Lajme

Kaosi me gjykatat, juristët: Vetëm Kushtetuesja e zgjidh lëmshin

Vendimi i Gjykatës së Durrësit që refuzoi të certifikonte mandatin e kryebashkiakes socialiste Valbona Sako, i ndryshëm nga ato të gjykatave të rretheve të tjera, ka sjellë përplasje në lidhje me faktin se nëse kanë të drejtën që të rrëzojnë apo thjesht vetëm të kryejnë një akt “noterial” mbi rezultatet e tabelave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ndërkaq Gjykata e Tiranës refuzoi që t’i jepte mandatin kryetarit të Bashkisë së Vorës, duke e kaluar këtë si një kompetencë Gjykatës Administrative dhe duke i lënë hapësirë shkuarjes në Gjykatën e Lartë, institucion që aktualisht është jashtë funksionimit.

Juristi i njohur Sokol Hazizaj në një prononcim për Gazetën "Si", shprehet se të drejtën për të dhënë vendimin për dhënien e mandatit, sipas nenit 60 të ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore”, e kanë gjykata e rrethit gjyqësor, duke përjashtuar Gjykatën Administrative.

Vendimi i Gjykatës së Durrësit që rrëzon kryebashkiaken e Durrësit

“Neni 60 e ka të përcaktuar shprehimisht se mandati i kryetarit të bashkisë vërtetohet nga gjykata e rrethit gjyqësor, (dhoma civile) në juridiksionin e së cilës përfshihet bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjes së tij. Deklarimi i pavlefshmërisë së mandatit të kryetarit bëhet kur vërehet se nuk plotësohen kushtet, sipas nenit 45 të Kushtetutës dhe dispozitave përkatëse të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”, shprehet Hazizaj për Gazetën "Si".

Sokol Hazizaj


Ndërkaq në nenin 43 të Kushtetutës përcaktohet se “kushdo ka të drejtë të ankohet kundër një vendimi gjyqësor në një gjykatë më të lartë, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në ligj për kundërvajtje të lehta penale, për çështje civile ose administrative me rëndësi ose vlerë të vogël, në përputhje me kushtet e parashikuara në nenin 17 të Kushtetutës”. Për juristin Hazizaj, kjo mënyrë e delegimit te Gjykata e Administrative nuk është e bazuar.

“Kjo pasi është përcaktuar dhe thuhet fare qartë se janë gjykata civile për këtë çështje dhe se dhe nenet 24, 165 dhe 166 te Kodit Zgjedhor e kanë zgjidhur drejtë çdo përpjekje të politikës për të mos mbajtur përgjegjësi sa në katrahurën e zgjedhjeve një polare, dhe përdorimit të gjykatave për të sjellë sado pak ne “zgjidhje” apo marrëveshje për përsëritje kompromisesh politik, në kurriz të votuesve, që nëpërmjet mospjesëmarrjes e kanë zgjidhur verdiktin e tyre”, deklaron Hazizaj për Gazetën "Si".


Ndërsa ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume thekson se ishte një rrëzim i së drejtës kushtetuese në Shqipëri, vendimi i gjykatës së Durrësit, dhe se kjo vjen për shkak të regjistrimit të Bindjes Demokratike tej afateve ligjore të parashikuara nga Kodi Zgjedhor. “Duke mos respektuar pikërisht këto parime bazë, mbi të cilat ndërtohet gjithë shteti dhe shoqëria jonë, po përplasen me kriza të tilla, që janë me ngasje politike si rezultat i sjelljes së partive politike që janë subjekte të cilat kërkojnë të marrin pushtetin dhe në përpjekjet e tyre për të marrë pushtetin, shpeshherë nuk shmangen as nga shkelja e ligji apo shpërdorimi i ligjit; pasojë e faktit se ne nuk kemi ditur dhe akoma nuk po dimë që të ndërtojmë atë që quhet shteti i së drejtës”, thekson Kume.

Ish-kreu i KQZ, Kristaq Kume

Ndërsa për vendimin e Gjykatës së Tiranës për rastin e kryebashkiakut të Vorës, ish-kryetari i KQZ-së thotë për Gazetën "Si" se “në qoftë se Gjykata Administrative do kërkojë që të legjitimohet në trajtimin e kësaj çështje, legjitimimi bëhet nga Gjykata e Lartë. Gjykatë të Lartë efektive ne nuk kemi. Problemi vërtet mund të hyjë në hulli që zor se mund të parashikohet se cila do të jetë zgjidhja që do të marrë”.

Edhe ish-anëtari i KQZ-së, Artan Lazaj thekson ndërkaq se të drejtën e dhënies së mandatit për kryebashkiakët e kanë gjykatat e rrethit.
“Ligji për qeverisjen vendore e ka shprehur qartë se është dhoma civile e gjykatës në territorin e së cilës përfshihet njësia administrative, organi që vërteton mandatin e kryetarit të bashkisë. Kjo procedurë ndodh pasi shpallet rezultati në KQZ. Ligji nuk shprehet nëse ka rrugë ankimimi ose jo, por meqenëse jemi në një gjykim civil është gjykata e apelit që rregullon situatën ligjore, vendim i cili është i formës së prere dhe si pasojë i ekzekutueshëm. Për më tej më duhet të shprehem se duhet të njihem me arsyetimin e vendimit të gjykatës që të jap një definicion të saktë, por në kuptim te ligjit të mësipërm gjykata duket se ka një rol formalo-ligjor”, shprehet Lazaj për Gazetën "Si".

Ish anëtari i KQZ, Artan Lazaj


Ish-anëtari i KQZ-së thekson më tej se “ndoshta është rasti i duhur që për të mos prodhuar kriza të tilla, ka nevojë për rishikime ligjore të Kodit Zgjedhor si dhe të Ligjit për Qeverisjen Vendore”.

Ndërkaq përballë kësaj amullie të gjykatave, për të dy ekspertët shihet si një zgjidhje e mirë adresimi në Gjykatën Kushtetuese, ku nisma më e fundit është ajo e kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi e bërë në emër të Shoqatës së Bashkive.
“Sa i përket ankimit të znj.Ademi mund te them që është përpjekja më serioze për sa i përket rrugës së gjetur dhe besimit te drejtësia, por nga ana tjetër mund të citoj se përpjekja e saj mund të marrë diskutim sa ligjor, aq edhe procedurial lidhur me legjitimimin e subjektit që ankimon, cilësinë dhe interesin kushtetues që ka”, thekson Hazizaj.
Për ekspertin Kume tanimë kriza mund të zgjidhet vetëm përmes ndërhyrjeve në Kushtetutë dhe reformave të thella ligjore. “Të gjitha këto që ndodhën në këtë proces zgjedhor, në gjykimin tim duhet ta marrin zgjidhjen vetëm nga Gjykata Kushtetuese. Ajo vendos nëse këto zgjedhje janë të ligjshme apo jo”, tha Kume.

Intepretimi i neneve për pushtetin vendor dhe te drejtën e shqyrtimit në Gjykata
Neni 42 i Kushtetutës
Liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor.
Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet.
Neni 43
Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.
Neni 45
Përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në raste përjashtimore dhe të justifikuara, ligji mund të parashikojë kufizime të së drejtës për të zgjedhur të shtetasve që vuajnë dënimin me heqje lirie, ose të së drejtës për t’u zgjedhur para dhënies së një vendimi përfundimtar apo kur shtetasit janë dëbuar për një krim ose për cenim shumë të rëndë dhe serioz të sigurisë publike.
(Ndryshuar me ligjin nr.76/2016, datë 22.7.2016)
Kushdo ka të drejtë të ankohet kundër një vendimi gjyqësor në një gjykatë më të lartë, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në ligj për kundërvajtje të lehta penale, për çështje civile ose administrative me rëndësi ose vlerë të vogël, në përputhje me kushtet e parashikuara në nenin 17 të Kushtetutës.
Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë.

Neni 60, li ligjit 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”
Mandati i kryetarit të Bashkisë

Mandati i kryetarit të bashkisë vërtetohet nga gjykata e rrethit gjyqësor, (dhoma civile) në juridiksionin e së cilës përfshihet bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjes së tij.
Deklarimi i pavlefshmërisë së mandatit të kryetarit bëhet kur vërehet se nuk plotësohen kushtet, sipas nenit 45 të Kushtetutës dhe dispozitave përkatëse të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.
Shpallja e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të bashkisë bëhet në mbledhjen më të parë të këshillit bashkiak përkatës, ku kryetari bën betimin, sipas formulës së përcaktuar në nenin 50, të këtij ligji, dhe e nënshkruan atë.
Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasaardhës .
Në rast se këshilli bashkiak nuk mblidhet brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, prefekti organizon ceremoninë e betimit të kryetarit të bashkisë në mjedisin e bashkisë dhe në praninë e banorëve të njësisë përkatëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë