Rend dhe Ligj

Zgjedhjet, Gjykata rrëzon ‘kryebashkiaken’ e Durrësit: Bindja Demokratike, e paligjshme!

Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Durrësit ka refuzuar kërkesën e kandidates socialiste Valbona Sako për t’i njohur mandatin si kryebashkiake e Durrësit, duke përbërë kështu vendimin e parë surprizë për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Kjo pasi shumica e gjykatave kanë pranuar dhënien e mandateve për kryebashkiakët socialistë që kanë dalë si fitues pas zgjedhjeve të 30 qershorit.
KQZ-ja e kishte të pamundur të shpallte fituese Sakon sepse nuk kishte pesë votat e anëtarëve, si kusht për dhënien e mandatit. Kjo ka bërë që si Sako, ashtu edhe shumë kryebashkiakë të tjerë t’i drejtohen Gjykatave.
Kandidatja socialiste kishte në këto zgjedhje përballë kandidaten e Bindjes Demokratike, Valbona Sakollarin.
Kërkesa e Sakos është shqyrtuar sot nga gjyqtarja Mimoza Margjeka, e cila në argumentimin e rrëzimit është bazuar te raporti paraprak i vlerësimit të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 30 qershorit. Është pikërisht fakti se ndërkombëtarët kanë cilësuar si një shkelje faktin se subjekti politik Bindja Demokratike është regjistruar në zgjedhje përtej afateve ligjore.
“Misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve (OSCE&ODHIR Republika e Shqipërisë – zgjedhjet vendore, 30 qershor 2019) në deklaratën e gjetjeve dhe përfundimeve paraprake, citon si më poshtë : “KQZ-ja demonstroi qartazi një qasje gjithëpërfshirëse në regjistrimin e kandidatëve. Ndonëse kjo rriti numrin e garuesve, KQZ-ja e interpretoi ligjin në një mënyrë tejet të gjerë dhe, ndonjëherë jo konsistente, duke cenuar sigurinë juridike. KQZ-ja e regjistroi Bindjen Demokratike (BD) si subjekt zgjedhor më 27 prill, ndonëse kjo e fundit ishte regjistruar si parti politike vetëm më 25 prill me një vendim gjykate që mori formë të prerë më 10 maj””, thuhet në dokumentin e vendimit të siguruar nga Gazeta SI.

Faksimile e vendimit të Gjykatës


Nisur dhe nga konstatimi në deklaratën e gjetjeve dhe përfundimeve paraprake, të Misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve (OSCE&ODHIR Republika e Shqipërisë – zgjedhjet vendore, 30 qershor 2019), në vendim thekson më tej se , Gjykata verifikoi ligjshmërinë e ( akteve administrative) vendimeve të KQZ- së për regjistrimin e subjekteve zgjedhore garuese, për mandatin e Kryetarit të Bashkisë Durrës. Me vendimin nr. 148, datë 11.04. 2019 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur: Të regjistrojë “Partia Socialiste e Shqipërisë”, kryetar Edi Rama, dhe shkronja nistore “PS”, si subjekt zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019”. Me vendimin nr 251, KQZ ka vendosur: Të regjistrojë Koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Europiane”,(ASE) si subjekt zgjedhor pjesëmarrës në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019. Me vendimin nr. 230, date 27.04. 2019 KQZ ka vendosur të regjistrojë Partinë “Bindja Demokratike”, me kryetar Astrit Patozi, dhe shkronja nistore “BD”, si subjekt zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019.
Ndërsa vëren se në nenin 64 te Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, thuhet se: Çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ, jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Gjykata konstaton se, vendimi për regjistrimin e PS-së është brenda afatit, ndërsa KQZ për subjektin politik Bindja Demokratike është marrë në shkelje të hapur me nenin 64 të Kodit Zgjedhor dhe nenin 9 të Ligjit “Për Partitë Politike”(ligji material), dhe për rrjedhojë, konstatohet nga gjykata si akt administrativ absolutisht i pavlefshëm, sipas neneve 108 dhe 109 të Kodit të Procedurave Administrative.


“KQZ ka pranuar kërkesën e Partisë Bindja Demokratike dhe ka bërë regjistrimin e kësaj partie si subjekt zgjedhor, me vendimin e sipërcituar në kundërshtim me nenin 64 të Kodit Zgjedhor, në të cilin parashikohet se: Për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor për çdo lloj zgjedhjeje, një parti politike duhet të paraqesë në KQZ: vërtetimin që partia është regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë; Në momentin e paraqitjes së kërkesës “Partia Bindja Demokratike”, nuk kishte fituar akoma personalitetin juridik, pasi në mbështetje të nenit 9/2 te ligjit “Për Partitë Politike”, ku ‘Partia politike njihet si person juridik që nga data kur gjykata ta ketë miratuar dhe regjistruar atë”. Gjithashtu Partia ‘Bindja Demokratike”, duke mos qene e regjistruar në Gjykatë, në momentin e paraqitjes së kërkesës për tu regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ, nuk kishte zotësi juridike për të fituar të drejta dhe për të marrë përsipër detyrime, sikurse është marrja pjesë në zgjedhjet e Organeve të Qeverisjes vendore të datës 30 qershor”, thuhet në këtë vendim që ka siguruar Gazeta SI.


Më tej theksohet se për raste të ngjashme ka dhe precedentë të mëparshëm, në të cilat KQZ ka rrëzuar kërkesën e subjekteve politike për tu regjistruar si subjekte zgjedhore dhe për të marrë pjesë në zgjedhje, pa pasur me parë, një vendim Gjykate të formës së prerë për regjistrimin e tyre në gjykatë. Shembull është vendimi nr. 158 datë 16 Prill 2015 me anë të të cilit KQZ-ja ka vendosur të mos regjistrojë në zgjedhje Partinë “Shkodra 2015”, për të marrë pjesë në zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 21.06.2015 me arsyetimin se: Vendimi i regjistrimit në Gjykatë merr formë të prerë jashtë afateve të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor për regjistrimin e Partive Politike si subjekte zgjedhore.
Por ky vendim nuk është final, pasi Sako ka të drejtën që t’i drejtohet Gjykatës së Apelit të Durrësit për të ankimuar këtë vendim të gjyqtares Margjeka. Një hap i tillë duhet të ndërmerret brenda pesë ditëve nga 18 korrikut.

Vora dhe Tirana, pezull

Faksimile e vendimit të Gjykatës

Sakaq mësohet se edhe Gjykata e Tiranës nuk ka dhënë mandatin e kryebashkiakut socialist Agim Kajmaku për Vorën. Gjykata e Tiranës nëpërmjet gjyqtares Ariana Gunbardhi ka shpallur mos kompetencë për të marrë në shqyrtimin kërkesën e Agim Kajmakut. Në vendimin e marrë me 15 korrik me firmë, thuhet se Gjykata e Tiranës, do ja kalojë kërkesën për njohje mandati Gjykatës Administrative. Kundër këtij vendimi Kajmaku mund t’i drejtohet Gjykatës se Apelit. Vendimi i Gjykatës së Tiranës mund të sherbejë edhe si precedent edhe bashkinë e Tiranës, ku edhe Erion Veliaj pritet t’i drejtohet për njohjen e rezultatit të zgjedhjeve të 30 qershorit.

Reagimi i Bashës
Për këtë vendim të Gjykatës pati edhe reagimin e menjëhershëm të opozitës, ku kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nëpërmjet një postimi në Facebook e cilëson si shpresë përballës farsës së zgjedhjeve të 30 qershorit.
“Farsa e 30 qershorit ishte masakër e Kushtetutës, e ligjit dhe e standardeve. Dua të përshëndes vendimin e Gjykatës së Durrësit, i cili sjell shpresë se në këtë vend ka gjyqtarë e gjyqtare që e kanë të shenjtë Kushtetutën dhe ligjin, se ka shërbyes civilë me kurajo dhe ndërgjegje që i shërbejnë shtetit të së drejtës dhe jo shtetit partiak. Farsa e 30 qershorit është një grusht kriminal institucional i Edi Ramës, përmes të cilit ai uzurpoi pushtetin vendor, por edhe KQZ-në dhe gjithë sistemin e administrimit të zgjedhjeve përfshi kolegjin zgjedhor. Të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij grushti kriminal institucional, të gjithë ata që i shërbyen Edi Ramës për të dhunuar Kushtetutën dhe ligjin me 30 qershor, do të përgjigjen para drejtësisë për veprimet e tyre kriminale”, shkruan Basha në Facebook.

Konstatimet e gjyqtares për Bindjen Demokratike
Partia “Bindja Demokratike” është regjistruar në Gjykatë me datën 25.04.2019, pasi kishte përfunduar afati për regjistrimin e subjekteve zgjedhore në KQZ për zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 30.06.2019.
Gjykata, duke pasur parasysh sa u parashtrua më lart dhe bazuar në nenin 9 të ligjit “Për Partitë Politike”, në nenin 64 të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë , në nenet 108, 109 dhe 110 të Kodit të Procedurave administrative, konstaton si akte absolutisht të pavlefshme aktet e mëposhtme:
1- Vendimin nr 230, datë 27.04. 2019 të KQZ-së, Për regjistrimin e subjektit zgjedhor “Partia Bindja Demokratike” për Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 30.06.2019.
2- Vendimin nr 660, date 27.05.2019 të KQZ-së, Për miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit për kandidatët për Kryetar Bashkia Durrës për Zgjedhjet për organet e Qeverisjes Vendore të datës 30.06.2019.
3- Vendimin nr 944, datë 05.07.2019 të KQZ-së, Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Durrës, Qarku Durrës, në zgjedhjet vendore të datës 30.06.2019.
Gjykata pasi analizoi çështjen në tërësi, arriti në përfundimin se, kërkesa e kërkueses Valbona Sako për vërtetimin e mandatit të Kryetarit të Bashkisë Durrës duhet rrëzuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë