gjatë pandemisë.

Këtu askush nuk vdiq nga Covid-19. Manastiret e tjera në gadishull, ishin skeptikë për virulencën e koronavirusit  dhe vuajtën pasojat. A mundet që një specializim i tillë, dhe një detyrë e vetme të të mpijë mendjen? Justin McDaniel, profesor i studimeve fetare në Universitetin e Pensilvanisë, tha së fundmi për CNBC:”Duhet të mësosh se si të mërzitesh. Ose të menaxhosh ndjenjat e zemërimit, trishtimit ose vetmisë, pa ua përcjellë këto emocioneve miqve tuaj. Marrja me punë mund të jetë e dobishme, për veten dhe për të gjithë”.

Shfrytëzoni aftësitë tuaja thelbësore dhe dalluese

Manastiret janë të vetëdijshëm se mund t’u ofrojnë njerëzve laikë ngarkesën e duhur shpirtërore, për të ndjekur qëllimet e tyre në universin laik. Besimtarët e devotshëm shkojnë në pelegrinazhe në vende si Athos, ku ata kanë nevojë për leje speciale, të cilën e marrin në një zyrë të vogël pranë tragetit të linjës.

Athos ofron objekte dhe hapësira të panumërta që mund të zbutin ankthet e njerëzve, ose të paktën t’u japin shpirtrave të trazuar kohë për të reflektuar mbi dilemat e tyre. Nuk është diçka cinike: murgjit e besojnë vërtet se reliket, mund të ndihmojnë në fokusimin e shpirtit, qoftë edhe vetëm sepse ato janë prova fizike e vazhdimësisë së besimit.

Një murg më përshkroi me kujdes origjinën e një relikeje të shenjtë përmes pronarëve të ndryshëm, midis tyre edhe një pirat. Besimtarët jo vetëm që përkulen para saj, por vendosin shami dhe pëlhura mbi këto thesare, në mënyrë që të mund të marrin me vete në shtëpi ‘molekula’ të shenjtërisë së këtij objekti.

Lutjet sjellin shpesh përfitime për manastiret:bizhuteri, amanete të ndryshme të shprehura në testament, prona, para për të ndihmuar në lehtësimin e shpenzimeve të përditshme të murgjve. Dhe ndikimi shpirtëror, përkthehet shpesh në aftësinë për të ndikuar në ndryshimin e kushteve në manastirit.

Jini të palëkundur në objektivat tuaja

Manastiret nuk kanë qenë gjithmonë të pasura. Vatopedi, manastiri ndoshta më i pasur sot në gadishull kishte në vitin 1903 afro 1000 murgj. Në vitin 1973, ky numër ra në rreth 30, dhe ata jetonin në kushte të mjerueshme. Gjithçka ndryshoi në vitet 1980, kur prona u mor nën menaxhim nga murgjërit emigrantë greko-qipriotë.

Udhëheqësi i tyre, Abati Efraim, përpiloi një listë me çdo që mund të tregtonte Vatopedi me botën e jashtme. Ata zbuluan se aty pranë kishin në pronësi një liqen të vogël, dhuruar dikur nga një perandor bizantin. Ai kishte pak vlerë tregtare, por me aftësi dhe negociata dinake, ai arriti të bindte burokratët e qeverisë greke ta shkëmbenin liqenin me pasuri të tjera të paluajtshme, që murgjit mund t’i shisnin për të financuar riparimin e manastirit.

Ata ishin aq të suksesshëm, sa që Atë Efraimi dhe disa të tjerë u akuzuan për keqpërdorime dhe mashtrime, kur Greqia u gjend në një krizë të rëndë financiare që kërcënoi ta shpërbënte vetë BE-në. Abati kaloi disa muaj në paraburgim, përpara se të lirohej nga të gjitha akuzat në vitin 2017.

Unë e takova At Efraimin në muajin tetor. Zyra e tij dukej si ajo e drejtuesi të ndonjë kompanie të madhe. Ai nuk tregoi asnjë lloj  brenge nga kalvari shumëvjeçar në përballje me prokurorinë. Tek e fundit, ai arriti atë që deshte: sot Vatopedi vizitohet si të jetë një resort i famshëm në Mesdhe.

Godinat e vjetra janë restauruar, ndërsa vinçat ngrenë pa pushim materiale ndërtimi për projekte të reja ndërtimore. Kur e pyeta se si ishte e mundur e gjithë kjo, ai thjesht thotë: “Është një mrekulli!”. Sigurisht, Athos nuk është një shembull i pagabueshëm se si të drejtosh një biznes, dhe madje as si ta jetosh jetën. Por manastiret shekullore, mund të ofrojnë paralele përmes të cilave ne mund të vlerësojmë veprimet tona.

Marrë me shkurtime nga Bloomberg/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë