Analize

Katastrofa që na kanoset nga plakja e popullsisë

Nga Gazeta Si - Për vite me radhë, shumë ekspertë kanë paralajmëruar se një nga rreziqet më të mëdha për planetin tonë ishte rritja e parashikuar e popullsisë. Ata do të deklaronin se trajektorja e rritjes së popullsisë, do të çonte në uri masive dhe luftëra të shumta. Dhe bashkë me ndikimin e ndryshimeve klimatike, kjo do të thoshte se Toka po shkon drejt një  katastrofe.

Megjithatë këto alarme, nuk kanë qenë asnjëherë të sakta. Edhe nëse i hedh një vështrim i shpejtë parashikimeve të OKB-së, nga disa dekada më parë dhe deri më sot, zbulon parashikime për një rritje deri në rreth 10.1 miliardë të popullsisë së botës deri në vitin 2100, e pasuar nga një reduktim.

Megjithatë, tema e mbipopullimit ka qenë gjithnjë mbizotëruese. Realiteti është se Toka po shkon vërtet drejt një zhvillimi katastrofik. Por kjo për arsyen e kundërt: rreziku i vërtetë është plakja e popullsisë dhe rënia e parashikuar e popullsisë së botës.

Gati çdo vend në botë, po përjeton sot rritje të numrit të të moshuarve në popullsinë e tyre. Plakja e popullsisë po bëhet një nga transformimet sociale më të rëndësishme të shekullit XXI-të, me pasoja në thuajse të gjithë sektorët e shoqërisë, përfshirë tregun e punës dhe atë financiar, kërkesën për mallra dhe shërbime, si strehimi, transporti dhe mbrojtja sociale, dhe strukturat familjare dhe lidhjet midis brezave.

Shifrat janë mëse të qarta, dhe kjo dukuri po prek të gjitha vendet e mëdha. Tendencat e fundit në plakjen e popullsisë, siç përshkruhet në raportit e vitit 2022 të OKB-së “Perspektivat e Popullsisë Botërore”, tregojnë se popullsia e moshës 65 vjeç e lart, po rritet me një ritëm më të shpejtë se sa popullsia nën këtë moshë.

Përqindja globale e njerëzve në këtë grupmoshë, pritet të rritet nga 10 për qind në vitin 2022 në 16 për qind në vitin 2050. Deri në vitin 2050, parashikohet që numri i individëve të moshës 65 vjeç e lart në mbarë botën, të jetë sa 2-fishi i numrit të fëmijëve nën moshën 5-vjeç dhe thuajse i barabartë me numrin e fëmijëve nën 12 vjeç.

Gjithsesi, është e qartë se kjo plakje po prek kryesisht vendet e zhvilluara, të cilat udhëheqin agjendat politike dhe ekonomike globale. Ky ndryshim në popullatë është sinonim i produktivitetit më të ulët, i një dinamizmi më të vogël dhe i një fuqie më të pakët në nivel global.

Për më tepër, vendet e zhvilluara po përballen tani me atë që njihet si piramida e moshës së përmbysur. Ky term i referohet një strukture moshore të popullsisë, në të cilën përqindja e individëve të moshuar është më e madhe se ajo e individëve më të rinj, duke krijuar një strukturë që është e kundërt me shpërndarjen tradicionale të moshës në formë piramide.

Ky model, shoqërohet zakonisht me nivele më të ulëta të lindjeve, jetëgjatësi më të madhe dhe rënie të shkallës së lindshmërisë. Ai paraqet sfida të mëdha shoqërore, të cilat do të zëvendësojnë çdo gjë tjetër, dhe do të ndikojnë tek burimet dhe kapaciteti i këtyre vendeve  për të vepruar fuqishëm në nivel ndërkombëtar.

Për më tepër, këto ndryshime po çojnë në një rritje të shpenzimeve të kujdesit shëndetësor. Kjo situatë po vë në rrezik edhe paktet shoqërore historike, të cilat u mishëruan nga politikat e mirëqenies sociale. Me një piramidë moshe të përmbysur, ky pakt nuk është më I qëndrueshëm, dhe lindin pikëpyetje të mëdha në lidhje me kapacitetin e vendeve për t’u kujdesur për një popullsi të moshuar në rritje.

Për më tepër, ky ndryshim ndikon edhe në produktivitet, duke shkaktuar deficite të mundshme në fuqinë punëtore, e cila nga ana e saj i redukton kursimet financiare. Qeveritë dhe politikë-bërësit në këto vende, po shqyrtojnë shpesh qasje të ndryshme për t’u përballur me këto ndryshime demografike dhe për të nxitur rritjen e qëndrueshme të popullsisë.

Dhe kjo është arsyeja pse valët aktuale të migracionit drejt vendeve të zhvilluara, që aktualisht po zbatojnë politika të dobëta në përpjekje për t’i frenuar ato, shihen si një strategji e qëllimshme nga politikë-bërësit për të adresuar sfidat e paraqitura nga një popullsi në plakje e sipër.

Në realitet, kjo zgjidhje e pa shpallur zbatohet de fakto nga partitë politike të majta dhe progresiste, kur ndoshta inkurajimi i më shumë lindjeve, së bashku me një politikë më të mirë-planifikuar të migrimit të ligjshëm, do të ishte një zgjidhje e preferueshme.

Ky format i migrimit, është një reagim në panik e sipër ndaj përfundimeve ku kanë arritur analizat dhe politikat e tyre të gabuara mbi dukurinë e mbipopullimit. Por nga ana tjetër ajo u garanton atyre më shumë vota, pasi partitë e krahut të djathtë priren të bëhen njerëzit e këqij   që synojnë ta dëbojnë këtë segment të ri të popullsisë.

Politikat e “dyerve të hapura” e politikanëve progresistë, e kanë dëmtuar dinjitetin e emigrantëve. Edhe SHBA-ja, një nga vendet më mikpritëse për emigrantët e ligjshëm dhe e ndërtuar mbi këtë qasje, i është nënshtruar këtyre valëve të reja. Emigrimi i ligjshëm, që nuk rrezikon jetën e emigrantëve apo sigurinë kombëtare të vendeve pritëse, është tashmë një skemë e vjetruar.

Në Evropë ajo i ka rritur ndjeshëm tensionet mbi çështjet e brendshme, pasi emigrantët vijnë nga prejardhje të ndryshme etnike dhe fetare duke u përballur me qytetarët e vendeve pritëse.

Por ndikimi i këtyre valëve të reja nuk është vetëm i brendshëm, pasi ato e kanë përmbysur edhe rendin politik global.

Në fakt, kufizohet kapaciteti i këtyre vendeve për të vepruar në nivel global, sepse ato përballen me kaos dhe çrregullim në frontin e brendshëm, i cili vetëm sa përforcohet përmes mediave sociale. S’ka asnjë dyshim se ky ndryshim i thellë shoqëror, ka një ndikim real dhe është intuitivisht dhe pjesërisht përgjegjës për kaosin që vihet re në peizazhin politik të këtyre  vendeve të zhvilluara.

Është interesanti fati që ndërsa po mendojmë për një botë me një konkurrencë të re midis SHBA-së dhe Kinës, që të dyja këto vende po përballen me të njëjtën sfidë. Numri i amerikanëve të moshës 65 vjeç e lart, parashikohet të rritet nga 58 milionë në vitin 2022, në 82 milionë deri në vitin 2050.

Edhe popullsia e Kinës po plaket më shpejt se thuajse të gjitha vendet e tjera në historinë moderne. Në vitin 2050, përqindja e kinezëve mbi moshën e daljes në pension, parashikohet të jetë 39 për qind e popullsisë totale. Por duke parë ndikimin e plakjes së popullsisë dhe aftësinë e këtij vendi për ta zgjidhur këtë problem, qoftë përmes njerëzve apo përdorimit të Inteligjencës Artificiale dhe robotëve, atëherë ndoshta Kina do të jenë një udhëheqëse në përballimin e sfidës më madhore të këtij shekulli.

Burimi: ArabNews. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë