Analize

Katastrofa në Afganistan, bota fajëson SHBA-në

Përparimi i rrufeshëm i Talebanëve në rimarrjen e vendit ka bërë që afganët që punojnë për Amerikën, gjeneralë, zyrtarë amerikanë të fajësojnë Presidentin Joe Biden për katastrofën humanitare në Afganistan.

Aktivistja afgane Hadia Essazada shpërtheu në lot ndërsa rrëfente për “BBC” tmerrin që kishte përjetuar nga talebanët tre dekada më parë, kur erdhën në pushtet. Duke folur nga Pensilvania, ku jeton pasi u arratis nga Kabuli, ajo tregon se talebanët fillimisht rrahën babanë e saj, dhe më pas vranë vëllain e saj.

Herën e parë "ata po rrihnin babanë tim me shufër hekuri sepse po kërkonin vëllain tim të madh", i cili kishte luftuar për t'i rezistuar sundimit të tyre në vitet 1990, tha ajo për BBC.

“Ata ikën nga shtëpia jonë por pas gjashtë muajsh kur u kthyem dhe erdhën përsëri për të na vizituar. Dhe ata morën vëllain tim më të vogël. "Nuk e di sa ditë kishin kaluar kur një dyqanxhi në lagjen tonë erdhi tek babai im për t'i thënë se djali i tij ishte vrarë," tha ajo.

Talibanët e kishin ekzekutuar dhe e tërhoqën trupin e tij nëpër rrugë. Të afërmit nuk u lejuan të merrnin trupin e tij për varrim për javë të tëra, dhe deri atëherë, qentë ishin lejuar të përdhosnin eshtrat.

Zonja Essazada, sot në të 30 -at tha se ajo tani kishte frikë për sigurinë e Afganistanit dhe shtëpisë së saj të re, Amerikës, tani që talebanët janë në pushtet.

"Talibanët nuk kanë ndryshuar pak," tha ajo.

 Debati i humbjes së SHBA dhe tërheqjes kaotike në Afganistan është një fatkeqësi politike për Joe Biden, pasi dështimi për të orkestruar një dalje urgjente nga Kabuli do të trondisë më presidencën e pllakosur nga krizat dhe do të njollosë më tej trashëgiminë e tij.

Po ashtu, dështimi i Amerikës për të përmbushur zotimet e saj për të evakuuar të gjithë personelin afgan, të cilët mbështeteshin SHBA dhe të cilët tani do të përballen me ndëshkimin e talebanëve do të godasë reputacionin global të SHBA-ve.

"Është një njollë mbi integritetin dhe nderin e kombit tonë. Ne nuk po përmbushnim detyrimin tonë ndaj burrave dhe grave, aleatëve tanë afganë që shërbyen përkrah nesh", tha Jake Wood, një ish –gjeneral amerikan. "Ne u kemi borxh vizat emigrantëve. Ne u detyrohemi atyre siguri, aq sa u detyrohemi siguri punonjësve tanë të ambasadës në Kabul.

Lideri i pakicës në Senat McConnell kritikoi se tërheqja e dështuar dhe evakuimi i furishëm i amerikanëve dhe punonjësve të ndihmës afgane ishte një dështim i turpshëm i udhëheqjes amerikane. Shtetet e Bashkuara e kishin pasur mundësinë për ta shmangur katastrofën. Republikania Cheney tha se Afganistani tani po tregon se çfarë do të ndodhë, po të tërhiqet Amerika nga bota. Aleatët e amerikanëve pyesin veten nëse mund të mbështeten ende te Shtetet e Bashkuara.

Përveç Bidenit, vajza e ish-nënpresidentit Cheney gjithashtu fajësoi ish-Presidentin Trump për situatën. Ishte Trumpi që dikur negocioi tërheqjen me talibanët. Republikanë të tjerë të njohur paralajmëruan se ishte vetëm çështje kohe para se grupe terroriste si Al-Kaida të rishfaqeshin në Afganistan.

Shtetet e Bashkuara filluan luftën 20 vjet më parë në një gjendje hakmarrjeje, vendosmërie dhe uniteti, pasi sulmet e al Kaedës në Nju Jork dhe Uashington shkatërruan imazhin amerikan. Ajo po përfundon në një garë të nxituar për të dalë nga Kabuli.

Dështimi i Biden për të organizuar në kohë tërheqjen nga Afganistani tregoi se vizioni i SHBA-së për të krijuar një komb funksional ishte iluzion dhe përfshirja e mëtejshme e SHBA-se nuk do të përbënte ndonjë ndryshim.

Afganistani është kriza dhe problemi më serioz me të cilën është përballur Biden. Presidenti e gjen veten duke mbajtur në dorë një dosje të rënë politike, e cila shkruar nga hapat e gabuar e të tjerëve para tij, por është mbyllur me gabimet e tij. Ai do të akuzohet për nxitimin e daljes nga SHBA për të krijuar një narrativë të favorshme politike, pasi Presidenti vendosi që trupat amerikane në shtëpi para 20 vjetorit të sulmeve të 11 shtatorit, të planifikuara nga Al Kaeda nga Afganistani.

Pushtimi i Afganistanit nga talebanët është një “dështim i bashkësisë ndërkombëtare”, deklaroi sot Sekretari i Mbrojtjes i Britanisë Ben Wallace, duke vlerësuar se ndërhyrja e Perëndimit ishte një punë vetëm gjysmë e kryer.

“Të gjithë ne e dimë se Afganistani nuk ka përfunduar. Është një problem i papërfunduar për botën dhe bota duhet ta ndihmojë” I pyetur se si është ndjerë nga kjo situatë, ai u përgjigj:  “Unë jam ushtar … është e trishtueshme dhe Perëndimi ka bërë atë që është bërë, ne duhet të bëjmë çmos që t’i nxjerrim njerëzit jashtë dhe tu qëndrojnë detyrimeve tona, 20 vjet sakrificë është ajo që është”

Duke folur për BBC, as ai nuk i mbajti lotët teksa thoshte se po përpiqen shumë që të nxjerrin qytetarët britanikë nga Afganistani, por sipas tij, disa do të mbeten aty.

“Personeli i ushtrisë janë duke punuar fortë për të nxjerrë qytetarët britanikë nga Afganistani, por jo të gjithë do të mund të kthehen. Disa do të mbetën aty”, tha ministri duke mos i kursyer as lotët.

SHBA-të pushtuan Afganistanin në tetor 2001 për të rrëzuar talebanët, pasi sipas tyre ata strehonin Osama Bin Laden dhe figura të tjera të al-Kaedës të lidhura me sulmet e 11 shtatorit. Numri i trupave amerikane është rritur me kalimin e kohës ndërsa Uashingtoni shpenzoi miliarda dollarë për të luftuar kryengritjen e talebanëve dhe për të financuar rindërtimin, duke arritur kulmin në rreth 110,000 në 2011.

Vitin e kaluar, vetëm 4,000 trupa amerikane ndodheshin në Afganistan. Ky numër u reduktua në 650 trupa, për të rritur sigurinë e diplomatëve, sipas Associated Press. Vende të tjera ishin gjithashtu pjesë e pranisë së trupave të huaj në vend, përfshirë anëtarë të tjerë të aleancës së NATO -s.

Sa ka kushtuar lufta e Afganistanit?

Shumica dërrmuese e shpenzimeve në Afganistan kanë ardhur nga SHBA-ja. Midis 2010 dhe 2012, kur SHBA kishte më shumë se 100,000 ushtarë në vend, kostot e luftës u rritën në gati 100 miliardë dollarë në vit, sipas shifrave të qeverisë amerikane.

Ndërsa ushtria amerikane e zhvendosi fokusin e saj nga operacionet sulmuese dhe u përqendrua më shumë në trajnimin e forcave afgane, kostot ranë ndjeshëm. Deri në vitin 2018 shpenzimet vjetore ishin rreth 45 miliardë dollarë, tha një zyrtar i lartë i Pentagonit në Kongresin Amerikan atë vit.

Sipas Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, shpenzimet e përgjithshme ushtarake në Afganistan (nga tetori 2001 deri në shtator 2019) kishin arritur në 778 miliardë dollarë.

Përveç kësaj, departamenti i shtetit amerikan – së bashku me Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe agjenci të tjera qeveritare shpenzuan 44 miliardë dollarë në projekte rindërtimi.  Pra nga viti 2001 deri në 2019 janë shpenzuar  822 miliardë dollarë  por nuk përfshin asnjë shpenzim në Pakistan, të cilin SHBA e përdorte si bazë për operacionet e lidhura me Afganistanin.

Sipas një studimi të Universitetit Brown në vitin 2019, i cili ka shqyrtuar shpenzimet e luftës si në Afganistan ashtu edhe në Pakistan, SHBA kishte shpenzuar rreth 978 miliardë dollarë. Sipas studimit është e vështirë të vlerësohet kostoja e përgjithshme sepse metodat e kontabilitetit ndryshojnë midis departamenteve qeveritare, dhe ato gjithashtu ndryshojnë me kalimin e kohës, duke çuar në vlerësime të ndryshme të përgjithshme.

Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania – të cilët kishin numrin më të madh të trupave në Afganistan pas Shteteve të Bashkuara shpenzuan rreth 30 miliardë dollarë dhe 19 miliardë dollarë respektivisht gjatë luftës.

Pavarësisht tërheqjes së pothuajse të gjithë trupave të tyre, SHBA dhe NATO premtuan një total prej 4 miliardë dollarësh në vit deri në vitin 2024 për të financuar forcat e Afganistanit. Këtë vit, NATO ka dërguar furnizime dhe pajisje me vlerë 72 milion dollarë në Afganistan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë